E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti shqiptar Bamir Topi takohet me Presidentin turk, Abdulah Gyl dhe Kryeministrin Rexhep Tajip Erdoan

Turqia ratifikon Protokollin e Anëtarësimit në NATO

Presidenti i Republikës, Bamir Topi i cili ndodhet në Turqi në kuadër të një vizite zyrtare është takuar me Presidenti turk Abdullah Gyl. Gjatë takimit të zhvilluar Presidenti i Turqisë Gyl firmosi dekretin e ratifikimit të Protokollit të Anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, i cili u miratua një ditë më parë nga parlamenti turk. Presidenti Topi shprehu mirënjohjen për këtë ratifikim, i cili dëshmon edhe një herë mbështetjen konkrete të Turqisë për aspiratat integruese të Shqipërisë. Kreu i shtetit shqiptar nuk la pa kujtuar ndihmën dhe mbështetjen e vazhdueshme të Turqisë ndaj aspiratës e përpjekjeve të Shqipërisë për anëtarësim në NATO, të cilat kanë qenë sa politike, edhe në drejtim të mbështetjes së reformimit e modernizimit të Forcave të Armatosura Shqiptare. Dy homologët vlerësuan nënshkrimin vitin e kaluar të Protokollit të Bashkëpunimit në Procesin e Integrimit Evropian midis dy vendeve, çka i shërben shkëmbimit të përvojës pozitive midis dy vendeve tona për përshpejtimin e ritmeve të integrimit të plotë në strukturat evropiane. Turqia bëhet vendi i nëntë i NATO-s që ratifikon Protokollin e anëtarësimit të Shqipërisë në Aleancën e Atlantikut të Veriut. Deri tani kjo marrëveshje është ratifikuar edhe nga Hungaria, Letonia, ShBA-ja, Lituania, Polonia, Rumania, Bullgaria dhe Sllovakia. Presidenti Topi dhe Presidenti turk Gyl nxisin intensifikimin e bashkëpunimit të gjithanshëm mes Shqipërisë dhe Turqisë.
Gjatë kësaj vizite, Presidenti Topi pati edhe një takim me Kryeministrin e Republikës së Turqisë, Rexhep Tajip Erdoan. Objekt diskutimi i këtij takimi ishte intensifikimi i mëtejshëm i marrëdhënieve ekonomike mes dy vendeve.
Gjatë takimit me Kryeministrin turk Erdoan, Presidenti Topi vuri në dukje rëndësinë e konsolidimit dhe zgjerimit të marrëdhënieve me një vend partner strategjik, si Turqia, ç’ka është një prioritet i rëndësishëm i politikës së jashtme, rajonale e më gjerë të Shqipërisë.
Nga ana e tij, Kryeministri i Turqisë Erdoan vlerësoi arritjet e Shqipërisë, reformat e në fusha të rëndësishme me qëllim arritjen dhe përmbushjen e standardeve integruese dhe përmbushjen e aspiratave të popullit shqiptar për të qenë anëtare me të drejta të plota e familjes së madhe evropiane. Në kuadër të zhvillimeve, Kryeministri turk Erdoan vlerësoi klimën e favorshme të të bërit biznes dhe rritjen galopante të ekonomisë shqiptare, theksoi nevojën e shtimit të mëtejshëm të investitorëve turq në vendin tonë, duke ftuar njëkohësisht edhe biznesmenët shqiptarë të shikojnë mundësitë e shtrirjes së sipërmarrjeve të tyre në shtetin mik turk.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›