E Diel, 1 Nëntor 2026

Humnera e thellë e ndarjes

Brenda Kuvendit u shënua një dukuri e pandodhur në jetën parlamentare shqiptare të gjashtëmbëdhjetë viteve të fundit. Nëse kulm ka mbetur shkrepja aty e krismave të revoles për vrasje, nënkulm ishte seanca e 13 tetorit 2008. Atë pasdite salla e teatrit politik të Kuvendit ngjante me sallën e një teatri absurd: në podiumin përballë nuk binin në sy drejtuesi i seancës dhe ministrat, por 10 deputetë të lodhur nga greva e urisë, që e shndërruan atë mjedis debatesh, në vend proteste të skajshme vuajtjeje fizike, me parullën “Vota është e shenjtë”, nën vështrimin e gjithë deputetëve të tjerë që miratonin ligjet e rendit të ditës. Në qendër, përkrah njëri - tjetrit, vinin në radhë: Ilir Meta, kryetar i LSI; Nard Ndoka, kryetar i PDK; Petro Koçi, kryetar i PS-91; dhe shtatë të tjerë, vendosur në të dy anët e tyre. Kushdo e di: pa Ilir Metën, greva nuk mund të mpiksej si ide, ca më pak të niste si veprim. Jashtë Kuvendit, përkrahësit thërrisnin në mbështetje. Ndërsa, ajo për çka ata hynë në grevë, në përpjekje për ta penguar e ndryshuar, përfundoi siç kishte vijuar: Kuvendi e miratoi Kodin e ri Zgjedhor me 112 vota pro.
Deputetët grevistë shpallën që, sakrifica e tyre bëhet për të mbrojtur votën e lirë të shqiptarëve.
Dy partitë e mëdha, në konsensus për Kodin e ri Zgjedhur, shpallën gjithashtu, se ligji i ri garanton votën e shqiptarëve dhe një votim të lirë e të ndershëm.
Kjo përplasje nxjerr në pah:
E para, për zgjedhjet 2009, flitet përditë dhe aq shumë, sikur ato të ishin pas një muaji. Fillimi zyrtarisht i tyre mbetet një veprim formal në mbështetje të ligjit. Futja e hershme në fushatë vërtetohet me tri fakte:
Edi Rama i Partisë Socialiste vijon me “Dialog me Shqipërinë”, duke kritikuar qeverisjen për gjithçka dhe përsëritur që, “Politika e re” e socialistëve, siç e cilëson ai, do të fitojë zgjedhjet .
Kryeministri Berisha udhëtimin e vet e ka zbritur e shtrirë në terrenin konkret, nën parullën “Shqipëria po ndryshon”, me shpalosjen e ideve dhe kryerjen e përurimeve, fryt i investimeve të rëndësishme.
Ilir Meta i LSI, bashkë me PDK dhe PS-91, e ndërtuan ndryshe: grevë urie brenda Kuvendit dhe protesta jashtë tij, duke kundërshtuar, sidomos, sistemin e pastër proporcional të zgjedhjeve dhe mënyrën e administrimit të tyre, të vendosura me konsesusin e PD dhe PS.
E dyta, me grevën e urisë të 10 deputetëve, deklaruar nga foltorja e Kuvendit, më 10 tetor, ora 19.10, fushata zgjedhori mori nisje më të ashpër se sa pritej.
E treta, përçarja e së majtës, sidomos, mes LSI - PS, u thellua në përmasat e humnerës, aq sa, edhe më të guximshmit nuk besojnë se ato mund të bashkërendohen në një aleancë parazgjedhore. Mospajtimin e plotë ndërmjet tyre e bëri përfundimtar kundërshtimi nga Partia Socialiste e grevës së urisë, e cila shqiptoi nga foltorja e Kuvendit që, nuk do të mbëshesë askënd përpara interesave të saj dhe heshtja e plotë e Ramës ndaj tyre.
E katërta, mendohet që Ilir Meta dhe LSI e kanë mbivlerësuar fuqinë e tyre politike. Pavarësisht që ajo sulmon të dy forcat kryesore, shumicën e djathtë në pushtet dhe
opozitën kryesore të majtë, mendimi i stërvitur shquan se, ka dallim në luftën politike të LSI ndaj qeverisjes dhe asaj kundër socialistëve. Kundërshtari kryesor nuk është shumica
dhe qeveria, sepse Ilir Meta e di që e djathta ka pikëpamje më ndryshe mbi ligjin për zgjedhjet. Por, kundërshtar të madh të tyre kanë shpallur Edi Ramën, sepse, sipas tyre, ai i ka shitur interesat e së majtës, në kohën kur LSI mëton se ajo e ka tejkaluar fuqinë politike të PS. Meta nuk e ka më përballë Fatos Nanon, i cili iku me humbjen e zgjedhjeve të vitit 2005. Ai gjykon se PS u dobësua nga kjo ikje, por ajo u dobësua edhe më shumë nga Edi Rama, që e çoi PS-në në ndarjen tjetër të radhës e krijimin e PS -91 dhe se, ai nuk ka forcë për të bërë opozitë të fortë. Meta deklaroi se Partia Socialiste nuk ka më asgjë, domethënë, ajo nuk i ka strukturat e saj, që nga qendra deri në bazë, por ka një sundimtar - Edi Ramën. Në klimën e konsensusit të dy partive kryesore për Kodin e ri Zgjedhor, LSI shqiptoi kundërshtimin, shkallëzoi retorikën, përsëriti paralajmërimet dhe e radikalizoi sjelljen me grevën e urisë e protesta, edhe pse dyshuese nëse mund të ndryshonte gjë me to. Por, aspak dyshuese në shfaqjen hapur të synimit për të marrë përparësinë, nëpërmjet krijimit të mendimit ndër zgjedhës se, LSI është opozita kryesore dhe e vërtetë e së majtës, si dhe duke e paraqitur kompromisin për Kodin e ri Zgjedhor një goditje të votës së lirë të shqiptarëve. Edhe duke mos arritur të pengojë, beson se me këto sakrifica forcon vetveten si opozitë, me qëllim që, në zgjedhjet e ardhshme, ta zbresë PS nga kreu e ta kthejë në forcë të dytë politike të së majtës, kurse LSI të bëhet e parë. Kjo mbetet të verifikohet nga zgjedhjet.
LSI, pavarësisht nga deklarimet se do t’i fitojë zgjedhjet, se do të marrë pushtetin, ajo e njeh forcën e shumicës së djathtë por, nëpërmjet grevës së urisë dhe protestave, besoi se do t’ia prishte imazhin qeverisës, përpara tri shpresave të afërta të mëdha: Anëtarësimi në NATO. Kërkesa për marrjen e statusit të vendit kandidat për në Bashkimin Europian. Heqja e vizave me vendet e BE.
Demokratët janë shprehur drejtëpërdrejtë: Nuk mund të futen midis të majtës së përçarë, sepse ky është problem vetëm i tyre dhe se shumica e kishte për detyrë të arrinte konsensusin me opozitën kryesore e, kryesore si opozitë është PS, e bërë e tillë me votën e popullit. Ndërsa ardhja e mundshme në pushtet e LSI mbetet alibi. Synimi i besueshëi i saj është shndërrimi në opozitë kryesore, dhe se, Ilir Meta arsyetohet brenda partisë që, ka fituar tiparet dhe autoritetin e kreut të opozitës së vërtetë, përballë Edi Ramës, i cili, duke qenë kryebashkiak mori dhe kreun e PS, por nuk mbeti as kryebashkiak e nuk u bë as lider i opozitës. Kurse socialistët mendojnë ndryshe: Meta, për shkak të mbivlerësimit të gabuar të fuqisë së LSI, zgjodhi gabim radikalizmin si mjet, kohën e gabuar për përdorim dhe PS-në si objektiv të gabuar për ta goditur.
Beteja zgjedhore do të jetë e dyfishtë: e djathta për një madat tjetër, tek e majta kush do të bëhet i parë.
...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›