Tirana, 5 orët e betejës ligjore në Kolegjin Zgjedhor
Për rreth 5 orë seancë gjyqësore, socialistët dhe demokratët kanë zhvilluar një betejë të vërtetë ligjore për ligjshmërinë e vendimit 709 të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, i cili mundësoi numërimin dhe vlerësimin e votave të gjetura në kutitë e gabuara. Ndërsa Partia Socialiste si palë paditëse, me anë të avokatëve të vet, i është përmbajtur argumenteve të saj mbi paligjshmërinë e procedurës dhe përmbajtjes së aktit, Partia Demokratike e ka përqendruar mbrojtjen e vet kryesisht në zbatimin e parimit kushtetues, për të numëruar çdo votë të hedhur nga shtetasit shqiptarë. Ndërkohë që KQZ, si palë e paditur, ka paraqitur thuajse të njëjtat argumente si dhe PD-së, duke theksuar në të njëjtën kohë dhe elementët që rrëzojnë pretendimet e socialistëve se vendimi 709 është një akt normative.
Akuza
Duke folur në emër të palës akuzuese, avokati Arjan Salati ka prezantuar në mënyrë të detajuar kërkesë-padinë, me anë të së cilës kërkohej konstatimi si absolutisht i pavlefshëm të Vendimit të KQZ-së nr. 709, datë 23.05.2011 “Për vlerësimin e fletëve të votimit të pavlerësuara dhe të panumëruara për Kryetarin, Këshillin e Bashkisë Tiranë, kryetarin e njësisë bashkiake dhe këshillin e njësisë bashkiake, të cilat aksidentalisht nuk janë hedhur në kutitë respektive të votimit të së njëjtës qendër votimi në zgjedhjet e Bashkisë Tiranë, të datës 8 maj 2011”, të vendimit të KQZ-së të datës 18.05.2011 (të miratuar në parim), si dhe anulimin e të gjitha vendimeve dhe veprimeve administrative të kryera nga KQZ-ja për rivlerësimin, rinumërimin dhe ndryshimin e tabelave të rezultateve. Ashtu si dhe në kërkesë padi, avokatët e palës paditëse i kanë ndarë argumentet e tyre në dy grupe kryesore, që kishin të bënin me anën procedurale të miratimit të këtij vendimi, si dhe anën e brendshme të tij, pra përmbajtjes. Sipas Salatit, mënyra e miratimit të këtij vendimi është absolutisht e pavlefshme, sepse ai ka formën e një akti normativ dhe për rrjedhojë kërkon 5 vota. Për këtë, ai ka sjellë në vëmendje se akti në fjalë përmban elementët e plotë të një akti normativ, siç është mënyra e votimit të tij, pra duke kaluar në tre nivele votim në parim, nen për nen dhe në tërësi. Gjithashtu, ai ka evidentuar edhe faktin se akti ka natyrë normative sepse është shterues dhe ka nxjerrë norma për trajtimin e fletëve të votimit të gjendura në kutitë e gabuara dhe që mund të përdoret në të gjitha njësitë. Ndërkohë, përsa i përket përmbajtjes, avokatët e PS-së kanë vlerësuar se procedura e përdorur nga KQZ, për të numëruar votat e gjendura në kutitë e gabuara, është i pavlefshëm sepse ky veprim nuk mund të bëhej, pa pasur më parë një ankimim. Për rrjedhojë, PS në përmbledhje të padisë së vet i kërkoi gjykatës që të shpallë të pavlefshme edhe ndryshimin e tabelave të rezultateve.
Mbrojtja
E para që ka paraqitur kundërargumentet ndaj pretendimeve të socialistëve ka qenë përfaqësuesja e KQZ-së, Dëshira Pasko, e cila fillimisht është përqendruar te natyra e këtij vendimi. Ajo i ka sqaruar Kolegjit se kemi të bëjmë me një akt normativ, duke kundërshtuar logjikën e palës paditëse se çdo akt i miratuar në parim, nen për nen dhe në tërësi është akt normativ. Pasko ka bërë të ditur se është e vërtetë, që një mënyrë e tillë votimi është karakteristike për aktet normative, por kjo nuk përjashton edhe vendimet e thjeshta që të votohen në këtë mënyrë. “Karakterin normativ të aktit, nuk e përcakton mënyra sesi votohet ai”, - tha Pasko. Gjithashtu, ajo ka theksuar se vendimi nuk është akt normativ, se nuk vendos rregulla me karakter të përhershëm, por shqyrton kërkesat individuale të disa KZAZ-ve, si dhe kërkesën e një subjekti zgjedhor, për të numëruar votat e gjendura në kutitë e gabuara. Gjithashtu, Pasko ka vlerësuar se rolin e KZAZ për Bashkinë e Tiranës e luan KQZ sepse është një njësi vendore që ka 11 KZAZ. “KQZ merr kompetencën e KZAZ për të gjitha ato kompetenca që dalin jashtë mundësive të KZAZ-ve. Një funksion i tillë është kryer deri tani nga KZAZ dhe nuk është kundërshtuar nga askush. Ka regjistruar kandidatët dhe listat e partive për këshillin bashkiak të Tiranës”, - tha Pasko. Më pas ka paraqitur argumentet kundër pretendimeve të ngritura në padi edhe avokati i PD-së, Ivi Kaso, i cili i ka kushtuar vëmendje parimit kushtetues të vlerësimit të çdo vote të hedhur në kutitë e votimit. “Parimi i votës së lirë nuk mund të çmontohet me mekanizma juridikë. Teknikalitetet procedurale nuk mund të jenë pengesë përpara vullnetit të elektoratit dhe shprehjes së votës”, - tha Kaso. Seancën e djeshme maratonë të Kolegjit Zgjedhor, për shkak të rëndësisë që kishte për garën e Tiranës, e kanë ndjekur dhe një numër i konsiderueshëm deputetësh nga të dyja krahët, si Fatmir Xhafaj, Damian Gjiknuri, Vasilika Hysi dhe Armando Subashi nga PS dhe Viktor Gumi, Dashnor Sula dhe Eduard Halimi nga PD.
Debati pyetje-përgjigje mes
gjyqtarëve dhe avokatëve të PS e PD
Tom Ndreca: PS thotë se e keni tejkaluar kompetencën e 123 dhe ju a keni vepruar si KZAZ? Tabela e nxjerrë prej jush, a është ankimuar në KQZ?
KQZ: Të ndodhur në kushtet kur 11 KZAZ… vendimi i KQZ 709 u mor kur nuk ishte mbyllur procesi i numërimit, madje në njësinë 5 vazhdonin. KZAZ i drejtohet KQZ, duke u ndodhur para një fakti se po gjenin fletë votimi për kryetarin e baskisë, por që ishin ndodhur në një kuti tjetër. Në këto kushte, këto KZAZ i drejtohen KQZ-së në cilësinë e një KZAZ-je të madhe.
Sashenka Jonuzi: Në çfarë dispozite bazohet kjo? Në faqen 3 të materialit tuaj, thoni se KZAZ-të kanë paraqitur ankesë te KZAZ-të. Tashti na thuaj se cili është shkaku që ju ka bërë që të operoni kështu?
KQZ: KZAZ e Tiranës i janë drejtuar KQZ-së me një cilësi të veçantë që KQZ luan për Bashkinë e Tiranës. Në bazë të nenit 33, KQZ i jep të drejtën vetes që të ushtrojë kompetencën e vlerësimit të votave. Pra kjo dispozitë i jep të drejtën KQZ-së, që të veprojë në rolin e një KZAZ-je të madhe. Indicia ka qenë shumë e qartë dhe e plotë për kërkesat e KZAZ-ve.
Sashenka Jonuzi: Këto kërkesa janë me shkrim?
KQZ: po kërkesat janë me shkrim dhe aty paraqitet një situatë konkrete se ku gjendeshin në atë moment.
Sashenka Jonuzi: S’kanë tabelë përfundimtare të rezultateve këto KZAZ, s’kanë marrë?
KQZ: Vendimin përfundimtar e ka KQZ-ja zonja gjyqtare.
Sashenka Jonuzi: Jo, jo, e kam fjalën për pjesën e tyre, a kishin ato të miratuar një tabelë rezultati?
KQZ: Në disa raste ato i kishin miratuar, ndaj i drejtoheshin KQZ-së se e kishin mbyllur këtë proces dhe nuk mund t’i ktheheshin më numërimit.
Tom Ndreca: Pra kanë rezultat këto KZAZ?
KQZ: Jo të gjitha.
Tom Ndreca: Si kishin vepruar nga KZAZ-të?
Arjan Salati: Donim të dinim nga data 18 deri në datën 23, çfarë veprimesh ka kryer KQZ për këtë çështje?
KQZ: KQZ ka kryer veprime se ka pasur indicie që duhet të këqyrte disa kuti votimi, ku ishin hedhur fletë votimi gabimisht. Kreu procedurën që zgjati disa ditë, deri sa u mbyll procesi në datë 23.
Arjan Salati: Mbi çbazë keni kryer këto veprime?
KQZ: ky është akti 709.
Arjan Salati: Veprimet që janë kryer para datës 23 i japin këtij këtij akti fuqi prapavepruese? Po vendimi i datës 18, çfarë vendimi është?
KQZ: Në datë 18 s’ka vendim.
Tom Ndreca: Është vendim aq sa është pasqyruar në procesverbal. Është një vendim që i hap rrugën për të administruar punën time si KQZ. A kanë dit mirë, a kanë ditur keq ta bëjnë këtë prandaj jemi mbledhur këtu për të gjykuar.
KQZ Ka një vendim që është 709.
Sashenka Jonuzi: Është një vendim i ndërmjetëm që u përmbyll më pas? Të lutem tani se pala paditëse tha që ka. Si ka mundësi që thoni se ka vendim 709 dhe s’ka tjetër?
KQZ: Vendime të ndërmjetme ka, por janë pjesë e vendimit 709.
Sashenka Jonuzi: Të lutem ne duam të dimë nëse ka, na e sillni dhe të shohim se na duket sikur po luftojmë me mullinjtë e erës. Para ca ditësh nuk pamë vendim të datës 18 sot po shikojmë, të lutem na sillni që të vlerësojmë.
Entela Prifti: A na i sjellë këto prova dhe të gjykojmë vet?
Arjan Salati: Me çfarë neni apo çfarë ligji KQZ vepron si KZAZ?
KQZ: Në tërësi Kodi parashikon që KQZ të luajë atë rol.
Tom Ndreca: S’kemi ç’të bëjmë, kështu e ka parashikuar ligji. Është KQZ ajo që nxjerr një tabelë për Tiranën. Pala e paditur thotë se ma ka dhënë ligji këtë drejtë.
Damian Gjiknuri: A ka ndodhur ndonjëherë që një KZAZ, pasi është mbyllur tabela e rezultatit. Le ta na e thotë përfaqësuesja e KQZ.
KQZ: Për shembull për zonën 39, KQZ ka kryer një procedurë të tillë.
Damian Gjiknuri: Në vendimin tuaj i referoheni dhe rekomandimeve të OSBE-ODIHR dhe me dashje është hequr një fjali, ku thuhet “Neni 123 i Kodit duhet të ndryshohet në mënyrë që votat e numëruara të përfshihen në tabelën e rezultateve”. Dua të di pse nuk është vënë kjo fjali, pse nuk është përmendur rekomandimi i saktë?
KQZ: Kjo nuk i përket KQZ-së, pasi ka të bëjë me reformën zgjedhore.
Entela Prifti: Ju Damian, si legjislativ çfarë masash keni marrë për të rregulluar këto?
Damian Gjiknuri: Nëse ne e pranojmë që s’kemi bërë detyrën atëherë….
Entela Prifti: Me çkemi dëgjuar ka pasur tentative për reformën e kodit zgjedhor dhe partia juaj nuk ka shkuar në parlament. Në KQZ, përfaqësuesit tuaj për një kohë shumë të gjatë nuk kanë qenë të pranishëm dhe të kishin parashikuar zgjidhje për situatat e tilla…..
Damian Gjiknuri: Me këtë pranohet se ne kemi bërë diçka që se lejon ligji, sepse ju nuk na keni ndihmuar për ndryshimin e ligjit.
****
Tom Ndreca: Dua një përgjigje të qartë, sipas jush, vendimi 709 a është një vendim përfundimtar apo jo?
Ivi Kaso: Po është vendim përfundimtar.
Sashenka Jonuzaj: Po veprimet e mëparshme që janë bërë para miratimit të këtij vendimi, deri në datën 23, çfarë janë?
KQZ: Janë vendime të ndërmjetme brenda vendimit 2009.
Sashenka Jonuzaj: I ka pasur KQZ tabelat e rezultateve të ardhura nga KZAZ, para se të miratonte vendimin 709, i keni ju?
KQZ: Jo nuk i kemi, se nuk janë objekt i këtij ankimi. Ato janë për vendimin 711.