E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pafytyrësi e dyfishtë

14-04-2013 / Nga Eden Babani

Si bombë me sahat, por e kurdisur keq në prag të zgjedhjeve, krushqia politike Rama - Meta ka shkaktuar konfuzion të paparë në radhët e së majtës. Përjashto ëndrrën e kahershme të dy krushqve të rinj për largimin e Berishës nga dasma politike, deri tashti s’kemi parë asnjë përçapje që do të bashkërendonte programet e tyre elektorale, sado që koha rrjedh me shpejtësi kaskade drejt 23 qershorit. Ky fakt, sipas meje, do të ishte sinjali i parë i konfuzionit.
Që të japë votën, votuesi shqiptar duhet ta dijë paraprakisht nga do të anojë peshorja, në kahen e arritjeve të qeverisjes Berisha – Meta, të njohura pa ekuivokë edhe prej faktorit ndërkombëtar, apo në kahen e mohimit të tyre në tërësi, me pretendimin se “Shqipëria po shkon drejt greminës” dhe se “faji nuk është i Metës, por i Berishës”, siç tha Rama në “Top Story” të Sokol Ballës. Votuesi duhet ta dijë përpara se të japë votën nëse Meta do ta thithë Ramën në rrugën e integrimit apo ky Metën në atë të bllokimit. Ndërkohë, s’besoj të ketë votues të pavendosur për shkak të emocioneve që ka shkaktuar këtu e dy vjet e ca 21 janari. Gjithçka është e qartë. Me të drejtë, vetë Rama e sqaroi gazetarin Balla se cilido që mendon se, duke shkuar drejt këtij bashkimi, ai (Rama) e “ka harruar apo e ka anashkaluar 21 janarin, gabon...”  dhe se bashkimi i tij me Metën “është e vetmja fuqi që e garanton 21 janarin si një çështje që s’mund të mbyllet si farsë...” Shpjegimet me “sepse..., sepse... e sepse...”, bëjnë efektin e kundërtën të drogës që shpërndan falas për të  qetësuar familjet e viktimave, të zhgënjyerit etj. etj. Çifti Meta - Rama, si dy protagonistët e ngjarjes së përgjakshme të fillim-vitit 2011, janë në marrëdhëniet shkak-pasojë me njëri-tjetrin.
Një femër e pasionuar, thotë Stendali, mund ta falë pabesinë. Në rastin Meta - Rama, i pari dy herë kryeministër, i dyti asnjëherë, pasioni i ndërsjellë për karrigen kryeministrore, nxiti falje pasiononte të ndërsjella, me synimin e padyshimtë që njëri të eliminojë tjetrin politikisht.
Ja sepse, në kampin e majtë ca e pranojnë amalgamën PS – LSI, ca jo. Ja sepse, në konfuzionin që ka përfshirë të majtën, njëri i bie gozhdës, tjetri patkoit.
I pari ndër zjarrvënësit, miopi politik Rama, përpiqet të zbutë efektin goditës në radhët e militantëve të vet, me gjithçka i vjen për duarsh: lutet e përgjërohet ta dëgjojnë edhe ata që s’duan të dëgjojnë, gënjen e përbetohet ta besojnë edhe ata që s’e besojnë, intrigon e digjet që të shkatërrojë institucionet (KQZ-në, bie fjala), shan e mallkon me zhargon rrugaçësh kë mund e ku mund, maskohet e shtihet qengj, duke qenë ujk i uritur politik... Zjarrvënësi i dytë, më i matur, por më i shkathët e me nuhatje tejet të mprehtë në bizneset e interes-politikës, vazhdon të luajë rolin e zholit, të cilin e zotëron deri në imtësi, dhe fërkon duart, duke iu gëzuar së ardhmes, sado e largët qoftë në kohë.
Po të anashkalonim hë për hë gjysmë-heshtjen e Metës, i cili, padyshim, nuk ushqen kurrfarë shprese për rezultatin e zgjedhjeve të 23 qershorit; ndaj edhe rezervohet ta shfaqë entuziazmin, do të vërenim se i pari, Rama, s’di ç’ flet që të qetësojë atë çka quan “popull socialist” dhe çka e konsideron pronë të vetën. Me sa duket, Rama ose nuk e di, ose do ta ketë harruar shprehjen domethënëse, “nuk lë Laroja, të hajë Baloja”. Për fatin e tij të keq, do të ketë harruar edhe krushqinë e parë politike me Nanon. Mirëpo, ç’ të bësh, do të ta bëjnë...
Megjithatë, si mjeshtër i lëpirjes së asaj që ka pështyrë, dhe i pështyrjes së asaj që ka pas lëpirë, ai po e shpërfaq gjithnjë e më haptas mjeshtërinë e vet të pështirë. Si i tillë, është i pakrahasueshëm në rang botëror. Them se do të ishte fushë pjellore për politologët e interesuar pas statistikës matematikore, t’u përkushtoheshin intervistave, konferencave të tij për shtyp, bisedave televizive, daljeve publike etj. Ç’ ka thënë njëherë, e ka mohuar herën tjetër. Çka ka mohuar herën e parë, e ka pohuar të dytën. Është rast unikal në botë. Do t’ia kalonte edhe Enver Hoxhës, i cili, nga këmishëzi, u bë këmishëkuq, nga titist, u bë stalinist, që të hidhej në krahët e Mao Ce Dunit, ta shante atë me libër shtëpie dhe t’i kthehej përfundimisht vetvetes, të bëhej enverist.
Ç’tjetër përkufizim do të kishte fjala “pafytyrësi”? Në rastin e krushqisë së re , pafytyrësinë e shoh të dyfishtë...

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›