“Edi Rama të mos i druhet vullnetit të emigrantëve”
Kryeministri Sali Berisha paralajmëron nismën për votimin e emigrantëve në 23 qershor
Kryeministri Sali Berisha, nga ceremonia e djeshme e përurimit të përfundimit të rikonstruksionit të rrugës Hotolisht – Frare, në rrethin e Librazhdit, ftoi kreun e PS, në negociata me mazhorancën, për tu dhënë mundësinë emigrantëve shqiptarë të ushtrojnë vullnetin e tyre përmes votës në 23 qershor.
Duke komentuar akuzat e Edi Ramës në një takim me emigrantë në Milano, përmes të cilave bëri përgjegjës Kryeministrin, kreu i qeverisë shqiptare Berisha, i bëri thirrje të mos i druhet votës së tyre, ndërsa garantoi se qeveria do të mundësojë teknologjinë më moderne për tu dhënë mundësinë qoftë përmes votimit on-line apo në Ambasada. “Janë me dhjetëra e mijëra emigrantë shqiptarë që vetëm për shkak të mosmarrjes së statusit nuk u njihet pensioni në vendet ku punojnë. Ndërkohë, po qe se Shqipëria do të kishte statusin, të gjithë ata do të gëzonin pensionet dhe kohën e pensioneve siç e meritojnë. Edhe njëherë i them, gënjeshtra është dobësia më ekstreme e burrit. E dëgjoja një natë, ishte në Milano, u thoshte emigrantëve, ‘nuk deshi Berisha që të votonit ju. Të dashur miq, po i them nga këtu, para jush, ‘nuk deshe ti dhe në qoftë se ti ke kthyer mendje, urdhëro ditën e hënë të biem dakord që çdo emigrant, në Itali, në Greqi dhe kudo që ndodhet, në Evropë dhe në botë, të votojë për vendin e tij, të votojë për zgjedhjet e 23 qershorit’. Gënjeshtra është ves dhe është një ves i keq i burrit. Urdhëro të biem dakord. I kemi që të gjithë në lista, një për një. Që të gjithë janë në listat e votimit. Qeveria merr përsipër, kudo që janë ata, me shpejtësi të instalojë teknologjinë më moderne, të votojnë on-line, në ambasada, të votojnë kudo që janë, të votojnë të lirë. Mos ki frikë nga vota e tyre!”, përfundoi kryeministri Sali Berisha.