E Diel, 1 Nëntor 2026

Basha Per mua Tirana Europiane fillon nga lagjet europiane

Kandidati për kryetar bashkie në Tiranë, Lulzim Basha, u njoh nga afër me shqetësimet e banorëve të Shkozës, zonë e cila shtrihet në njësinë bashkiake numër 1.

Mungesa e infrastrukturës rrugore dhe arsimore, dhe e një qendre shëndetësore, ishin disa nga shqetësimet e banorëve. Po kështu, ata kërkuan trajtim të barabartë me banorët e qendrës së Tiranës, pasi sipas tyre detyrimet ndaj Bashkisë i kanë të njëjta.

“Deri sot këtu nuk ka bërë kurrkush asnjë gjë në mënyrë absolute. Ne vuajmë për shkollë, çerdhe dhe kopsht asgjë nuk ekziston në këtë komunitet”, u shpreh një banor.

“Banojmë në uzinën Traktori, jemi 400 familje dh s’dimë ku jemi”, i tha Bashës një banor.

“Të trajtohen njëlloj problemet siç trajtohen në qendër, jo të shihemi me atë syrin se jemi periferi e Tiranës.

Në qoftë se duhet me hedh një qesë me mbeturina duhet të bëjmë 1 kilometër e gjysëm rrugë për ta çuar sepse nuk na përgjigjet askush”, tha një banore e Shkozës gjatë takimit me Bashën.

Kandidati për kryebashkiak u shpreh se këto problem janë prioritetet e tij dhe se zgjidhja nuk do të vonojë.

“Unë premtoi angazhimin tim që të projektojmë së bashku brenda 12 muajve, vendin ku do ndërtohet shkolla e re, vendin ku do ndërtohet po ashtu qendra shëndetësore. Gjithçka do të bëhet duke respektuar plotësisht pronën private, asnjë tullë nuk do të lëvizet pa kompensuar me vlerën e plotë të pronës pronarët e ligjshëm. Ju siguroj që për mua, Tirana Europiane fillon nga lagjet europiane sepse po qe për qendrën i kemi vënë 3-4 herë emra francezë, zviceranë, belgë mund të marrim kështu të gjithë vendet e Bashkimit Europian, por kjo nuk e bën Tiranën Europiane”, tha Basha.

Lulzim Basha i ka garantuar banorët se një nga vendimet e para në krye të bashkisë do të jetë marrja në administrim e ujësjellës-kanalizimeve dhe nisja e punës për përmirësimin terësor te rrjetit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›