E Diel, 1 Nëntor 2026

Basha Te vendosur te vrapojme drejt destinacionit final anetaresimit ne BE

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha është bërë sot pjesë e maratonës së zhvilluar në Ditën e Europës me moton “Vrapo drejt Europës”. Zoti Basha i është bashkuar së bashku me ambasadorin e Komisionit Europian z. Ettore Sequi, garës me biçikleta.  Ministrja e Integrimit zonja Bregu dhe Nënkryetarja e Bashkisë zonja Tabaku u bënë pjesë e garës së vrapimit.
“Çfarë mund të themi në këtë ditë që hap siparin e muajit të Europës, përveçse jemi krenarë dhe të privilegjuar që ndodhemi sot këtu së bashku, me kaq shumë energji, me kaq shumë optimizëm, duke përfaqësuar denjësisht  zemrën e Tiranës, zemrën e kryeqendrës së shqiptarëve!? Rruga jonë nuk ka qenë e lehtë, madje shpesh me pengesa, por ne jemi të vendosur për të vrapuar, ashtu siç ju bëtë sot, për të kaluar çdo pengesë dhe për të ndërtuar këtu në Tiranë, atë që kemi ëndërruar e dëshiruar 22 vjet më parë nëpër rrugët dhe sheshet e këtij qyteti. 
Kjo dëshirë, ky shpirt dhe energjia  juaj e shton optimizmin tim,  se në një kohë të shkurtër do të vendosim standartet europiane në Tiranë, do të ndërtojmë Tiranën europiane, Tiranën e shekullit  të 21-të” , u shpreh Basha, në mesazhin e tij në këtë ditë.
Kryetari i Bashkisë zoti Basha tha se energjia e këtyre të rinjve përfaqëson energjinë  shqiptare, për të vrapuar drejt destinacionit final, anëtarësimit në BE.
“Ky shpirt i shpresës dhe optimizmit që ju demostroni këtu, është inkurajimi dhe mesazhi më i madh për të gjithë ata që janë skeptikë, për punën dhe të ardhmen tonë. Ne  sot vrapojmë  të lirë në gjithë hapësirën “shengen”, ne  sot vrapojmë  me shpirtin e shpresës drejt Europës, pasi ky është finishi ynë, ky ka qenë dhe është destinacioni ynë dhe që sot është më pranë se kurrë dhe ne jemi të vendosur për të vrapuar pa u lodhur, drejt stacionit të fundit” – u shpreh  Basha.
Nga ana e tij, ambasadori i Komisionit Europian,  Ettore Sequi shprehu kënaqësinë e tij, lidhur me organizimin e këtyre aktiviteteve. 
“Jam shumë i lumtur, që ju morrët pjesë në këtë aktivitet, pasi Europa nuk është thjesht “dokumenta” dhe gjëra që duhen arritur por është edhe ky shpirt, frymë për Europën, ka të bëjë më të jetuarit në mënyrë të shëndetshme, mjedisin, me këtë entuziam që ju keni treguar të gjithë këtu sot. Ju falenderoj të gjithë, natyrisht në fillim do të doja të falenderoja autoritetet shqiptare, vetë Kryetarin e Bashkisë i cili mundësoi këtë event, Ministrinë e Integrimit, të gjithë miqtë, sportistët që morrën pjesë, të rinjtë”, deklaroi Sequi. 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›