Me përfundimin e ratifikimit të MSA-së, do të aplikojmë për statusin e vendit kandidat

Në një intervistë të posaçme për gazetën “55”, Ministrja e Integrimit Majlinda Bregu, Progres-Raportin e Komisionit Evropian për Shqipërinë e cilëson si raportin më të mirë të publikuar ndonjëherë për një vend që është në prag të përfundimit të ratifikimit të MSA dhe një hap pranë aplikimit për të marrë statusin e vendit-kandidat për anëtarësim të plotë në BE
Ministrja e Integrimit Majlinda Bregu, në një intervistë për gazetën “55” vlerëson edhe njëherë Progres-Raportin e Komisionit Evropian (KE-së) për Shqipërinë duke e cilësuar atë si raportin më të mirë të publikuar ndonjëherë për vendin tonë. Qeveria shqiptare e konsideron këtë raport si një dokument pune. Sipas ministres Bregu, Shqipëria është në prag të përfundimit të ratifikimit të MSA. Pasi të përfundojë ky proces do të hyjë në fuqi MSA-ja dhe Shqipëria do të marrë statusin e vendit kandidat. Ndërsa opozita duhet ta lexojë si duhet gjuhën e këtij raporti, gjuhën që flet për vullnetin politik të qeverisë të konfirmuar edhe nga ndërkombëtarët, shprehet midis të tjerave Ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu.
Si e vlerësoni raport progresin e KE-së për Shqipërinë?
Them me bindje se raporti i këtij viti, është raporti më i mirë i publikuar ndonjëherë për Shqipërinë. Ndryshe nga vitet e tjera, në Progres-Raportin e këtij viti, përbri çdo fushe përmendet fjala progres, pavarësisht se diku ai është shumë i pranishëm, e diku më pak. Gjithsesi, duke marrë parasysh rekomandimet e KE-së, qeveria shqiptare e konsideron si dokument pune këtë raport dhe veçojmë si pika të rëndësishme përfundimin e reformës në drejtësi dhe thellimin e luftës kundër korrupsionit. Megjithëse gjuha e përdorur në raport për korrupsionin në Shqipëri ishte e ngjashme me Kroacinë që është vend kandidat dhe Maqedoninë që prej 3 vjetësh ka statusin e vendit kandidat, thellimi i luftës kundër korrupsionit ka qenë dhe është në qendër të vëmendjes së qeverisë Berisha.
Nëse bëhet një vlerësim krahasues me vitet e tjera por edhe me raportet e vendeve të tjera të Ballkanit, a mund të thuhet se raporti për Shqipërinë është më pozitiv?
Nëse bëjmë një krahasim me vitet e tjera, e thashë dhe më sipër se raporti i këtij viti është më pozitiv. Po marr vetëm dy fusha, korrupsionin dhe sistemin e drejtësisë. Në vitin 2004 theksohej se korrupsioni ishte deeply rooted (i rrënjosur thellësisht); se kishte mangësi në zbatimin dhe koordinimin e përpjekjeve për të luftuar korrupsionin; mungonte kuadri ligjor ndaj dhe zbatimi i konventave ndërkombëtare të ratifikuara mbetej e varfër. Në vitin 2008 thuhet se perceptimi i korrupsionit është përmirësuar; por ai mbetet problem veçanërisht serioz; Citohet se është miratuar Strategjia ndërsektoriale për Parandalimin dhe Luftën kundër Korrupsionit dhe Plani i Veprimit antikorrupsion me masa konkrete institucionale; Nga raporti i Grupit të Shteteve e kundër Korrupsionit te Këshillit te Evropës, nga 13 rekomandime, 11 prej tyre janë plotësuar nga Shqipëria;
Për sistemin e drejtësisë në 2005-ën në raport, vërehej moszbatim i plotë i legjislacionit ekzistues për vlerësimin e punës së prokurorëve; Ndërsa në vitin 2008 vlerësohet marrëveshja për reformën ne drejtësi e marsit të këtij viti, e miratuar nga partitë kryesore politike, megjithatë evidentohet mungesa e një strategjie te qarte për këtë reforme duke mos u mjaftuar vetëm me miratimin e disa ligjeve; Raportohet një lloj progresi për sa i përket adoptimit te ligjit për organizimin e sistemit gjyqësor. Për sa i përket vendeve të rajonit, nëse marrim korrupsionin problemin tonë të përbashkët, e thashë dhe më sipër gjuha e përdorur për korrupsionin në Shqipëri ishte e ngjashme me Kroacinë që është vend kandidat dhe Maqedoninë që prej 3 vjetësh ka statusin e vendit kandidat.
Si e komentoni interpretimin që opozita i bën këtij raporti?
Në fakt, nuk do të doja që opozita të shikonte gjysmën bosh të gotës, sepse në këtë rast nuk kemi të bëjmë me një Raport-Progres që Komisioni Evropian e bën për qeverinë, por kemi të bëjmë me një raport që mat progresin e Shqipërisë. E kuptoj rolin kundërshtues të opozitës, por në këtë rast do të preferoja që ajo të njihte dhe të lexonte siç duhet gjuhën ndryshe në këtë raport, gjuhën që flet për vullnetin politik të qeverisë e të konfirmuar tashmë nga ndërkombëtarët.
Puna e suksesshme në këto 3 vite qeverisje e ka pozicionuar Shqipërinë më pranë BE-së. Por sa larg anëtarësimit në BE ndodhet vendi ynë?
Jemi në prag të përfundimit të ratifikimit të MSA-së mes BE-së dhe Shqipërisë, nga 25 vende anëtare e kanë ratifikuar 23, mbetet Franca dhe Greqia. Për sa i përket Francës, vendimi për ratifikim është në senat dhe pritet të kalojë pas disa ditësh, ndërkohë që pritet edhe Greqia të përmbyllë procedurat parlamentare të këtij procesi. Pasi të përmbyllet procesi i ratifikimit, MSA do të hyjë në fuqi dhe Shqipëria do të aplikojë për statusin e vendit kandidat
...