E Shtunë, 31 Tetor 2026

Basha: Përkrahim pa rezerva vendimet e autoriteteve të Prishtinës

Gjatë një interviste televizive, ministri i Punëve të Jashtme, Lulzim Basha ka shprehur përkrahjen e plotë për qendrimin e autoriteteve të Prishtinës ndaj planit të OKB-së për EULEX-in, ndërkohë që ka theksuar se diplomacia shqiptare është në kontakt të vazhdueshëm me interlokutorët e BE-së e të SHBA-së

Si po e ndjek Tirana zyrtare çështjen shumë shqetësuese në Kosovë pas marrëveshjes së arritur midis OKB-së dhe Beogradit të një plani prej gjashtë pikësh që prej disa ditësh në Prishtinë është një shqetësim shumë i madh?
Ne po i ndjekim zhvillimet në Kosovë nëpërmjet kontakteve tona të drejtpërdrejta me autoritetet më të larta të Kosovës të cilat, ditët e fundit janë të përditshme dhe shpesh disa herë në ditë, kontakte të drejtpërdrejta me Uashingtonin dhe Brukselin, ndjekim çdo zhvillim në raport me çështjen e vendosjes së EULEX-it në Kosovë dhe do të vazhdojmë të bëjmë kështu derisa ky moment të jetë tejkaluar dhe EULEX të vendoset në gjithë territorin e Kosovës siç e parashikon edhe Plani Ahtisari.

Kjo marrëveshje me gjashtë pika ngre një shqetësim të madh për klasën politike kosovare që i ka thënë jo kësaj marrëveshjeje të njëanshme të arritur nga OKB dhe Beogradi dhe gjithë frika dhe gjithë komentet janë që nëse kjo marrëveshje do të pranohet, kjo do të thotë ndarje e Kosovës?
Pozicioni ynë është shumë i qartë. Në radhë të parë ne mbështesim pa asnjë rezervë dhe në mënyrën më të plotë të mundshme autoritetet e republikës së Kosovës. Janë këto autoritete që kanë legjimitetin për marrjen e vendimeve në raport me republikën e Kosovës dhe zhvillimet në të. Së dyti, ne mbështesim plotësisht, siç e kemi shprehur vazhdimisht, vendosjen e EULEX në mbarë Kosovën si një hap shumë të rëndësishëm për të garantuar paqen dhe stabilitetin e mëtejshëm në Kosovë dhe futjen e Kosovës përfundimisht në rrugën pa kthim të integrimeve evropiane dhe euroatlantike. Së treti, Plani Ahtisari, i cili mori jetë me pavarësinë e Kosovës dhe vazhdoi me etapat e tjera me kalimin e Kushtetutës së Kosovës dhe paketave të ndryshme ligjore, është dhe mbetet reforma e vetme mbi të cilën këto zhvillime duhet të përcillen edhe në të ardhmen dhe në këtë kuadër, ne mbështesim plotësisht përpjekjet e autoriteteve ndërkombëtare dhe autoriteteve të Prishtinës në një dialog të ndërsjellët për të ecur përpara me hapat e nevojshëm për zbatimin e plotë dhe pa mëdyshje të Planit Ahtisari. Në këtë kuadër, duket qartë se Prishtina, ka vullnetin e saj të plotë për të vazhduar dialogun me partnerët ndërkombëtarë, me Uashingtonin, Brukselin dhe për të ecur më tej në rrugën e plotësimit të gjithë detyrimeve që rrjedhin nga Plani Ahtisari nga të gjitha palët. Edhe një herë, dëshiroj të bëj shumë të qartë që në këtë përpjekje, Prishtina zyrtare, ka mbështetjen e plotë dhe të pakufizuar të Tiranës zyrtare.

Si i keni parë reagimet e Kushnerit, Solanës apo zyrtarëve të tjerë të BE-së në mbështetje të kësaj marrëveshjeje?
Siç ju thashë dhe më përpara, ne jemi në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet më të larta në Prishtinë, Uashington dhe Bruksel. Ne u kemi bërë të qartë të gjithë interlokutorëve tanë, përkrahjen tonë të plotë dhe mbështetjen tonë pa rezerva për autoritetet e Prishtinës të cilat janë autoritetet legjitime dhe janë ato të cilat duhet të vendosin mbi procesin dhe substancën e procesit. Për ne, nuk ka qenë tërësisht e pranueshme fakti që në një pjesë të bisedimeve, OKB ka ecur pa konsultime me Prishtinën zyrtare. Megjithatë, mendoj që kryeministri Thaçi, Presidenti Sejdiu dhe autoritetet më të larta të Kosovës, kanë theksuar edhe në ditët e fundit vullnetin e plotë të Prishtinës për të vazhduar dialogun me faktorin ndërkombëtar në funksion të një elementi shumë të rëndësishëm të Planit Ahtisari siç është vendosja e misionit EULEX në të gjithë territorin e Kosovës. Kjo është ajo të cilën ne e mbështesim pa rezerva dhe në këtë kuadër i japim mbështetjen tonë të plotë Prishtinës zyrtare në hapat e mëtejshëm.

A mundet EULEX të mbajë një rol neutral në Kosovë pas 8 muajsh e ca nga shpallja e pavarësisë?
Unë mendoj se të gjitha detajet e vendosjes së EULEX në Kosovë, janë në tavolinën e bisedimeve. Ato po diskutohen midis Prishtinës zyrtare dhe përfaqësuesve të tjerë të komunitetit ndërkombëtar të BE në veçanti dhe ne i japim mbështetjen e plotë këtij procesi i cili në pikëpamjen tonë, duhet të garantojë vendosjen e EULEX-it siç e kemi theksuar vazhdimisht në të gjithë territorin e Kosovës.

Nëse, pas presionit, Prishtina do ta pranojë këtë plan 6 pikësh, a do të thotë ndarje e Kosovës?
Ne nuk paragjykojmë asnjë vendim të marrë nga autoritetet legjitime të Kosovës. Ata kanë tagrin e plotë dhe detyrimin e tyre para popullit të Kosovës për të vendosur mbi hapat e mëtejshëm. Sigurisht, procesi është shumë i rëndësishëm. Vendosmëria e Prishtinës për të vazhduar dialogun me faktorin ndërkombëtar, është përshëndetur dhe vazhdon të përshëndetet jo vetëm nga Tirana zyrtare por nga të gjithë ata që janë të interesuar për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në Kosovë. Çka është domethënëse për paqen dhe stabilitetin në të gjithë rajonin. Dhe në këtë kuadër, integriteti i Planit Ahtisari, në pikëpamjen e Tiranës është shumë I rëndësishëm pasi në vetvete ai ngërthen çështje që shkojnë përtej kufijve të Kosovës dhe që kanë të bëjnë me stabilitetin rajonal dhe perspektivën evropiane dhe euroatlantike të të gjithë vendeve të rajonit.

A është një sukses i Beogradit arritja e kësaj marrëveshjeje prej 6 pikash?
Sigurisht që diplomacia serbe ka bërë tashmë zakon të trumbetojë si arritje apo fitore edhe aspektet e politikës së jashtme të saj, të cilat faktikisht, nuk përbëjnë asnjë avancim të synimeve të vjetra serbe në raport me statusin e Kosovës sepse, siç kemi vënë re, Kosova vazhdon të njihet nga një numër i madh vendesh dhe pret njohje të tjera në javët dhe muajt që pasojnë. Do ta rendisja edhe këtë qëndrim të diplomacisë serbe në këtë vazhdimësi të një propagande retorike e cila synon t’i ushqejë opinionit të brendshëm serb fitore, ndërkohë që në të vërtetë nuk është se arrin diçka në raport me Serbinë vetë, por vetëm sa vazhdon atë politikë obstruksionizmi ndaj Kosovës e cila përveç vështirësive që krijon momentalisht për procesin, është gjithashtu e dëmshme edhe për Serbinë. Edhe një herë, dëshiroj të theksoj se udhëheqja e Kosovës, e cila ka mbështetjen e plotë t5ë udhëheqjes së Tiranës, siç është bërë e qartë gjatë gjithë qëndrimeve që Tirana zyrtare ka mbajtur në këto muaj në raport me zhvillimet në Kosovë, është ajo që ka tagrin e plotë legjitim të marrë vendimet e saj në raport me zhvillimet e mëtejshme. Është e domosdoshme që EULEX të vendoset në të gjithë Kosovën dhe të vendoset sa më shpejt. Është e domosdoshme që integriteti I Planit Ahtisari të vazhdojë të ruhet si një garanci për paqen dhe stabilitetin në Kosovë dhe për paqen dhe stabilitetin e të gjithë rajonit tonë dhe në këto procese, Tirana zyrtare do të vazhdojë të luajë rolin e mbështetësit të plotë dhe të fuqishëm të Prishtinës zyrtare në përpjekjet e saj si dhe të ofrojë çdo ndihmë të nevojshme apo të kërkuar nga partnerët tanë Euroatlantikë për të përfunduar këtë proces të vendosjes së EULEX në të gjithë territorin e Kosovës me sukses brenda një kohe sa më të shkurtër.

Nëse realizohet ky plan prej 6 pikash dhe realizohet ndarja e Kosovës,, a do të ulet dhe pala kosovare për të kërkuar bashkimin me Luginën e Preshevës apo dhe me Shqipërinë?
Mendoj se është shumë herët për të folur mbi skenarë mbi bazën e “nëse”. Për momentin kemi Prishtinën zyrtare e cila me përgjegjësi të plotë, me përgjegjshmëri të plotë dhe në frymën e dialogut konstruktiv me bashkësinë ndërkombëtare po diskuton me përfaqësuesit relevant të institucioneve ndërkombëtare, aspektet e vendosjes së EULEX-it në të gjithë territorin e Kosovës. Këtu është fokusi tani dhe këtu duhet të mbahet. Në këtë përpjekje, Prishtina zyrtare gëzon mbështetjen e plotë të Tiranës zyrtare dhe të shumë faktorëve të tjerë euroatlantikë dhe ne shpresojmë që ky proces të mbyllet me sukses dhe sukses do të thotë vendosje e EULEX-it në të gjithë territorin e Kosovës.

Si do të jetë komunikimi i Tiranës zyrtare me autoritetet në Prishtinë pas letrës së kryetarit të Parlamentit të Kosovës, z. Jakup Krasniqi drejtuar zyrtarëve më të lartë në Tiranë ku ngrihej shqetësimi për këtë situatë problematike të brendshme pasi kjo, sipas letrës, zhvendos vëmendjen që Shqipëria duhet të ketë mbi këtë proces shumë delikat që po ndodh në Kosovë?
Ne vlerësojmë jashtë mase të gjitha komunikimet që kemi me autoritetet e Prishtinës mbi të gjitha çështjet duke përfshirë edhe çështjet e politikës, siç janë ato që diskutojmë në mënyrë të përditshme që ndodhin në Tiranë apo në Prishtinë dhe I sigurojmë ata në mënyrë të vazhdueshme se asgjë në asnjë moment nuk mund të zhvendosë vëmendjen e Tiranës zyrtare nga zhvillimet në Kosovë apo nga qëndrimet tona në raport me Kosovën, qëndrime të cilat mbeten në vazhdimësi ato të shprehura gjatë gjithë muajve të fundit, madje dhe para 17 shkurtit për një Kosovë sipas Planit Ahtisari e cila lëviz drejt integrimit të plotë të saj drejt strukturave euroatlantike dhe evropiane, për një Kosovë me integritet të pacenuar dhe si një hap afatshkurtër dhe afatmesëm, vendosjen e EULEX-it në gjithë territorin e Kosovës. Kjo është ajo për të cilën ne kemi insistuar dhe vazhdojmë të insistojmë në çdo takim dhe që përbën bazën e platformës sonë në raport me ndihmën dhe mbështetjen që Shqipëria ka afruar, i ofron dhe vazhdon t’i ofrojë Kosovës në çdo aspekt, sa herë që të jetë e nevojshme dhe pa asnjë mëdyshje. Kjo përkrahje e Tiranës zyrtare nuk mund dhe nuk do të influencohet në asnjë çast nga zhvillimet e brendshme në Tiranë. Ato janë zhvillime normale të kursit demokratik të një demokracie tashmë të konsoliduar dhe në asnjë mënyrë nuk mundet dot të influencojë mbi qëndrimin tonë, mbi vëmendjen tonë dhe punën tonë të pareshtur në raport me Kosovën dhe zhvillimet atje, qëndrime të cilat u bënë të qarta dhe gjatë kësaj interviste.
...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›