E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kaos strategjik i vullnetshëm

Lavdosh Ferruni 

Të dielën e kaluar u gjenda në Rradhimën e radhitur si zonë potenciale e turizmit elitar. Pas dështimit për të parkuar pranë plazheve më në zë të zonës, munda të ngec tek një plazh gjysmë i egër ku nuk kish restorant, por vetëm shezlona dhe një tip tende  që ofronte kafe, ujë e ndonjë pije tjetër freskuese. Një ulli hijeplotë vetëm 5 m larg dallgëve e bënte atë copë vend shumë të dashur. Ia dola të hap të vetmen çadër të pa zënë që ishte e klasifikuar si e prishur. Pasdite ora 17:30 nisem për Tiranë. Për 50 vjet nuk më kish ndodhur ndonjëherë që para malores së vendittë njohur si Kalaja (rreth 6 km nga qendra e Vlorës) të ndeshja bllokim trafiku, ndoshta plot të tjerëve edhe mund t’i ketë ndodhur këto vitet e fundit. Teksa vetura lëvizte me shpejtësinë e këmbësorit munda të shoh i habitur se, si kish shpërthyer vetëm në pak javë moda e pallateve 4–5-katëshe nëpër shkëmbinj, që edhe pa pallate duket sikur po të bien mbi kokë. Munda të numëroj nja 20 të tillë. Golemizimi i pjesës jugore të bregdetit të Vlorës tashmë ka filluar. Në 100 metrat e pjesës zbritëse pranë kampit të Punëtorëve është i vetmi vend ku vështrimi mund të çlodhet në horizontin e pjesës veri-perëndimore të Vlorës, panoramë krejt e kundërt e pjesës shkëmbore Jugore, pylli i madh me pisha bregdetare, brez i gjerë rëre dhe asnjë ndërtim me përjashtim të ish-kampit të Pionierëve dhe depozitave të Petroliferës që po mbijnë si çiban në këtë ekosistem të virgjër. Më në brendësi të pyllit reja e dendur e tymit prej djegies së plehrave të qytetit së bashku me gërmadhat e sodës janë aty prej vitesh si mekanizma (mjaft të suksesshëm deri tani) për të mbrojtur industrinë jo shqiptare të naftës nga shpërthimi i “invazionit” turistik shumë të mundshëm dhe shumë të dëshirueshëm aty. Edhe këtë vit, me gjithë barrierat si më sipër, mijëra qytetarë, jo vetëm banorë që jetojnë përreth, por edhe nga qytete të ndryshme të vendit i janë drejtuar për plazh zonës të rezervuar për industrialistët e naftës, plazhit të Triportit. Me fillimin, vitin tjetër, të vërshimit të anijeve të naftës dhe djegies së saj në këtë vend, edhe pushuesit e këtushëm do tentojnë të kalojnë përmes vrimës së tunelit të Ujit të Ftohtë të Vlorës për pushime.
Pas bllokimit të zakonshëm të trafikut në Durrës (tek shkëmbi i Kavajës) ia dolëm që pas 5 orësh të gjendeshim në Tiranë, duke realizuar një shpejtësi mesatare rreth 30 km/orë nga Rradhima në Tiranë, edhe pse këtë sezon me më shumë rrugë autostradë. Një zhvleftësim i konsiderueshëm për cilindo pushues.
 Po pas 5 vjetëve çdo të ndodhë vallë? Për këtë nuk mund të gjesh një përgjigje në Shqipëri. Vendimmarrja shqiptare ndodhet në një kaos total, një kaos dukshëm i vullnetshëm. Në fakt, ekziston një strategji e Qeverisë e miratuar në mars 2008 dhe që quhet Strategjia Kombëtare për Integrim dhe Zhvillim 2007-2013 (SKIZH), e cila në vetvete nuk është aspak e integruar. Por ekziston dhe një Qeveri dhe një kryeministër, që i merr vendimet në bazë të ofertave më të mira që i paraqiten dhe i pëlqejnë atij. Ja dy shembuj të ditëve të fundit. Më 5 gusht, në injorim të plotë të strategjisë kombëtare të sapo hartuar, KRRTRSH vendosi t’i japë 100 ha tokë në zonën e mbrojtur të Karaburunit (duke injoruar pronarët shekullorë të zonës) një kompanie nga Sicilia për të ndërtuar një park gjigand ere, më të madhin në Evropë prej 500 MW (çudi se paskemi ditur se Shqipëria qenka mbretëresha e erërave), i tëri në funksion të tregut italian të energjisë. Tjetër. Nga kabineti i kryeministrit konfirmohet vullneti i tij për të pranuar ofertën koncesionare të pakërkuar për ndërtimin e një porti të ri gjigand kontejnerësh në Vlorë me një vlerë prej 500 milionë eurosh nga një kompani anglo–zvicerane dhe një tjetri port në Shëngjin nga një kompani italiane për transportimin  e çimentos drejt Italisë. Në strategji argumentohet saktë se “në vende të vogla si Shqipëria mund të ketë vetëm një port detar kryesor të përgjithshëm për mallrat”(faqe 44). Dhe në vazhdim thuhet: “Për rrjedhojë, rekomandohet që portet shqiptare të zhvillohen sipas avantazheve që kanë në krahasim me Portin e Durrësit, ndërkohë që ky i fundit po zhvillon më tej shërbimet dhe objektet e veta për kontejnerët, mallrat e përgjithshme dhe udhëtarët. Specializimi i porteve synon të mënjanojë dublimin e investimeve të mëdha”. Pra, kryeministrit nuk ia mbush syrin Durrësi dhe është në favor të një porti tjetër, që të jetë më i madhi në Adriatik ndoshta dhe në Mesdhe. Kështu, nga 14 porte që ka deti Adriatik në gjithë shtetet që ai lag, bashkë me portin e ri të Vlorës, Shqipërisë i bëhen 4 porte, duke ia kaluar edhe Kroacisë që ka vetëm 3 porte në një vijë bregdetare 10 herë më të madhe se Shqipëria dhe vetëm 1 port më pak se Italia e G8-ës.
Duke mbetur në këtë shkrim vetëm tek zelli kryeministror për një OK për portin e ri të Vlorës nuk mund të mos bëhen një seri pyetjesh, për të cilat Qeveria sigurisht nuk ka përgjigje. Sa territor plazhi real apo potencial do të përjashtojë nominalisht porti i ri? Ç’sipërfaqe plazhesh do të ndikojë negativisht me ndotjen që ai krijon? Sa mund të jetë dëmi në peshkim? Sa mund të jetë dëmi në ndotjen e ajrit nga oxhaqet e anijeve, po nga kamionët, numri i të cilëve do të jetë qindra në ditë? Sa do të jetë CO2 dhe gazrat e tjerë helmues shtesë nga kjo industri? Çfarë impakti do ketë në trafik shtesa e qindra kamionëve? E përmbledhur pyetja do të bëhej cili do të ishte impakti në ekonominë shqiptare i këtij investimi të huaj, krahasuar me industrinë e turizmit dhe cili do jetë impakti në mjedis?
“Vizioni i strategjisë së turizmit për Shqipërinë është që ajo të njihet si një destinacion turistik i sigurt, me vlerë të lartë, që karakterizohet nga një larmi e pashoqe e bukurive natyrore dhe kulturore e klasit botëror, në një sipërfaqe të vogël gjeografike, e menaxhuar në mënyrë të përgjegjshme mjedisore dhe sociale, lehtësisht e mbërritshme nga tregjet turistike evropiane”, shkruhet në Strategji. Në këtë vizion, pra të turizmit me vlerë të lartë, me karakteristika të klasit botëror, ndërsa Qeveria e Berishës i hap rrugë projekteve të porteve të Vlorës e Shëngjinit mbetet të konsiderohet si e tillë vetëm zona e bregdetit Jonian, kapaciteti i të cilit është mjaft i kufizuar. Në strategjinë paraardhëse të zhvillimit të turizmit deri në 2012 (miratuar me vendim Qeverie nr 517 dt 3.7.2003) hartuar me asistencë të plotë nga Republika Federale e Gjermanisë, në bregdetin e Jonit në planin afatgjatë mundësohet ndërtimi i vetëm 80 hoteleve me gjithsej 8000 shtretër.
Strategjia e re e firmosur nga Berisha synon që në vitin 2013 numri i turistëve të arrijë në 3,5 milionë, nga 2.1 milionë në 2007-ën dhe të ardhurat bruto nga turizmi të arrijnë në 2,5 miliardë euro e të punësohen të paktën 100 mijë njerëz. Nëse projekteve të porteve të rinj i shtohet skenari tashmë realist i të paktën 2 terminaleve të hidrokarbureve, Porto Romanos dhe Petroliferës, pa llogaritur terminalin e AMBO-s, terminalin e kanadezëve të Banker-Petrolium, super TEC-et me qymyr, me naftë e me gaz, centralin bërthamor e kushedi ç’tjetër, turizmi bregdetar në Shqipëri në mënyrë të pashmangshme kalon në gjendje kolapsi.  Po opozita pse hesht në këtë kaos të vullnetshëm të krijuar në drejtim të vendit? Si ka mundësi që opozita ka lejuar të institucionalizohet dhe ligjërohet sharlatanizmi “Shqipëria 1 euro”? Maxhoranca e sotme erdhi në fuqi me flamurin antikorrupsion, duke thyer flamurin e të korruptuarit Nano, i cili do të mbahet mend si pionier i “Shqipëria 1 euro” me shitjen spektakolare të 183000 m2 të bregdetit magjepsës të Vlorës. Kjo maxhorancë jo vetëm që e përqafoi krimin ekonomik të Nanos, por ia doli ta ligjërojë atë tek sanksionoi “Shqipëria 1 euro” në Ligjin për Koncesionet (ligji 9663, dhjetor 2006, neni 4), sipas të cilit Këshilli i Ministrave (d.m.th., Kryeministri, tashmë kushtetueshmërisht i plotfuqishëm) miraton listën (shitje me listë sikur të ishin zarzavate) e territoreve të Shqipërisë  që shiten me 1 euro. Kjo i kalon përmasat e skandalit kombëtar. “Shqipëria 1 euro” është futur tinëz edhe tek Strategjia Kombëtare për Integrim e Zhvillim (f12), kurse në draftstrategjinë, që do diskutohej dhe me publikun, ajo mungonte. Mos vallë pikërisht këtu, tek vlera e Shqipërisë 1 euro, qëndron mirëkuptimi i madh Nano-Berisha? Rama mbetet që të tregojë se vlera e Shqipërisë është ajo që shqiptarët e vlerësojnë atë. Dhe Rama nëse nuk e ka marrë akoma vlerësimin e tyre në “Dialogu me Shqipërinë” për këtë çështje madhore është thjesht një defekt, aspak i vogël i tij dhe partisë që ai drejton. Që defekti mos të bëhet fatal opozita duhet të kërkojë urgjentisht moratorium të koncesioneve të pa kërkuara dhe cilido lidership të ketë parasysh se publiku shqiptar i 2009-ës nuk është as ai i ‘92 dhe as ai i ‘97-ës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›