E Diel, 1 Nëntor 2026

Basha: Pasuritë e tregtarëve të vdekjes, në shërbim të narkomanëve

Në Ditën Ndërkombëtare të Luftës kundër Drogës, ministri i Brendshëm Lulzim Basha ka deklaruar se pronat dhe llogaritë që do tu sekuestrohen trafikantëve të drogës do tu jepen familjeve të personave që kanë rënë viktima të përdorimit të drogës. Basha u shpreh se strategjia e re e luftës kundër drogës parashikon përfshirjen të gjitha institucioneve.

Me Agjencinë e Administrimit të Pasurive do të bashkëpunojmë që me pasuritë që iu marrim këtyre tregtarëve të vdekjes, ti vëmë ato në shërbim të rehabilitimit të këtyre viktimave, u shpreh Basha. Ndërsa ministri i Shëndetësisë e ka parë në një aspekt moral luftën kundër drogës. Ai ka deklaruar se Ministria e Shëndetësisë është pranë të gjitha familjeve që kanë mes tyre një përdorues droge, për ti ndihmuar jo vetëm nga ana shëndetësore por edhe morale. Ne mbështesim çdo familje shqiptare e cila përballet me këtë fenomen. Shumë familje shqiptare, marrin mesazhe të qarta për mbështetjen që jepet, u shpreh Vasili. Sllogani i këtij viti i caktuar nga Organizata e Kombeve të Bashkuara është, mendo për shëndeti- jo drogës. Në Shqipëri mendohet të ketë rreth 30 mijë përdorues, nga të cilët 10 mijë prej tyre janë përdorues heroine, që konsiderohet si droga më e fortë dhe varësia ndaj të cilës është edhe më e madhe. Aktivistët e luftës kundër drogës veç projekteve për sensibilimin e popullatës punojnë me autoritetet për kufizimin e dënimeve me heqje lirie për përdoruesit e drogës e për zëvendësimin me qëndrim në qendrat rehabilituse. Në bazë të dhënave të autoriteteve shëndetësore në Shqipëri janë rreth 35 mijë vetë, të cilët e kanë provuar të paktën edhe një herë marrjen e drogës. Ndërkohë që rreth 7 mijë prej tyre konsiderohen si përdorues të rregullt të saj. Trajtimi me metadon në shoqatën Aksion Plus është i vetmi trajtim direkt që u bëhet personave me varësi nga drogat në vendin tonë. Metadoni në vetvete është një drogë por që kundërvepron ndaj heroinës dhe jep rezultate tepër efektive për personat që trajtohen me të. Trajtimi ndahet në disa faza kur gjatë periudhës së parë për çdo ditë në 6 muaj rresht një person me varësi ndaj drogës kurohet në qendrën Aksion Plus duke marrë një dozë të caktuar të vendosur nga mjekët specialistë të cilët paraprakisht i bëjnë të gjithë personave që trajtohen me metadon një sërë analizash herë pas herë për të vërtetuar sa i pastër është ai dhe me sa përpikmëri e ka ndjekur trajtimin. Metadoni ashtu si të gjitha drogat e tjera në vetvete ka efekte të cilat nëse në momentin këtë medikament e shoqëron me alkol atëherë mund të japë efekte tepër të rrezikshme duke pasur të njëjtat shenja si overdoza e një droge normale por me metadonin personi mund të ketë vetëm dhimbje e gjendje shoku e për fat të mirë nuk rrezikon jetën.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›