E Diel, 1 Nëntor 2026

Basha: Qeveria përmbushi standardet, PS po bllokon transparencën, se ka bërë krim elektoral

31-07-2013 / Gazeta 55

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha, në takimin e parë me ambasadorin e BE-së, Ettore Sequi, ka denoncuar bllokimin e procesit të transparencës së zgjedhjeve, prej Partisë Socialiste, si një palë e interesuar për të mos zbardhur krimin elektoral. Kreu i PD-së theksoi se “transparenca e plotë e zgjedhjeve të 23 qershorit i pret rrugën elementit kriminal dhe kthen besimin e qytetarëve tek vota” 
PD, e vendosur të mbrojë administratën dhe institucionet publike nga revanshi i mazhorancës së re
 
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha zhvilloi dje një takim me ambasadorin e Bashkimit Europian, Ettore Sequi. Në ketë takim zoti Basha ka siguruar ambasadorin Sequi dhe gjithë partneret europian për vendosmërinë e PD-së për të vijuar rrugën e saj si forca kryesore europianizuese dhe e vokacionit perëndimor të shqiptarëve. Zoti Basha tha se PD do të japë të gjithë kontributin e saj që Shqipëria të marrë sa më parë statusin e vendit kandidat i cili u penguan nga PS me mos votimin e 3 ligjeve. “Sigurova ambasadorin Sequi për përpjekjet e vazhdueshme të Partisë Demokratike sot por edhe me fillimin e sezonit të ri parlamentar për tu angazhuar fuqishëm në mënyrë që rrugëtimi, drejt marrjes së statusit kandidat dhe hapave të tjerë, të jetë sa më i shpejtë, duke vazhduar rrugëtimin tone mbi trashëgiminë që kemi deri tani. PD do të jetë forca politike që do të japë gjithçka sot në opozitë dhe nesër në mazhorancë për vazhdimin e rrugëtimit tonë për në destinacionin final që është në fakt edhe një nga porositë gjenetike të Partisë Demokratike “Ta bëjmë Shqipërinë si gjithë Europën”. Në takimin me ambasadorin e BE-së, zoti Basha ka shprehur shqetësimin e PD për problematikën e hasur në zgjedhjet e 23 qershorit ku transparenca e votave për qarkun e Lezhës dhe të Shkodrës vërtetoi deformimin e vullnetit të zgjedhësve. “Diskutuam për procesin e zgjedhjeve të 23 Qershorit, faktin që Partia Demokratike dhe qeveria demokratike bënë gjithçka për një proces të drejtë, të lirë, me standarde. Proces që sa i takon përgjegjësive të Partisë Demokratike dhe aleatëve të saj u ekzekutua  në mënyrë transparente sipas standardeve. U vlerësua në mënyrë të tillë nga të gjithë qytetarët shqiptarë dhe vëzhguesit ndërkombëtar. Natyrisht si çdo proces edhe procesi i zgjedhjeve të 23 qershorit kishte jo një palë, por dy palë. Ngrita çështjet e problemeve të evidentuara pas procesit zgjedhor në Qarkun e Lezhës, në Qarkun e Shkodrës, dhe në të tjera zona elektorale, ku transparenca e ardhur pas indicieve për parregullsi tregoi se në zgjedhjet e 23 qershorit, ka ngritur kokë një precedent i rrezikshëm për demokracinë shqiptare që është shpërdorimi butaforik i elementëve kriminalë në shoqëri për të deformuar votat dhe vullnetin e shqiptarëve. Ky është një precedent i rrezikshëm për Shqipërinë,i rrezikshëm për demokracinë dhe i pa pranueshëm për perspektivën evropiane të vendit. Është një precedent që diskrediton vendin në sytë e botës, është një precedent i cili diskrediton dhe dekurajon besimin e qytetarëve tek vota e lirë. Pikë së pari është e domosdoshme që të kemi një transparencë të plotë të asaj që ka ndodhur dhe çdo përpjekje për ta ndalë këtë transparencë nëpërmjet presioneve ndaj institucioneve, nëpërmjet presioneve edhe fizike ndaj përfaqësuesve të ndryshëm, siç kemi pasur rastin të dëgjojmë është e dënueshme dhe është një tregues  se përdorimi butaforik i elementëve kriminalë në zgjedhjet e 23 qershorit nuk ishte një rastësi spontane por diçka e organizuar dhe për këtë pa dyshim palët përgjegjëse duhet të marrin përgjegjësitë para qytetarëve dhe para ligjit. Partia Demokratike është e vendosur që transparenca të bëhet në mënyrë të plotë sipas parametrave ligjorë që ka Kodi Zgjedhor jo të shtyhet për kalendat greke siç u propozua dje dhe as të fshihet është konsumuar qartësisht një krim elektoral. Corpus delicti ndodhet mbi tavolinë, 1250 vota në Lezhë, 700 vota në Shkodër. Përpjekja për të mbyllur sytë apo pretenduar se ky Corpus delicti nuk është, nuk gjendet aty, pretendimi se nuk na lejohet  të shohim këtë korpus delikti për arsye procedurale të paqena dhe të shpikura me dopio standarde nën presion politik nga një Kolegj, dukshëm nën trysni, nuk i shërben aspak vendit as legjitimitetit, as mazhorancës dhe as zhvillimeve të ardhshme. Në këtë kuptim është e domosdoshme që të gjithë të angazhohen në përputhje me ligjin, në përputhje me Kushtetutën për të bërë transparencën e plotë. Partia Demokratike është e vendosur që ta bëjë këtë transparencë në mënyrë të plotë dhe të gjithanshme sikundër është e vendosur që precedenti më i rrezikshëm i përdorimit të elementit kriminal dhe futjes në Parlament të elementit kriminal të mos e lejojë të kthehet në një rregull që do ta kthente Shqipërinë vite pas në një gjeopolitikë të papranueshme për të, por nëpërmjet transparencës ti presë rrugën sot këtij fenomeni dhe të kthejë besimin tek vlerat e demokracisë, tek vlerat e barazisë së votës dhe jo transformimit nëpërmjet përdorimit të elementëve kriminalë dhe metodave që ai njeh”- u shpreh Basha. Në takimin me ambasadorin e BE, Ettore Sequi kryetari i PD, Lulzim Basha ka ngritur edhe shqetësimin për pushimet masive nga puna të punonjësve të administratës civile të paralajmëruara nga mazhoranca e re. “Në faqe interneti të partive politike mblidhen CV militantësh duke paralajmëruar pushime masive, dhe punësime masive të militantëve në administratën publike. Detyra e qeverisjes është të bëjë politika, të hartojë politika, të ndjekë politika, nuk është të spastrojë administratën dhe as të merret me punësimin e militantëve si prioritet kryesor, vendi ka prioritet të tjera. Në këtë kuptim e njoha ambasadorin me vendimin tonë për të ngritur Komisionin Kombëtar për Mbrojtjen e Administratës Publike, të shtrirë në të gjithë territorin e vendit i cili do të evidentojë rast  pas rasti, çdo rast abuziv të pushimit nga puna të punonjësve të administratës publike, e cila është një vlerë për këtë vend, një vlerë për të cilin është investuar nga Shqipëria, nga taksapaguesit shqiptarë dhe po kështu nga taksapaguesit europianë ndër vite” – theksoi kreu i PD. Lulzim Basha ka shprehur shqetësime dhe për frymën e presionit që mazhoranca e re po shfaq çdo ditë ndaj çdo institucioni publik, duke filluar nga më i larti Presidenti i Republikës, KLD, Kolegji Zgjedhor, ILDKP, AMA. “Shpreha shqetësimin tim për frymën e presionit, kulturën dhe mendësinë e presionit ndaj institucioneve, kulturë e cila për fat të keq vihet re në komunikimin e deritanishëm ndaj drejtuesve të mazhorancës së re në raport me pothuajse çdo institucion publik, duke filluar nga më i larti Presidenti i Republikës, Këshilli i Lartë i Drejtësisë, Kolegji Zgjedhor, ILDKP, AMA, e shumë e shumë institucione të tjera ku duket se ka një revansh verbal i cili duhet të frenohet menjëherë sepse është një mendësi e tejkaluar për shqiptarët dhe nuk mund të tolerohet në vitin 2013. Partia Demokratike qëndron dhe do të qëndrojë fuqishëm në mbrojtje të institucioneve dhe jam i bindur se do të kem mbështetjen e gjithë partnerëve tanë europianë dhe euroatlantik”- tha Basha.
Ai deklaroi gjithashtu se e ka siguruar ambasadorin e BE, për rolin konstruktiv të Partisë Demokratike, në mbrojtje të trashëgimisë së saj, në raport me Integrimin Europian, dhe në përgjigje të pritshmërive të qytetarëve shqiptarë për një proces të Integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian, bazuar mbi meritë, bazuar mbi performancë, dhe që na obligon të gjithëve sigurisht në radhë të parë mazhoracën e 23 qershorit, që të sillemi me dinjitet dhe në përputhje me dëshirat e qytetarëve tanë, çka do të thotë ne përputhje me normat dhe standardet evropiane në çdo hap që hedhim dhe çdo aspekt të veprimtarisë tonë.


Basha dhe Sequi i përgjigjen interesit të mediat

Z.Sequi, ç’mund të thoni për kontestimet e Partisë Demokratike?
Ambasador Ettore Sequi: Besoj se ju keni liderin këtu dhe mund të pyesni kryetarin në lidhje me pozicionin e Partisë Demokratike.
 
Z.Basha, me formimin e Grupit Parlamentar do të prisni të ngrihet strukturat e tjera të Partisë Demokratike apo kjo do të ndodhë më pas?
Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha: Mendoj se mesazhet e sotme në raport me takimin me përfaqësuesin më të lartë të Bashkimit Europian në vend, ambasadorin Sequi, janë të qarta dhe mese të mjaftueshme. Për çdo çështje tjetër do të kemi komunikime të tjera.
 
Z. Sequi, porsa i përket certifikimit të zgjedhjeve, keni ndonjë koment, pasi po vazhdon të vonojë procesi, pavarësisht se kemi një tërheqje të Partisë Socialiste për qarkun e Lezhës...
Ambasador Ettore Sequi: Ashtu siç e kam thënë dhe kolegët e tjerë e kanë thënë po ashtu, për shembull, kolegu italian, ambasadori Galliani është e rëndësishme të kemi një përmbyllje në kohë, normale të procesit elektoral. Ne jemi në stinën e verës, vera nuk do të zgjasë shumë, ndonjëherë është edhe nxehtë dhe nuk kemi shumë kohë përpara Raportit të Progresit në tetor dhe takimit të Këshillit të Europës në dhjetor. Pra, çfarë mund të ndihmojë për një përfundim normal të procesit elektoral është e rëndësishme.
 
Z.Sequi, ju kishit përpara kryetarin e ri të Partisë Demokratike, ndërkohë keni Partinë Demokratike si forcë opozitare tashmë dhe jo si forcë mazhoritare. Si e shikoni ju personalisht këtë situatë dhe Brukseli, patjetër, në këtë konfiguracion të ri politik në Shqipëri?
Ambasador Ettore Sequi: Opinioni nga Brukseli është gjithashtu shumë miqësor ndaj Shqipërisë. Konfigurimi politik i vendit është padyshim rezultat i dëshirës së njerëzve dhe jo dëshirës së Brukselit. Brukseli është mjaft i interesuar për procesin e reformave i cili do të bënte të suksesshme rrugën e integrimit europian. 

Z. Sequi si e vlerësoni garën e PD-së dhe liderin e ri?
Ambasador Ettore Sequi: Pra siç e di dhe unë, siç e dini edhe ju ne kemi një kryetar të ri të PD.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›