Basha: PD, një opozitë e fortë e moderne në mbrojtje të interesit të qytetarëve
Partia Demokratike nisi punën e saj dje zyrtarisht në godinën e re dhe takimi i parë ishte ai mes kryetarit të demokratëve, Lulzim Basha dhe ambasadorit të SHBA-së, Aleksandër Arvizu. Kreu i PD e ka siguruar ambasadorin amerikan për një opozitë të fortë, ballore në mbrojtje të interesit publik. Nga ana e tij, ambasadori amerikan e falënderoi PD-në për bashkëpunimin në këto vite dhe shprehu besimin se kjo frymë do të dominojë edhe në vitet në vijim
Arvizu: SHBA falënderon PD-në për bashkëpunimin afatgjatë dhe të suksesshëm
Kryetari i Partisë Demokratike, z. Lulzim Basha priti dje ne një takim, ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, z. Aleksandër Arvizu dhe bashkëpunëtorët e tij. Në takimin e mbajtur në selinë e Partisë Demokratike, u shkëmbyen pikëpamje mbi një sërë çështjesh si zgjedhjet e 23 Qershorit, perspektiva e Partisë Demokratike mbi të ardhmen e vendit, integrimi Europian dhe roli i Partisë Demokratike në opozitë, në mbrojtje të interesit të vendit dhe qytetarëve Shqiptarë. Në një konferencë për shtyp pas takimit, kreu i PD-së Lulzim Basha bëri publike faktin se në takim u shkëmbyen pikëpamje për një sërë çështjes teksa e ka siguruar ambasadorin amerikan për një opozitë të fortë, ballore në mbrojtje të interesit publik. “Sot kam pritur në selinë e re të Partisë Demokratike Ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, z. Alexander Arvizu dhe bashkëpunëtorët e tij, zv/Ambasadorin Z. Jardine dhe dy bashkëpunëtorë të rinj që sapo kanë mbërritur në Tiranë. Është takimi im i parë me të në detyrën time si Kryetar i Partisë Demokratike dhe me këtë rast shkëmbyem pikëpamjet tona mbi një sërë çështjesh që nga procesi zgjedhor i 23 Qershorit, perspektiva e Partisë Demokratike mbi të ardhmen e vendit dhe çështje të rëndësishme të integrimit Europian dhe bashkëpunimit Euro-Atlantik si dhe roli i Partisë Demokratike si një opozitë e forte ballore, krijuese dhe moderne në mbrojtje të interesit publik, në mbrojtje të interesit të qytetarëve Shqiptarë”- u shpreh Basha. Nga ana e tij, ambasadori amerikan, Aleksandër Arvizu e ka uruar personalisht për detyrën, theksoi rolin e rëndësishëm që ka opozita në jetën politike në vend si përqendrimi tek qëllimi më i madh për shqiptarët pa dallime politike: integrimin. “Pasi zoti Basha u zgjodh kreu i ri i PD kam pasur mundësi të shkëmbej një informacion jo zyrtar duke e përgëzuar për detyrën dhe tani pata rastin ta takoj. Dëshiroj ta falënderoj atë dhe PD për bashkëpunimin afatgjatë dhe ky bashkëpunim të vijojë dhe më tej. Folëm për qëllimin e zjarrtë të të gjithë shqiptarëve pavarësisht bindjeve të tyre politike, që është shtegu Europian i Shqipërisë, shtegu euroatlantik, rruga drejt Brukselit. Folëm gjithashtu për një proces të rëndësishëm që është ai i opozitës së vendit. Ne përdorim një metaforë që është se në krye të autobusit të jenë të gjithë”, u shpreh Arvizu.
Ambasadori Amerikan u ndal dhe tek çështja e selisë së re të PD-së, e cila tashmë është vendosur tek ish-Shtëpia Qendrore e Ushtrisë. Mesazhi i SHBA për këtë çështje sipas ambasadorit, është që palët duhet t’i përmbahen ligjit me qëllim shmangien e polemikave. “Dallojmë se çështja e kësaj prone ka qenë subjekt i polemikave. SHBA nuk mbajnë qëndrim sa i përket asaj, por ajo që këshillojmë është përmbajtja e shtetit ligjor dhe objektiviteti. Ky takim ishte parashikuar më herët dhe ishte menduar te takoheshim të selinë blu, më pas u njoftuam se PD kishte lëvizur këtu dhe ishte i gatshëm të na priste këtu dhe kjo shpjegon arsyen pse ndodhemi këtu”, sqaroi Arvizu.
Takimi mes Bashës dhe ambasadorit Arvizu u zhvillua në ambientet e selisë së re të kësaj partie tek ish- SHQUP. Ky është takimi i parë mes tyre, që mbahet në selinë e re të kësaj partie. Ndërkohë që selia e re e PD do jetë ish-SHQUP, ajo e vjetra do t’i kalojë Bashkisë së Tiranës.