E Diel, 1 Nëntor 2026

Zgjedhjet, diskutim për votën e emigrantëve

Komisioni Parlamentar i Reformës Zgjedhore dëgjoi sot një propozim për të mundësuar votën e shqiptarëve jashtë atdheut, me bashkëpunimin e të dy bashkëkryetarëve Ilir Rusmajli dhe Fatmir Xhafaj.

Anëtarët e Komisionit dëgjuan nga dy drejtues të G99, Erion Veliaj dhe Arbjan Mazniku një përmbledhje arsyesh që argumentojnë rëndësinë e votës së emigrantëve dhe nga një prezantim të detajuar të mënyrës që ky propozim ofron për të realizuar këtë nisëm.

 “Sot vijmë përpara jush me një propozim që synon të të afrojë europianët shqiptarë pranë kombit të tyre, nëpërmjet një platforme konkrete që do të mundësonte votimin për shqiptarët jashtë atdheut. Jemi të inkurajuar që edhe kryeministri i Shqipërisë është shprehur publikisht në favor të garantimit të kësaj të drejte kushtetuese të shqiptarëve kudo që ata janë. Koha për ta marrë këtë vendim historik është tani,” –tha Veliaj.

Komisioni i Reformës Zgjedhore vlerësoi propozimin dhe tregoi interes duke bërë disa pyetje propozuesve të paketës duke e zgjatur dëgjesën deri në 1 orë e 45 minuta. Komisioni do të shqyrtojë mundësinë e përfshirjes së propozimit në parim, duke vlerësuar dhe vështirësitë teknike të realizimit të tij në zgjedhjet e ardhshme.

G99 e ka dorëzuar propozimin për të mundësuar votën e jashtme në parlament në datë 9 korrik të 2008. Ky propozim parashikon mënyrën e votimit me postë të vecantë me elemente sigurie.

***

“Duke jetuar prej vitesh kryesisht në vende me demokraci liberale të konsoliduar, vota dhe komunikimi politik me ta do të sjellë, pashmangshmërisht, ndikim pozitiv në proceset dhe kulturën politike shqiptare në përgjithësi. Votimi i tyre do të ndihmonte në zbatimin e një strategjie më të mirë kombëtare për emigracionin; mbrojtja e të drejtave, arsimimi në Gjuhën Shqipe, integrimi në vendet pritëse, konservimi dhe forcimi i lidhjeve me Shqipërinë, - tha Veliaj në një prononcim për mediat pas takimit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›