Komenti/Edi Rama, një këshilltar për Goran Bregoviçin!
Kryeministri i ardhshëm i Shqipërisë, Edi Rama paska vendosur të kujdeset edhe për rajonin. Ndonëse nuk e përcakton se për cilën pjesë apo për cilin shtet të rajonit bëhet fjalë, ‘misteri’ kuptohet nga i emëruari, Shkëlzen Maliqi, se ai është emëruar që të jetë këshilltar për Serbi. Edi Rama madje në prezantimin e lajmit në rrjetin social, është munduar të tregohet se sa panballkanik është dhe se aspak nuk është nacionalist, se është i shpëlarë nga ndjenja shqiptare dhe se e tillë do të jetë politika e tij e ardhshme, ani pse për më shumë se 10 vite ai nuk e lëshon emrin shqiptarë nga goja në gjithë retorikën e tij.
Rama, madje e ka shpallur si një intelektual të madh Maliqin, duke e kursyer nga patriotizmi. Por, Shkëlzen Maliqi, nuk ka një të kaluar të bujshme pozitive në Kosovë. Në shumë momente vendimtare, sidomos në fillim të karrierës së tij publicistike ai haptazi qe pozicionuar si një pro serb, ndërsa e sotmja nuk i mjafton që të jetë ndryshe, pavarësisht lakadredhave që ka bërë në kohë të ndryshme, duke u përpjekur që bashkë me larjen e ndërgjegjes për të kaluarën të bëjë edhe kompromiset e ‘duhura’ me serbët. Ti dal ‘në mbrojtje’ edhe atëherë kur ata nuk kishin nevojë as për mbrojtjen e tij dhe të askujt. Për Ramën Maliqi është një intelektual i ‘mosvarun’, një term ky kryesisht i intelektualëve të rilindjes, të cilët e përdornin për arritjen e pavarësisë së Shqipërisë dhe që i referohen momentit të shpalljes së shtetit, por që personaliteti i Maliqit është antipod i personalitetit Rilindës. Dhe me këtë edhe koncepti i preferuar i Ramës për mbiquajtjen e grupimit të tij, “Rilindja”, tregon se sa mashtrues dhe hipokrit është, duke përbaltosur periudhën më të ndritshme shqiptare.
Esenca e politikës së Ramës është asimilimi i mendësisë shqiptare, të cilën ne e kishim deshifruar veçanërisht që kur ai shkoi në Athinë të merrte bekimin e Greqisë për të qeverisur, me ç’rast kishim parashikuar se atij i mbetet vetëm edhe krijimi i lidhjeve ‘speciale’ me Serbinë. Ai këtë e argumenton në postimin e tij: “Ne duam të ecim më shpejt në drejtim të Kosovës e të fqinjëve të shqiptarëve në tërësi, për të mundësuar të gjithë bashkë, projektin e një rajoni plotësisht të integruar në Europën e Bashkuar”. Ecja e shpejt në fqinjësi, dhe “Marrëveshja e Kosovës me Serbinë”, janë argumente të cilat e kanë shtyrë Ramën të zgjedhur njeriun e duhur, përkatësisht të dashur për serbët. Një intelektual shqiptarë të mirëfilltë, Rama nuk mund ta emëronte për relacionet e reja që dëshiron t’i krijojë ai. Por, në fakt, nuk është se objektivat e tij kanë ndryshuar, ai raportet me fqinjët serbë dëshironte ti rregullonte që kur ia dha para një dekade këngëtarit serb nazist Goran Bregoviçit, Çelësin e Tiranës, në kohën që vuajtjet e shqiptarëve ende nuk ishin shëruar nga pasojat e luftës. Të krijosh lidhje speciale me armiqtë e kombit tuaj, është një tradhti para së gjithash, ndërsa konfirmon se e majta në Shqipëri, është tepër larg mbrojtjes së interesave të shqiptarëve, dhe se vazhdon mendësia e saj, të jetë e dominuar nga ndikimi ortodoks. Edi Ramës nuk i duhej një këshilltar për Goran Bregoviçin, më e pakta që ai të ishte nga Kosova. Ka jo pak filosllavë në PS, cilindo që të zgjidhte prej tyre nuk do ta kryejë punën më keq se sa Maliqi, i cili vazhdon të jetë këshilltar në Qeverinë e Kosovës, dhe madje të shkelë ligjin haptazi dhe ta fsheh pasurinë!
Marrë nga "Bota sot", 30 gusht 2013