E Diel, 1 Nëntor 2026

Basha Qytetar nderi i Prishtinës: Lufta e UÇK nuk mund të njolloset

lulzim bashaKryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha u nderua dje me titullin, Qytetar nderi i Prishtinës. Ky titull ju dha Bashës nga kryetari i komunës së Prishtinës, Isa Mustafa në nder të 11 Qershorit, ditës së çlirimit të Kosovës. Gjatë fjalës së tij, Basha tha se është një nip nga Kosova ndërsa vlerësoi pavarësinë e Kosovës dhe rolin e Shqipërisë në realizimin e saj.
Pavarësia
Shpallja e Pavarësisë së Kosovës, tek e cila kurrë skishim dyshuar, dhe për të cilën paguam një çmim të lartë, donte edhe ajo punën e saj të përkushtuar dhe Shqipëria politike qëndroi aty ku e kishte vendin, në rreshtin e parë të lobimit ndërkombëtar, si pjesë boshtore e një kombi të vetëm, për të bërë me përpikmëri të gjithë detyrat e gëzueshme, që koha kish shtruar për zgjidhje, Pavarësinë e përjetshme të Kosovës, u shpreh Basha. Lulzim Basha u ndal edhe në procesin e anëtarësimit të Shqipërisë dhe Kosovës në Bashkimin Evropian. Koha e kombit tonë evropian, për tu ulur edhe institucionalisht në tryezën e Evropës si vende anëtare po vjen e po afrohet me shpejtësi dhe ne të gjithë më shumë se kurrë duhet të punojmë së bashku. Tirana po ndryshon e segment pas segmenti po kthehet në një qytet modern e evropian. Kështu e shoh, e ndiej dhe e prek se po ndodh edhe në Prishtinë. Ne po integrojmë me sukses kulturën tonë të lashtë e shumë të veçantë me trendin kozmopolit të kohërave globale që po jetojmë, tha Basha.
Lufta e UÇK
Në vijim të fjalës së tij, Lulzim Basha vlerësoi rolin e UÇK-së në luftën e Kosovës ndërsa i quajti si paragjykim ndaj shqiptarëve të gjitha deklaratat që kërkojnë ta njollosin atë. Askush dhe asgjë nuk mund të njollos luftën e drejt të UÇK-së për çlirimin e Kosovës. Dhe askush dhe asgjë nuk mund të ndërhyjë dhe të përçajë atë që ne kemi së toku që është qëndrimi i njëjtë dhe pa asnjë dallim ndaj heronjve tanë, ndaj punës së tyre dhe ndaj drejtësisë së kësaj lufte. Nga ana tjetër ka pasur krime lufte, ka pasur një punë për ti evidentuar ato dhe unë ndjehem krenar që kam qenë pjesë e kësaj përpjekje. Çdo përpjekje për të demonizuar këtë luftë është primitive dhe ka në thelb paragjykime ndaj shqiptarëve, deklaroi kryebashkiaku i Tiranës, Lulzim Basha.

Nikoll Lesi: Më kërcënojnë me jetë mua dhe familjen
Kryetari i Lidhjes Demokristiane njëherësh edhe kandidat për deputet i kësaj force, Nikoll Lesi bëri të ditur se është kërcënuar me jetë nga një numër celular. Këtë deklaratë Lesi e bëri pasi dorëzoi në prokurori kallëzimin penal duke thënë se po kërcënohet ai së bashku me familjen e tij, ndërsa ka bërë publik edhe numrin që sipas Lesit po dërgon kërcënimet. Nikoll Lesi garon për deputet në qarkun e Tiranës nën siglën e partisë Lidhja Demokristiane pjesë e koalicioni Aleanca për Punësim, Mirëqenie dhe Integrim.

Dojaka: Do marrim katër deputete
Kreu i Aleancës Popullore, Artur Dojaka ka vijuar takimet elektorale në qarqe të ndryshme të vendit për zgjedhjet e 23 qershorit. Ditën e djeshme, kreu i AP-së ka zhvilluar takime me mbështetësit e Aleancës Popullore në Elbasan. Dojaka tha se Elbasani është një nga qarqet me mbështetje të gjerë qytetare për Aleancën Popullore. Kreu i AP-së deklaroi se çamët e kanë bërë tashmë zgjedhjen e tyre për 23 qershorin. Gjatë takimit me mbështetësit në Elbasan, Dojaka tha se Aleanca Popullore do të përfaqësohet me 4 deputetë në Kuvendin e ri pas 23 qershorit. Në Qarkun e Elbasanit, Aleanca Popullore përfaqësohet nga Erion Softa. Partia Aleanca Popullore është pjesë e koalicionit Aleanca për Shqipërinë Europiane. Ajo ka në thelbin e saj si qëllim mbrojtjen dhe promovimin e çështjes kombëtare dhe në veçanti zgjidhjen e çështjes çame.

Ambasadorët e BE apel politikës: Shmangni dhunën
Ambasadorët e Bashkimit Evropian në Tiranë kanë bërë apel për të shmangur dhunën gjatë fushatës elektorale. Në një deklaratë për mediat ambasadorët e BE-së theksojnë se po ndjekin nga afër fushatën elektorale ndërsa kërkojnë nga palët që të realizojnë zgjedhje me standarde. Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri, në marrëveshje me Krerët e Misioneve të Bashkimit Evropian në Shqipëri, dëshiron të nënvizojë se po e ndjekim nga afër procesin zgjedhor. Ndër standardet evropiane dhe ndërkombëtare që presim të zbatohen, një ndër më të rëndësishmit është shmangia e dhunës, në përputhje me pritshmërinë e qytetarëve që zgjedhjet të zhvillohen në një mjedis të qetë dhe paqësor. Ne u bëjmë thirrje të gjithë shqiptarëve të sillen sipas këtij standardi, thuhet ndër të tjerash në deklaratën e ambasadorëve të BE-së në Tiranë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›