Basha: Rama e mori mesazhin e Brukselit, shpresojmë të kthehet me mend në kokë

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha garantoi dje se opozita do të mbetet promotore e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Euriopian, për të përmbushur kriteret e Brukselit. Ai i ka kërkuar kryeministrit Rama të reflektojë ndaj mesazheve të Brukselit dhe të kthehet në Tiranë me këmbë në tokë, për të mos vijuar me gjuhën e urrejtjes
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha deklaroi dje se Brukseli i ka dhënë një mesazh të qartë kryeministrit Edi Rama në vizitën e tij të parë jashtë vendit pas betimit, duke i bërë apel atij të bashkëpunojë me opozitën, nëse do që vendit t’i hapet drita jeshile për BE. Gjatë një konference për shtyp nga selia e PD-së, Basha kërkoi nga Rama që ta lexojë mesazhin e Brukselit jo si një mesazh rutinë, por para së gjithash si një këshillë ndihmuese dhe qortuese për startin plot qëndrime përçarëse e konfliktuale në detyrën e tij si kryetar i këshillit të Ministrave. Kreu i PD garantoi se opozita nuk do të jetë në asnjë moment pengesa dhe problemi i integrimit të vendit tonë në BE, por do të jetë promotor i këtij procesi. “Edi Rama mori në Bruksel, mesazhin e qartë për të bashkëpunuar ngushtë me opozitën e vendit të tij. Në emër të Partisë Demokratike falenderoj miqtë dhe partnerët e Shqipërisë në Bashkimin Europian për këtë mesazh kuptimplotë dhe për vendosmërinë e tyre konstante në mbështetje të aspiratave europiane të popullit shqiptar. Me këtë rast dua të siguroj edhe një herë përfaqësuesit më të lartë të Bashkimit Europian në Bruksel, sikurse kemi siguruar qytetarët dhe Kuvendin e Shqipërisë, se opozita e re shqiptare nuk do të jetë në asnjë moment pengesa dhe problemi i integrimit të vendit tonë në BE, se do të jemi promotorë, siç kemi qenë në qeveri, se do të votojmë çdo ligj dhe akt që shkon në përmbushje të kritereve të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Ndërkaq sot, Partia Demokratike kërkon nga zoti Rama që ai ta lexojë drejt dhe të reflektojë pa humbur kohë rreth këtij mesazhi thelbësor për fatin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian, si dhe për rolin përbashkues që duhet të luajë Tirana zyrtare në marrëdhëniet me fqinjët politikë shqiptarë në Kosovë, Maqedoni dhe në trevat e tjera. Ta lexojë jo si një mesazh rutinë por para së gjithash si një këshillë ndihmuese dhe qortuese për startin plot qëndrime përçarëse e konfliktuale në detyrën e tij si kryetar i ri i Këshillit të Ministrave”- u shpreh Basha. Kreu i PD theksoi më tej se zoti Rama e thelloi luftëshpalljen ndaj opozitës me deklaratën e tij paprecedentë se opozita nuk ka parë akoma se ç’është dhuna, deklaratë nga e cila nuk është tërhequr ende. “Zoti Rama i shpalli luftë opozitës në daljen e tij të parë në foltoren e Kuvendit, duke provokuar largimin e saj nga salla. Një ditë më pas provokoi braktisjen e Kuvendit të Kosovës me qëndrimet e tij ideologjike përçarëse të stampës së vjetër ndaj figurës së ndritur të arkitektit të pavarësisë së Kosovës, Presidentit Ibrahim Rugova. Në harkun e njëzet e katër orëve, provokoi braktisje nga dy sallat e parlamenteve kombëtare, një rekord që nuk e ka asnjë kryeministër.
Në vend që të nxirrte mësime përgjatë debatit parlamentar, ai e thelloi më tej luftë shpalljen ndaj opozitës me deklaratën e tij paprecedent se opozita nuk ka parë akoma se ç’është dhuna, deklaratë nga e cila nuk është tërhequr ende”- tha ai. Gjithashtu, Basha dënoi edhe vendimin e Ramës për të hequr nga institucionet shtetërore, portretin e Presidentit të Republikës. “Në vrapin e tij drejt godinës së qeverisë, akoma pa u tharë boja e firmës së betimit para Presidentit të Republikës, nxitoi të hiqte portretin e tij në shkelje flagrante të Kushtetutës dhe në shenjë urrejtje politike ndaj Partisë Demokratike si forcë politike që kandidoi Presidentin e Republikës. Kjo nuk është rruga për të shkuar në Europë. Shqiptarët nuk harrojnë se Edi Rama bllokoi integrimin e vendit si opozitar. Me veprimet konfliktuale dhe përçarëse që po kryen ai po rrezikon të bllokojë përsëri, kësaj radhe si qeveritar kundër opozitës së vendit. Uroj që nga Brukseli të kthehet me mend në kokë dhe këmbë në tokë e të heq dorë nga konfliktualiteti dhe fryma përçarëse e urrejtjes ndaj opozitës”.