E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arvizu: Presidenti do ndikojë në zgjedhjet e 2013-ës

TIRANE - Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Aleksandër Arvizu në një intervistë të dhënë dje për emisionin “A Show” të gazetarit Adi Krasta në “Vizion Plus” deklaroi se mënyra se si do të zgjidhet Presidenti do të ndikojë në zgjedhjet parlamentare të 2013-ës.
Përveç televizionit publik i cili ka halle të tjera, çfarë mendoni ju se janë hapat false apo gabimet e medias shqiptare?
Pikë së pari, unë i qëndorj atyre që përmenda në editorialin me rastin e Ditës Botërorë të Lirisë së Shtypit, që u publikua në shumë gazeta dhe televizione, dhe jam shumë mirënjohës për këtë, por ka shumë gjëra pozitive. Unë takohem me shumë gazetarë. Mendoj se janë shumë të sinqertë dhe të hapur në opinionet e tyre, gjë që e vlerësoj. Kur kaloj nëpër duar gazetat apo shoh televizion, shoh një larmi opinionesh që shprehen, dhe kjo është gjë e mirë. Mendoj se informacioni thelbësor që u serviret shqiptarëve është diçka pozitive. Por mendoj, se një nga burimet më të mëdha të shqetësimit në Shqipëri është fakti se ka shumë shtrembërime. Ka më tepër shtrembërime se sa çensurë. Nuk është tamam një treg i hapur apo i lirë. Dimë se ka disa interesa biznesesh të fuqishme pas kësaj gazete apo atij stacioni, ose mbase ata janë të lidhur. Një parti ose një lëvizje politike mund të kenë lidhje por do të kesh gjëra të tilla pa kuptim si politikanë të një grupi që bojkotojnë, që shfaqen në një stacion televiziv por jo në një tjetër, ose një program fton nga një krah po nuk fton tjetrin. Ky është shtrembërimi për të cilin po flas.
A ndodh kjo për shkak të një mjedisi të pakontrolluar apo ju mendoni se ka të bëjë me zgjedhje personale apo është diçka e papërcaktuar?
Mendoj se ka të bëjë më tepër me këtë të fundit, dhe jo aq shumë me kuadrin ligjor. Ka disa probleme me strukturën ligjore gjithashtu. Mendoj se ligjet për shpifjen ose mjetet e përdoruara për të ndëshkuar njerëzit ndoshta duhet të rishihen pak më mirë. Mendoj se ndonjëherë ndëshkimi duket pak më i rreptë se sa duhet të ishte duke marrë parasysh rrethanat. Nuk dua të jem shumë kritik por për disa media, për disa gazetarë të caktuar, duket sikur janë shtojcë e një force politike. Në një demokraci, mendoj se duhet të kishte pak ndarje midis të dyjave. Në një demokraci të shëndetshme, duhet të kishte skepticizëm ndaj të gjithë politikanëve, sigurisht ndaj atyre që qeverisin vendin, por edhe ndaj opozitës.
Tani të shkojmë në Amerikë, lajmet se kryeministri dhe lideri i opozitës shkuan në SHBA, u takuan me zyrtarë amerikanë, kongresmenë, e të tjerë. Pati shumë spekulime këtu për atë që u tha dhe si u tha. Do t’ju pyes: a ishte Sekretarja e Shtetit Klinton shumë e drejtpërdrejtë, shumë e qartë me kryeminsitrin?
Është e kuptueshme që njerëzit në Shqipëri kanë pikëpamje shumë të forta politike. Edhe në Amerikë njerëzit kanë pikëpamje të forta për politikën atje. Këtu, ndonjëherë kam përshtypjen se fituesi merr gjithçka, ose, nëse nuk je totalisht me mua, je kundër meje. Pra, nuk ka rrugë të mesme, dhe, mendova me veten time, si ta shpjegoj këtë? Të flasim për Kryeministrin, për shembull. Ai admirohet nga shumë njerëz, por jo nga të tjerë. Ka disa njerëz që vijnë e më thonë, shiko, ti mbështet Sali Berishën, ti do që Sali Berisha të jetë i suksesshëm. E di se cila është përgjigja ime, ke absolutisht të drejtë. Dua shumë që ai dhe qeveria të bëjnë një punë të mirë. Dua që ai dhe PD të ecin mirë. Po kaq i suksesshëm dua që të jetë edhe z.Rama dhe që socialistët të ecin mirë. Dua që të gjithë ata të japin më të mirën e tyre, të jenë në gjendje të artikulojnë politikat e tyre, çfarë do të bëjnë ata për popullin shqiptar. Pra, nëse akuzat janë se dua që z.Berisha, të jetë i sukseshëm, përgjigja ime është, e saktë. Ju doni që z.Rama të jetë i suksesshëm; po, kjo është absolutisht e saktë.
Po cili është një mesazh i qartë nga Departamenti i Shtetit dhe institucionet e tjera?
Unë isha në takim. Kuptohet, nuk mund të futem në detaje, por mendova se Sekretarja Klinton e bëri shumë të qartë mbështetjen e plotë të SHBA për popullin shqiptar, këtë vend të mrekullueshëm dhe kontributin e sja për stabilitetin rajonal, për atë që po bën si vend anëtar i NATO-s, apo përparime që kanë ndodhur këtu në 21 vitet e fundit. Mendova gjithashtu se ajo ishte shumë e qartë në shprehjen e shpresës dhe disa nga shqetësimet tona për përparimin e ngecur në disa fusha si lufta kundër korrupsionit, shteti ligjor. Kështu pra, mendoj se mesazhet e SHBA ishin shumë të qarta.
E dini ju emrin e presidentit të ardhshëm të Shqipërisë?
Shiko, anglishtja është një gjuhë mjaft interesante. Mund ta interpretoni në dy mënyra këtë pyetje: a e di unë se kush do të jetë presidenti i ardhshëm i Shqipërisë? Ose, a ka të ngjarë që unë ta njoh personin që dotë jetë presidenti i Shqipërise, kushdo qoftë ai?
Më lejoni të jem i saktë në anglisht, dua të di të dytën.
Nuk e di. Ndoshta. Di për listën e Çanit. Nuk është vetëm lista e Çanit, por për sa i përket kësaj, shoh Kryetaren e Parlamentit Topalli, z.Nano, z.Meta është përmendur, Artur Zheji, Fatos Lubonja. E di se kush janë këta, pra, nëse është një nga këta, do të them, po, e njoh presidentin e ardhshëm. Por, duhet të jem i sinqertë. Disa nga emrat janë njerëz që s’i kam takuar kështu që pyes stafin tim në ambasadë. Kush është ky person për të cilin shkruhet në gazetë ose media?
Të pyesësh një shqiptar për një shqiptar tjetër se kush është ai, kjo nuk është ide shumë e mirë. Nuk flasim mirë për njëri-tjetrin në ambjente të tjera. Shaka...
Ajo që kuptoj nga rastet e mëparshme, personi që del president nuk është dikush për të cilin flitet që në fillim.
Pra del një as që nxirret nga mënga...
Nëse do të ishte një gar kuajsh do të ishte kali i zi, ose dikush që s’ta merr mendja, jo dikush për të cilin njerëzit flasin. Por ndoshta nuk do të jetë kështu. Mendoj se kjo është ajo që e bën interesante.
Janë ato momentet shumë mbresëlënëse kur Ambasadori Arvizu përveshi mëngët për t’u përfshirë në procesin e numërimit të votave. Pastaj, si ta them, i ulët prapë mëngët pa asnjë shpjegim?
Kjo është një mënyrë shumë interesante për të shpjeguar çfarë ndodhi një vit më parë. Dy pika. E para, në disa mënyra, politika dhe diplomacia janë dy anë të të njëjtës medalje, ku qëllimi është që të arrihet ajo që është e mundur, me disa parime morale, me disa udhëzime. Kjo nënkuopton se duhet të arrihen kompromise dhe njerëzit që nuk janë në gjendje të bëjën kompromise ndoshta nuk duhet të jenë në politikë dhe as të përfshihen në diplomaci. Së dyti, për sa i përket asaj që ndodhi vitin e kaluar, mbaj mend se në 8 maj pati një ndjenjë të madhe shprese dhe optimizmi dhe paksa ankth. Të gjithë e dimë çfarë ndodhi në ditët që pasuan. Më lejoni të eci para për të ardhur në ditët e sotme. Parlamenti ka bërë shumë përparim në reformën e kodit elektoral, rregullat e procedurës parlamentare, por tani duket se kanë ngecur paksa në çështjet që ne e dinim që do të ishin të vështira, kryesisht përbërja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, dhe mekanizmi i zgjidhjes së mosmarrëveshjeve. Domethënë, kur ka një mosmarrëveshje, apo kur duket se një kandidat kryeson me vetëm 10 vota, ose pasi një procedure gjyqësore tjetri kryeson me 86 vota, apo të tjera gjëra të tilla, kush do ta zgjidhë këtë mosmarrëveshje? Mendoj se procesi që pamë vitin e kaluar tregon se ky nuk është një proces tërësisht i kënaqshëm. Prandaj unë po shpresoj në asistencën e OSBE, ODIHR, Këshilli të Europës, Komisionit të Venecias, se do të ketë dëshirë për të gjetur një mënyrë për të përmirësuar funksionimin e KQZ-së, ndoshta duke ndryshuar përbërjen e KQZ-së ose mekanizmin e zgjedhjes së mosmarrëveshjeve. Ka vend për përmirësim.
Nëse zgjedhja e presidentit dhe zgjedhjet e përgjithshme, nëse diçka ndodh përseri, nëse votat nuk administrohen siç duhet, nëse ndodh përsëri, a do t’i vërë Departamenti i Shtetit, Ambasadori Arvizu, gjërat në vendin e tyre?
Pikë së pari, pritshmëria ime është që politikanët do t’i vënë veshin dëshirave, vullnetit të njerëzve dhe do të veprojnë më seriozitet në emër të njerëzve. Dhe ka mekanizma. Marrim zgjedhjen e presidentit për shembull. Do ta shohim se si do të zhvillohet, por, mënyra se si presidenti do të zgjidhet mendoj se do të ndikojë perceptimin e votuesve në vitin 2013, pavarësisht nëse ata mbështesin PS, PD apo një parti të tretë. Deri në një farë mase, përshtypjet e tyre do të ndikohen nga mënyra se si ky proces do të zhvillohet, në mënyrë që të jetë një lloj referendumi. Pra, unë si amerikan besoj në njerëzit që bëjnë korrigjime kur është e nevojshme. Por, sigurisht, këtu në Shqipëri, për shkak se mekanizmi institucional nuk është aq i fortë sa duhet të ishte, na duhet ende të punojmë për këtë. Përsa i përket çështjes së të qënit i drejtpërdrejtë, nga njëra anë mendoj se njerëzit hedhin sytë nga SHBA për udhëheqësi, dhe ne duhet t’i përgjigjemi kësaj. Pra, po, shpresoj dhe pres, që në rast se do të ketë probleme serioze, njerëzit të dëgjojnë atë që do të kem për të thënë dhe të thonë, ai po thotë të vërtetën, ai po flet drejtpërdrejt. Nga ana tjetër, si kryediplomati amerikan në këtë vend, ajo që unë dua është ndryshimi pozitiv. Dua që nga një situatë e keqe të dalë diçka e mirë. Sinqerisht, jam i gatshëm të sakrifikoj reputacionin tim apo reputacionin e ambasadës nëse vërtet do ndryshonte diçka. Me fjalë të tjera, nuk do të them diçka vetëm sepse mendoj se do t’i kënaqë njerëzit ose sa për të marrë një duartrokitje. Gjëja e rëndësishme është që të përpiqemi të marrim një rezultat dhe, nëse arritja e këtij rezultati do të thotë që të punohet me qetësi, ndoshta dhe me ashpërsi, të qënit i drejtpërdrejtë në takime private, nëse e mendoj se kjo është mënyra më e mirë, atëherë kjo është ajo që do të bëj. Por, shpresoj se gjatë pjesës tjetër të detyrës time këtu, njerëzit të shohin se po tregohem i drejtpërdrejtë dhe i sinqertë.

(er.nu/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›