Urdhrat politike, dhunë mbi Policinë e Shtetit
Brenda dy ditësh, ministrat e Edvinit shpallën se njohin vetëm qeverisjen e strukturave shtetërore, sipas urdhrave politikë. Policia e Shtetit është vendosur nën trysninë publike të qeverisë, e cila po e përdor atë, si forcë shantazhuese në Tiranë, Vlorë e gjetkë. Cenimi i pavarësisë së Policisë së Shtetit klasifikohet si një shkelje që do i çelë rrugën një klime hakmarrjeje në të gjithë piramidën, duke rrezikuar një cenim të kohezionit shoqëror
Lajmi/ Në Vlorë Rama i përvetëson Shpëtim Gjikës edhe ruspën, e hedh si mish për top përballë banorëve
Edi Rama po kryen një hakmarrje të ftohtë ndaj Policisë së Shtetit. Në ditën e dytë të punës ministri i Brendshëm Sajmir Tahiri u ka bërë të ditur drejtuesve të Policisë se janë në “provë” sikur të jenë në ditën e parë të punës me kontratë. Në çdo takim me drejtues të komisariateve apo në drejtorinë e Përgjithshme, zyrtarëve të lartë iu sugjerohet “nga një mik që iu do të mirën” të japin dorëheqjen në të kundërt do të përballen me furinë e kreut të ri të dikasterit të rendit. Dhe kjo u pa në ditën e parë të punës, ku ministri i brendshëm socialist Tahiri ka përpiluar listat e transferimeve dhe shkarkimeve nga detyra të shumë funksionarëve të lartë të Policisë së Shtetit që gabim të vetëm kanë bërë është zbatimi i detyrave dhe urdhrave. Goditja e zëvendësdrejtorit të Policisë së Tiranës dhe transferimet në qytete të tjera të drejtuesve të parë të policisë janë lojëra infantile që dëmtojmë strukturën e institucioneve zbatuese të ligjit. Rama edhe pa qenë kryeministër ka lëshuar akuza të forta në drejtim të krerëve të policisë së shtetit duke i quajtur si “persona të veshur me imunitet që kontrollojnë me radio policie rrugët e kontrabandës”.
Kuptohet vetiu profesionistët e zbatimit të ligjit, që luftojnë krimin e organizuar dhe ordiner, janë prej dy ditësh nën presionin psikologjik të një ministri të papërgjegjshëm që inkurajon nënshtrimin pa kushte të uniformave blu për motive të dobëta politike. Kjo u pa edhe në dërgimin e policëve pa kurrfarë urdhri ligjor të dublojë struktura vendore tek fakulteti Ekonomik për të sekuestruar një ndërtesë që është në radhë të parë pronë private dhe në radhë të dytë ka leje për zhvillimin e pronës së tij dhe me vendimin e ndërmjetëm që gjykatat ka dhënë ai e ka ndërtuar pronën. Koncepti për Policinë e Shtetit për kreun qeverisë Rama si duket qenka ajo Policisë bashkiake kur qeveristë kryeqytetin, ku uniforma ishte një armë selektive për gjoba dhe pjesëmarrje në protestat e opozitës.
Afërmendsh këto trazime të para të Edi Ramës dhe Sajmir Tahirit në Policinë e Shtetit janë shenjat e një hakmarrje të ftohtë që i rrënjët në ngjarjet decisive për shtetin shqiptar. Sidozot Rama e Tahiri po kryejnë një hakmarrje me telekomandë sepse ishin forcat e rendit që ndaluan “pushtimin” e kryeministrisë me 21 janar 2011. Ngjarjet e 21 janarit, kur u sulmuan në mënyrë të dhunshme institucionet e shtetit jo vetëm treguan performancën profesionale të policisë në mbrojtje të ligjit, në mbrojtje të institucioneve, në mbrojtje të dinjitetit të shtetit, por edhe të realizimit të detyrës përmes një niveli të lartë profesional. Ai e sulmon policinë pasi ajo bën detyrën kushtetuese, dhe kur ndalon e shoqëron djemtë e deputetë dhe deputeteve socialistë/e të përlyer në kundravajtje penale, e plagosje e tentativë vrasje.
Edi Rama dhe Sajmir Tahiri e kanë nëpërkëmbur shumë herë dinjitetin e Policisë së Shtetit. Gjatë dy viteve të fundit Rama e Tahiri udhëhoqën një fushatë denigruese për punën e Policisë së Shtetit duke shpërndarë panik falas nëpër televizione. Edi Rama deklaronte se policia e kishte humbur luftën me krimin, ndërsa policia po luftonte krimin, duke përhapur një disfatizëm të panevojshëm. Kryeministri i ri duhet të kuptojë se Policia e Shtetit ka nevojë për mbështetje të përgjegjshme për të bërë më mirë punën kundër krimit ordiner dhe të organizuar, korrupsionit apo shkeljeve të ligjit. Kuptohet vetiu është vonë për të ndryshuar staturën morale dhe etike të një politikani që ka 13 vjet në zhvlerësim të punës së të tjerëve.