Basha: Rinia e kryeqytetit po bën krenare Shqipërinë
Çelet konkursi i shkollave të mesme të Tiranës në Art dhe Sport, organizuar nga bashkia e Tiranës. Berisha: “Në 4 vitet që vijnë, në çdo shkollë 9-vjeçare, në çdo komunë të Shqipërisë terrene sportive”
Kryeministri Berisha përshëndeti dje pasdite hapjen e konkursit të shkollave të mesme të Tiranës në Art dhe Sport, aktivitet ky i organizuar nga bashkia e Tiranës në bashkëpunim me Këshillin Rinor Bashkiak dhe Drejtorinë Arsimore Rajonale Tiranë.
Ky projekt synon të sjellë një praktikë të re të aktivizimit të talenteve në të gjitha shkollat e mesme të kryeqytetit dhe skuadrave sportive. Pjesëmarrësit në këtë konkurs, nxënës nga 24 shkolla të Tiranës, do të kalojnë nëpër disa faza kualifikimi dhe në përfundim do të ketë një aktivitet lançues, si edhe një mbrëmje Gala për dhënien e çmimeve. Në një ceremoni të veçantë, të përzgjedhurit për të marrë pjesë në këto gara, nga 24 shkollat e mesme të kryeqytetit janë prezantuar në sallën e sportit “Fahrie Hoti”.
I ftuar nderi në këtë ceremoni, nga Këshilli Bashkiak Rinor ishte Kryeministri Sali Berisha.
Kryeministri Berisha i përshëndeti konkurrentët dhe i përgëzoi organizatorët për këtë iniciativë, ndërsa u shpreh se, “kjo garë sportive dhe artistike përbën një moment të madh, të veçantë në jetën e kryeqytetit tonë”.
Kryeministri Berisha e cilësoi këtë garë sportive dhe artistike, një moment të veçantë në jetën e kryeqytetit. “Ju përgëzoj që keni vendosur të merrni pjesë në këtë garë. Ju këshilloj, miqësisht, që cilido të jetë pasioni juaj, cilado të jetë fusha që ju preferoni, mos u ndjeni kurrë të plogësht para stërvitjes sportive, jepini asaj kohën, investoni për të, sepse është një investim i shkëlqyer jo vetëm për trupin, për formën, për linjat, por edhe për mendjen, për psikologjinë, për performancën në tërësi”, u shpreh Kryeministri Berisha.
Kryeministri ka premtuar se angazhimi i qeverisë për të krijuar kushte në çdo cep të vendit, në mënyrë që të rinjtë të angazhohen në art dhe sport nuk do të ndalet.
“Qeveria do të bëjë gjithçka të nxisë te ju këtë pasion, të krijojë kushtet që ju të stërviteni në sportin që dëshironi. Në katër vitet që vijnë, ne jemi zotuar të ndërtojmë në çdo shkollë 9-vjeçare, në çdo komunë të Shqipërisë terrenet sportive për nxënëset dhe nxënësit e vendit tonë”, theksoi Kryeministri Berisha.
Ky konkurs që do të zgjasë për afro dy muaj dhe që në fund do të kurorëzojë më të mirët, vjen në kuadër të iniciativave të Bashkisë së Tiranës për përfshirjen e të rinjve në aktivitetet sportive dhe kulturore në kryeqytet.
Në sport, kampionatet do të zhvillohen në tre disiplina, në volejboll (vajza/djem), basketboll (vajza/djem), minifutboll (djem). Ndeshjet do të drejtohen nga gjyqtarë profesionistë. Konkursi në art mes shkollave të mesme të kryeqytetit do të gjykohet nga një juri me personalitete të njohura të artit, si Yllka Mujo, Vikena Kamenica, Gent Korini, Gent Çoçoli, Parid Teferiçi etj.
Ky projekt synon të sjellë një praktikë të re të aktivizimit të talenteve, në të gjitha shkollat e mesme të kryeqytetit dhe skuadrave sportive. Kurorëzimi i fituesve do të bëhet në një mbrëmje gala, në muajin qershor.
Kjo nuk është një iniciativë spontane. Në një vit e gjysmë, Bashkia e Tiranës ka organizuar aktivitete të ndryshme, me pjesëmarrjen e të rinjve, si kampionati i basketbollit me shkollat e mesme, kampionati i basketbollit për shkollat 9-vjeçare “Sport Fest, “Streetball Tirana Open”, kupa “Pavarësia”, me rastin e 100 vjetorit të Pavarësisë, kampionati i minifutbollit të shkollave të mesme të kryeqytetit, etj. Për herë të parë u zhvillua Maratona Ndërkombëtare të Tiranës, “Tirana Vrapon”. Po kështu, arti dhe kultura kanë njohur një dimension të ri në Bashkinë e Tiranës. Nxënësit e shkollave të mesme janë bërë protagonistë të konkurseve në prozë, poezi, muzikë etj.
Kryebashkiaku Lulzim Basha uron pjesëmarrësit në konkurs
“Bëni krenarë Tiranën, bëni krenarë Shqipërinë!”
Kryetari i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha ka bërë të ditur edhe disa prej shpërblimeve që Bashkia ka parashikuar për më të mirët. “Më të mirët do të fitojnë dhe më të mirët po kështu do të shpërblehen nga Bashkia e Tiranës. Shkolla që do të grumbullojë më shumë stimuj dhe çmime do të përfitojë udhëtim falas në një nga kryeqendrat e Evropës. Çmime të veçanta kemi parashikuar edhe për sportistët më të mirë brenda ekipeve dhe artistët më të mirë. Po zbuloj sot njërin prej çmimeve, meqë një pjesë e mirë e juaja janë maturantë. Sportistët dhe artistët më të mirë brenda ekipeve do të shpërblehen mes të tjerave edhe me bursa të plota për të ndjekur studimet universitare në një ndër universitetet e Tiranës”, u shpreh kryebashkiaku i Tiranës, Lulzim Basha.
Duke ju uruar një garë të suksesshme, kryebashkiaku i Tiranës Lulzim Basha, ju kërkoi gjithë pjesëmarrësve në konkurs, që të bëjnë krenarë vete, Tiranën dhe gjithë Shqipërinë.
“Ju uroj një garë apo shumë gara të suksesshme, uroj që të shpalosni të gjithë vetitë tuaja me të cilat ju të dashur gjimnaziste dhe gjimnazistë bëni krenarë Tiranën, bëni krenarë Shqipërinë! Suksese!”, përfundoi Basha.