Basha: Të shtunën zbërthejmë dështimet e Edi Ramës
Opozita fiton betejën e parë me mazhorancën për programin
Në përfundim të mbledhjes së grupit parlamentar demokrat, kreu i PD, Lulzim Basha kërkoi që programi i PS të vihet në dispozicion ligjërisht dhe jo nëpërmjet mediave. “Nuk lejojmë të na nëpërkëmbin”, tha Basha. “Uroj që procesi të vendosët në binarët kushtetues duke filluar me depozitimin kushtetues të programit që nuk ka ndodhur akoma. Programi qeverisës nuk është vënë në dispozicion ende në mënyrë kushtetuese, përmes Kuvendit të Shqipërisë. Opozita kërkon që materiali tu jepet në mënyrë zyrtare tu jepet nëpërmjet kuvendit dhe jo mediave, rrugë që ka ndjekur PS” - tha Basha.
Braktisja e seancës, grupi parlamentar i PD refuzon gjuhën e urrejtjes, por ky qëndrim s’duhet të merret si bojkot
Partia Demokratike mblodhi dje në mëngjes grupin e saj parlamentar ku është vendosur të marrë pjesë në seancën parlamentare të pasdites. Në një prononcim për mediat pas mbledhjes, kryetari i PD-së Lulzim Basha se programi i qeverisë duhet t’i vihet në dispozicion opozitës në mënyrë kushtetuese, përmes Kuvendit të Shqipërisë. Sipas Bashës, nuk do të lejohet as nëpërkëmbja e opozitës dhe nuk do të tolerohet as përpjekja e mazhorancës së re për t’i mbyllur gojën asaj.
“Dje pati një përpjekje antikushtetuese për të imponuar me gjuhën e arrogancës një standard të vjetër dhe të tejkaluar në raport me komunikimin me opozitën dhe një standard të ri të rrezikshëm përsa i përket mungesës së transparencës, mungesës së ballafaqimit dhe mohimit qytetarëve shqiptarë të së drejtës për të ndjekur një debat kushtetues mbi premtimet e mazhorancës së re dhe programit të saj. Qëndrimi ynë i djeshëm, i prerë për të denoncuar këtë qëndrim të papranueshëm si në formë edhe në përmbajtje, këtë hap të parë jo premtues, këtë fillim jo të mbarë nga mazhoranca e re, ishte vetëm në mbështetje të aspiratës së çdo qytetari shqiptar për një ndërveprim transparent, komunikim normal dhe në respekt të Kushtetutës dhe ligjeve të vendit. Nëpërmjet këtij qëndrimi Partia Demokratike dhe aleatët e saj mbrojtën parimet e shenjta të transparencës përgjegjshmërisë dhe llogaridhënies parlamentare, parime të cilat garantojnë qytetarët shqiptarë për seriozitetin e funksionimit të institucioneve dhe garantojnë të drejtat dhe liritë e tyre në raport me veprimtarinë e qeverisë, garantojnë dinjitetin e tyre në raport me premtimet e qeverisë karshi tyre. Kjo pra është sot, pa dyshim, një akt i cili i shërben në radhë të parë qytetarëve shqiptarë, i shërben transparencës që ua kemi borxh dhe ata e kanë të drejtë. Uroj që vendosja e procesit në binarët kushtetues të nisë një orë e më parë duke filluar me depozitimin kushtetues të programit të qeverisë, çka nuk ka ndodhur akoma”- u shpreh Basha.
Ndërsa akuzoi mazhorancës se po ndjek një standard të vjetër në raport me opozitën duke nisur kështu një fillim jo të mbarë, Basha theksoi se akti i djeshëm i ndërmarrë nga opozita është në respekt të kushtetutës dhe të qytetarëve që opozita përfaqëson në Parlament. “Sikundër, dua të përsëris, se akti i shëmtuar i djeshëm është një precedent jo premtues dhe se opozita shqiptare është e vendosur për të mos lejuar në asnjë çast nëpërkëmbjen e të drejtave themelore kushtetuese të saj dhe të qytetarëve që ajo përfaqëson, sikundër të çdo qytetari shqiptar dhe të mos pranojë kulturën e vjetër të arrogancës, të komunikimit konfliktual apo përpjekjes për ti mbyllur gojën opozitës që në rastin e parë. Ndaj uroj që ky reflektim që erdhi vetëm pas qëndrimit tonë të fortë dhe të prerë në mbrojtje të parimeve, transparencës, përgjegjshmërisë dhe llogaridhënies, të përkthehet në veprime konkrete dhe të mos pasohet nga të tjera akte dhe mendësi të vjetra të cilat jo vetëm nuk i shërbejnë transparencës, jo vetëm nuk i shërbejnë llogaridhënies, jo vetëm nuk i shërbejnë përgjegjshmërisë, por ka një dhe vetëm një synim, t’i mbyllin gojën opozitës dhe nëpërmjet mbylljes së gojës së opozitës t’i ikin përgjegjësisë para qytetarëve shqiptarë për të shpjeguar një për një atë që qytetarët sot presin më shumë se çdo gjë tjetër, premtimet e shndërruara në program dhe mënyrën se si ky program do t’i realizojë këto premtime” - tha Basha. Sipas tij, reflektimi për shtyrjen e seancës erdhi pas qëndrimit të prerë të opozitës. “Nëse qëndrimi i papranueshëm i djeshëm ishte një përpjekje për ti ikur, siç besojmë ne, transparencës nga frika e mosmbajtjes së premtimeve, apo e mosballafaqimit të premtimeve para publikut me zërin e opozitës shqiptare, atëherë i garantojmë sot përfaqësuesit e mazhorancës, por edhe qytetarët shqiptarë se opozita është e vendosur ta luajë rolin e saj në mënyrë të plotë dhe të bëjë transparencën e plotë para qytetarëve të çdo premtimi me të cilën kjo mazhorancë ka ardhur në pushtet. Sa i përket mbajtjes së premtimeve, kjo mazhorancë nuk do të ketë asnjë minutë paqe me opozitën shqiptare”.
Mbledhje e grupit të PD dje pas seancës parlamentare/Në përfundim të mbledhjes së grupit parlamentar demokrat pas braktisjes së seancës së Kuvendit, gjatë fjalimit të Edi Ramës, kryetari i PD, Lulzim Basha e cilësoi të paprecedentë seancën e djeshme. Basha tha se kryesocialisti nga foltorja e parlamentit ku do të prezantonte programin me të cilin koalicioni erdhi në pushtet, në mënyrë të paprecedentë përdori një gjuhë urrejtje dhe mllefi ndaj opozitës shqiptare. Sipas tij, ky është një akt i izoluar, por vjen në vazhdimësi pas vendimeve të djeshme për mohimin e transparencës së programit. “Sot ka ndodhur një akt i paprecedentë në historinë 22 vjeçare të historisë demokratike. Ndërkohë që pritej që Rama nga foltorja e Parlamentit ti drejtohej pritshmërisë së qytetarëve, për të detajuar programin me të cilën erdhi në pushtet, në mënyrë të paprecedentë u përdor foltorja për të lançuar një gjuhë urrejtje dhe mllefi ndaj opozitës shqiptare. Kjo mendësi e vjetër që ngrit krye me gojën e kryesocialistit nuk është akt i izoluar, por vjen pas vendimit të djeshëm të mohimit të transparencës. Rilindja e gjuhës së mllefit dhe urrejtjes ishte e vetmja alibi e Ramës për t’i ikur programit, objektivave dhe shpjegimit të rrugës si do arrihet deri aty. Grupi parlamentar i PD refuzon këtë gjuhë urrejtje, por në asnjë mënyrë nuk duhet të merret ky qëndrim si bojkot, nëse ky ishte qëllimi i fshehur i Ramës sot, nuk ja ka arritur. Sot Rama dështoi në paraqitjen e programit qeverisës dhe në transparencën dhe llogaridhënien e tij të parë më të cilën mori votat dhe risolli gjuhën e urrejtjes akuzave edhe përbaltjen. Kjo gjuhë në sallën e Kuvendit nuk do të tolerohet më nga PD dhe as nga aleatët e saj. Të shtunën, grupi parlamentar demokrat do të zbërthejë një nga një dështimet spektakolare të kryeministrit Rama. Të shtunën do të na ketë përballë për t’i kujtuar se ka përgjegjësi të përgjigjet për premtimet e bëra”- tha Basha. Ai ka paralajmëruar mazhorancën e re se nuk do të ketë paqe pa përmbushur premtimet e bëra shqiptarëve. Paraditen e të shtunës do të mblidhet seanca e radhës e Kuvendit ku do të debatohet për programin katër vjeçar qeverisës.