Basha: Viti 2009, viti i lëvizjes së lirë për të gjithë shqiptarët

Shefi i diplomacisë shqiptare, Lulzim Basha, deklaroi nga Brukseli, se vitin e ardhshëm, vendi është tërësisht i angazhuar për zbatimin e udhërrëfyesit evropian, me qëllim liberalizimin e vizave në një afat sa më të shkurtër. Drejtori i Zgjerimit në BE, Majkëll Leif shprehu mirëkuptimin dhe mbështetjen e ndërkombëtarëve për këtë reformë finale të kabinetit Berisha Ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Lulzim Basha e ka quajtur vitin 2009, si vitin e lëvizjes së lirë të shqiptarëve. Këtë konstatim të tijin, ministri Basha e ka bërë të ditur edhe në takimin e djeshëm, në Bruksel, me Drejtorin e Përgjithshëm për Zgjerimin në BE, Michael Leigh. Gjatë këtij takimi, Basha e njohu drejtorin Leigh me zhvillimet politike në vend, veçanërisht me reformën zgjedhore që kaloi së fundmi në parlament. Gjithashtu shefi i diplomacisë shqiptare i bëri të ditur bashkëbiseduesit të gjitha përpjekjet që po ndërmerr qeveria shqiptare në mënyrë që zgjedhjet e ardhshme parlamentare në Shqipëri të mbahen sipas standardeve evropiane. Nga ana tjetër, Ministri Basha e siguroi Leigh se qeveria shqiptare është tërësisht e angazhuar dhe e përkushtuar në zbatimin e të gjitha masave të nevojshme me qëllim që kriteret teknike të udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave të plotësohen brenda një kohe sa më të shkurtër. Në këtë kuadër, ministri Basha informoi bashkëbiseduesin për përfundimin e regjistrit elektronik të qytetarëve, prodhimin e pasaportave biometrike dhe shpërndarjen e tyre duke filluar nga janari i vitit të ardhshëm, implementimin e suksesshëm të kontrollit dhe menaxhimit të integruar të kufijve. Sipas Bashës, përparimi i dukshëm në këto fusha përbën bazën më të shëndoshë për avancimin në vitin 2009 të objektivit të Shqipërisë për lëvizjen e lirë të qytetarëve në hapësirën Shengen. Bashkëbiseduesit ndanë mendime edhe mbi perspektivën e zgjerimit të BE-së në hapësirën e Evropës Juglindore. Në takim u vlerësua implementimi pa pengesa dhe solid i marrëveshjes së ndërmjetme nga ana e Shqipërisë, ecuria e mirë e ratifikimit të MSA-ve nga vendet anëtare, si dhe ritmi i reformave të Shqipërisë në luftën ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar, konsolidimit të institucioneve demokratike dhe shtetit ligjor si dhe rritja e qëndrueshmëria e ekonomisë shqiptare. Në këtë kuadër, Ministri Basha theksoi nevojën dhe domosdoshmërinë për të intensifikuar më tej dinamikën e integrimit evropian të Shqipërisë në bashkëpunim dhe koordinim të plotë me BE-në dhe vendet anëtare. Duke u ndalur në zhvillimet në rajon, Leigh vlerësoi rolin e Shqipërisë si një faktor i stabilitetit, sigurisë dhe moderacionit në Ballkan. Për sa i takon zhvillimeve më të fundit në Kosovë, Basha theksoi edhe një herë qëndrimin e qeverisë shqiptare për vendosjen sa më të shpejtë të misionit të EULEX-it në të gjithë territorin e Kosovës, në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi, sipas parashikimeve të paketës Ahtisari. Gjithashtu, ministri Basha pati një mëngjes pune me ambasadorë të vendeve anëtare të BE-së, organizuar nga ambasadori italian, Ferdinando Nelli Feroci. Gjatë këtij mëngjesi pune Basha i njohu ambasadorët e pranishëm me zhvillimet në Shqipëri me theks të veçantë në reformat e ndërmarra dhe për përparimin në rrugën e integrimit evropian dhe euroatlantik. Ambasadorët vlerësuan këto zhvillime në Shqipëri si dhe rolin që vendi ynë luan si një faktor paqeje dhe stabiliteti në rajon. Zhvillimet në rajon, në veçanti në Kosovë, perspektiva e integrimit të plotë evropian të vendeve të Evropës Juglindore si dhe çështje të tjera në hapësirën evropiane dhe euroatlantike, ishin temat që u biseduan mes Basha dhe ambasadorëve të vendeve anëtare të BE-së. ...