“Rilindja” e Ramës, e frymëzuar nga idetë e “Internacionales” së Potie-së
E padurueshme të dëgjosh orë e çast nga goja e politikanëve që pretendojnë të qeverisin vendin, të njëjtin avaz: “do të rishikojmë”, “do të anulojmë”, “do të zhbëjmë”, “do të prishim”, “do të shkatërrojmë”, “do të përmbysim”, “nuk do të njohim atë vendim”, “nuk do të njohim këtë dekret” ...
Në miniaturë, qeverisja e një vend mund të konsiderohet pak a shumë si administrimi i një pasurie familjare të trashëguar nga paraardhësi, i cili, për këtë ose për atë arsye, ka hequr dorë nga barra që ka mbajtur mbi shpinë. Sepse, të administrosh një pasuri, qoftë familjare, qoftë të një shteti të tërë, nuk është vetëm privilegj. Nuk është as shaka, as zbavitje, as bjeri t’i biem. Përkundrazi, duke qenë privilegj, është njëherësh barrë e rëndë dhe përgjegjësi e madhe. Që t’ia dalësh mbanë e të mos mbetesh pas paraardhësit, duhet urtësi mbi të gjitha, çka do me thënë të inventarizosh me kujdes e të njohësh në themel pasurinë që ke për të administruar, të ndreqësh çka mund të ndreqet e të ndërtosh çka mund të ndërtohet. Është e vetmja dhe më e para rrugë që duhet ndjekur, që punët të shkojnë mbroth e pasuria të mos bëhet rrush e kumbulla. Më në fund, - në fund fare, ama, - i vjen radha edhe ndonjë prishjeje sa më të vogël të asaj çka mund të prishet, për ta ndrequr më mirë. Po si mund të përfytyrohet qeverisja e një vendi, duke nisur qysh në krye të herës me rishikime, anulime, zhbërje, prishje, shkatërrime, përmbysje?
Shkas për këtë shkrim u bë një deklaratë e zonjës Felaj, deputete e PS-së. Para pak ditësh, ish pretenduesja për dikasterin e drejtësisë në qeverinë e ardhshme tha se dhënia me koncesion e Portit të Durrësit nga qeveria Berisha, do të jetë një ndër vendimet e para që do të zhbëhet nga qeveria e re.
Vër re, i nderuar lexues: Prishja e ndërtimeve pa leje në vijën bregdetare, e para. Zhbërja e vendimit për Portin e Durrësit, e para. Anulimi i vendimit për kalimin e SHQUP-it në pronësi të Bashkisë së Tiranës dhe vendosja atje e selisë së PD-së, sapo të marrin në dorë frenat e vendit. Kjo e para, ajo më e para... Vetëm prishje, më së pari. Siç duket se po e nisin, ky mandat nuk do t’u dalë vetëm për të prishur. Po për të ndrequr, kur dhe ku? Po për të ndërtuar, kur dhe ku? Apo, do të bëhet menjëherë restaurimi i Piramidës dhe i vilës së Enver Hoxhës që të shërbejnë si vende pelegrinazhi për pelegrinët e majtë ose si famëkeqi “Institut i Studimeve Marksiste – Leniniste” që ka pas udhëhequr Zonja e Zezë? Apo do të vendoset shtatorja diktatorit sa është gjallë e veja?
Të mos harrojmë se deklarata e zonjës Felaj erdhi ndërsa Kokëdhima kishte vënë kazmat e para në bregdetin e Vlorës dhe kur Rama kishte ftuar si për zijafet disa duzina me shkencëtarë, arkitektë, artisë, urbanistë, ekonomistë e turli farë lloj -istësh nga e gjithë bota. Sebepi? Që t’i jepnin mend si të vepronte për të zhbërë vendin në emër të sloganit mashtrues “Shqipëria e gjeneratës së re”, sikur të mos i mjaftonin tanët, të cilët e dinë më mirë se cilido –ist i ardhur nga Tinglimajmuni çka duhet lënë, çka duhet ndrequr e çka duhet prishur. Mirëpo kjo nuk i duhej Edi Ramës, pasi i zoti e di ku i pikon çatia dhe sesi mund të zihen pikat më lehtë e më mirë. Të hedhësh përtokë gjithë çatinë, në vend që të zësh një a dy pika, dhe të thërrasësh nga ana ne anës mjeshtër që të të japin mend për këtë punë, kur familja ka emergjenca të tjera, është luks i madh, në mos marrëzi.
Me projektet e tyre të dyshimta, përveç zhvatjes së pasurisë kombëtare, buldozerët e prishjes rrahin të përligjin sloganin kinse programor “Rilindje”, të keqpërdorur deri në tejskaj për të mashtruar një pjesë të elektoratit, me qëllim grabitjen e votave. Ata synojnë të mbajnë opinionin publik nën trysni të pandërprerë psikologjike, të krijojnë vatra të reja sherresh politike, t’i mbajnë ato të nxehta, të shpikin sebepe për përplasje me opozitën e re, paçka se, do apo nuk do mazhoranca e dalë nga zgjedhjet e 23 qershorit, e djathta përfaqëson së paku gjysmën e elektoratit.
Është e qartë si drita e diellit se kostoja e rishikimeve, e anulimeve, e prishjeve etj. do të jetë e lartë, në radhë të parë, për rrogëtarët, por edhe për investitorët vendas ose të huaj. Nga katrahura e përmbysjeve që në themele, as vetë aktorët politikë të së majtës nuk do të dalin pa u lagur. S’ka dyshim që kjo do të sjellë përplasje të pashmangshme jo vetëm mes fituesve dhe humbësve, çka qeveritarët e ardhshëm do ta lusnin me qëllim që të shtynin kohën e qeverisjes sa të ishte e mundur më gjatë, por edhe mes vetë elitës politike fituese dhe të ashtuquajturit “popull i majtë”. Tashmë nuk ka pikë dyshimi se shumë individë nga mjedisi i majtë pandehën se deti do të bëhej kos, sapo të vinin në pushtet ata që patën hapur shtigjet e shkeljeve të ligjit në bashkitë e komunat e qeverisura prej tyre. Dhe, o burra, me lugë në brez!... Tashti që u ka ardhur veza në të dalë dhe që nuk mund të shkojnë më tej me të njëjtat mënyra bajate të shkeljes së ligjit, ngase edhe zhvatësit janë më të shumtë, më të zhdërvjelltë e më të fuqishëm, po e kërkojnë licencën e zhvatjes gjetiu, anekënd rruzullit tokësor. O burra, pra, së prapthi!... Por, kësaj here, me kazmë në dorë, që luga e të vegjëlve t’ia lërë vendin garuzhdës së bosëve politikë.
Mirëpo, me leje a pa leje, t’ia prishësh pronën tjetrit, kur me dashjen tënde ke zënë njërin sy, në mos të dy, është njësoj sikur t’ia grabitësh me dhunë. Dhuna pastaj pjell dhunë tjetër, madje të përshkallëzuar, spiralja e së cilës nuk dihet ku mbaron. Ne, shqiptarët, kemi vuajtur e po vuajmë jo pak për shkak të kësaj spiraleje pafund.
Politika e përmbysjeve e Edi Ramës dhe e bashkëpunëtorëve të tij të afërt të kujton “Internacionalen” që, ndonëse ende ndihet andej-këtej nëpër botë, sa vjen e po u kalon arkivave të historisë së muzikës. “Botën mizore ne do ta shkatërrojmë / që nga themelet dhe pastaj / me duart tona do të ndërtojmë / botën e re, në vend të saj...” – shkruante poeti revolucionar Euzhen Potie, gjatë ditëve të përgjakshme të Komunës së Parisit (1871). Pas vitit 1888, kur vargjet e Potie-së do të viheshin në muzikë, “Internacionalja”, do të merrte botën mbarë dhe, gjatë shekullit XX, do të rrëmbente miliona e miliona njerëz të mashtruar, në emër të një “rendi të ri”, pa shfrytëzim të njeriut, prej njeriut, ku të gjithë do të ishin të barabartë e të lumtur. Pasojat, tashmë dihen. Historia vonon, por nuk harron.
Duke iu referuar projekteve të tij qeverisëse, duket açik se Edi Rama e ka konceptuar “Rilndjen” sipas vargjeve të Potie-së, kthyer së prapthi. E ka konceptuar jo në dobi të “të munduarve, të uriturve, të skllevërve anembanë”, siç besonte dikur idealisti revolucionar Potie, por për dobinë e vet dhe të shpurës që e ndjek pas me besnikëri. Ndërkohë, për modelin “Shqipëria e gjeneratës së re”, frymëzimin e ka marrë te “Shqipëria Socialiste” e babait të tij shpirtëror, Enver Hoxhës.
Sot, në shekullin XXI, ngjan tepër e zorshme, në mos e pamundur, që shqiptarët, të cilët po mësohen gjithnjë e më shumë me erërat e Perëndimit, kësaj here, ta futin qafën aq lehtë në kular e t’ia thërrasin sërish “Internacionales” në sinkroni me pasardhësit e nomenklaturës komuniste, si dikur baballarët e këtyre, të vetëquajturit udhëheqës, në kongreset e PPSH-së. Për shqiptarët, “lufta finale” u luajt njëherë e mirë, në fillim të viteve ’90 të shekullit që shkoi, fill me rënien e Murit të Berlinit.