Benedikti XVI: Manastiret i tregojnë botës thelbësoren: të kërkohet dashuria e Krishtit

Manastiret janë oaze shpirtërore që i tregojnë botës thelbësoren: “Të kërkohet Krishti dhe asgjë të mos vijë përpara dashurisë për Të.” Këtë pohoi dje paradite Papa Benedikti XVI duke pritur pjesëmarrësit e mbledhjes plenare të Kongregatës së Instituteve të jetës së shuguruar dhe të shoqërive të jetës apostolike, kongregatë e cila sivjet feston 100-vjetorin. Këtë vit mbledhja plenare e dikasterit u përqëndrua rreth temës tepër të dashur për Papën: të qenit murg. Benedikti XVI vuri në dukje rëndësinë e jetës murgare në histori duke nënvizuar qëllimin e saj: “Të kërkojë Zotin e ta kërkojë nëpërmjet Jezu Krishtit që na e zbuloi (Gjn. 1,18), ta kërkojë duke e ngulur shikimin tek ajo çka është e padukshme dhe e përjetshme (2 Kor. 4,18) në pritje të ardhjes plot lavdi të Shpëtimtarit (Tt 2,13)”. Kështu manastiret bëhen oaze shpirtërore, që i tregojnë njerëzimit parësinë absolute të Zotit përmes adhurimit të vazhdueshëm të “pranisë hyjnore të mistershme, por të vërtetë në botë” në një bashkësi vëllazërore ku jetohet sipas “urdhërimit të ri të dashurisë dhe të shërbimit të ndërsjelltë, duke përgatitur kështu dukjen përfundimtare të bijve të Hyjit: “Kur murgjërit e jetojnë Ungjillin në mënyrë radikale, kur ata që i janë përkushtuar jetës krejtësisht kundruese ushqejnë në thellësi lidhjen martesore me Krishtin... atëherë të qenit murg përbën për të gjitha format e jetës rregulltare dhe të shuguruar kujtesën e asaj çka është thelbësore dhe që ka përparësi në çdo jetë të pagëzuar: të kërkojë Krishtin e asgjë të mos vijë përpara dashurisë së tij”.
Frattini flet për gjendjen e të krishterëve në Irak/Edhe dje ditë dhune në Irak. Tre vetë janë vrarë e 19 të tjerë, ndër të cilët tre policë, janë plagosur nga shpërthimi i bombave në Bagdad. Po në kryeqytetin irakian, mijëra vetë manifestuan kundër marrëveshjes për sigurinë, nënshkruar nga qeveria irakiane me SHBA-të, e cila parashikon tërheqjen e trupave amerikane deri në vitin 2011. Dje, presidenti irakian Talabani siguroi një impenjim më të madh në mbrojtje të bashkësive të krishtera, duke propozuar gjithashtu edhe pjesëmarrjen e tyre politike në këshillat provinciale. Deklarata këto, të bëra gjatë bisedimeve me ministrin e jashtëm italian Franko Fratini: Anëtarët e bashkësisë së krishterë priren të largohen nga vendi. Kjo, nga njëra anë, po krijon një perceptim të qartë në qeveri dhe në presidencën e Republikës, përsa i përket interesit strategjik, kulturor, fetar, e madje edhe politik, që të krishterët të qëndrojnë e të mbrohen nga shteti. Kryeministri i Irakut më tha se mbrojtja e të krishterëve është detyrë e jo favor i qeverisë. “Unë mund të them se kam disa të dhëna mbi gjendjen e të krishterëve në Irak, thotë ministri Frattini në një intervistë për Radio Vatikanin. Qeveria e re e Irakut, që po përballon një fazë të rëndësishme tranzicioni, ka në gjirin e vet dy ministra të krishterë e dy zv-ministra. Njëri ndër ta është ministri i fuqishëm i industrisë. Përsa u përket administratave lokale, mund të them se presidenti Talabani dëshiron të ndërhyjë në ligjin e ri zgjedhor, duke dyfishuar praninë minimale të garantuar të të krishterëve, që parashikon ky ligj.
Përfaqësuesi i Vatikanit në OKB: Jetojmë në një botë ku është më e thjeshtë të gjesh armë sesa ushqim/Pasojat tragjike të trafikut të paligjshëm botëror të armëve kërkojnë nga bashkësia ndërkombëtare të dyfishohet impenjimi për të krijuar mekanizma të reja kontrolli. Kështu u shpreh Nunci Apostolik, Imzot Çelestino Miljore, Vëzhgues i Përhershëm i Selisë Shenjte pranë OKB-së dje, në Nju Jork, mbi debatin për ruajtjen e paqes dhe të sigurisë nëpërmjet çarmatimit. “Mungesa e normativave dhe e veprimeve konkrete për ta ulur vëllimin e tregtisë së armëve në nivel botëror ka krijuar një botë në të cilën është më e thjeshtë të gjesh armë sesa ushqim, strehim e arsimim.” Ky qe denoncimi pa doreza i Imzot Miljores që pranoi se rezoluta e Asamblesë së fundit të Përgjithshme të OKB-së titulluar “Drejt një traktati mbi trafikun e armëve”, përfaqëson një hap përpara, por kërkon që edhe impenjimi të dyfishohet. Në denoncim u nënvizua se vetë lehtësia me të cilën gjehen armët përbën shkakun e parë që “tensionet e vogla të shpërthejnë menjëherë në konflikte ose konfliktet të zgjaten”. Imzot Miljore përmendi edhe denoncimin e një delegati afrikan në selinë e Kombeve të Bashkuara, sipas të cilit “për çdo afrikan ka shtatë fishekë të paligjshëm dhe tri armë të gatshme”.
...