Prokurorja Ina Rama, shefe apo vartëse e Arian Ndojës?

Po të ndjekësh aferën “Ndoja”, ke kapur në të vërtetë fillin e Arianit në raportet e Ina Ramës me ligjin dhe performancën e saj me politikën. Ndërsa ajo e mori Arian Ndojën nga avokatia e begatë qindramijëra eurosh të ardhura dhe e emëroi në Durrës. Ende pa u tharë boja e dekretimit të tij, pati dy reagime: një në strukturën e ligjit dhe një në strukturën e krimit. Në strukturën e ligjit, emërimi i tij u quajt i padrejtë, i pandershëm, I pamerituar, madje klasifikohej në valë të ndryshme, si një post që i ishte dhënë krejt miqësisht në raporte personale e miqësore, me prokuroren. Një valë më ekstreme thoshte se ky post është blerë dhe një valë më e frymëzuar akoma, nga burime ende të padala në sipërfaqe, se prokurorja do të duhej ta bënte patjetër këtë emërim. Duke u ndalur tek kjo e fundit, filli i Arianës, nga miti i Greqisë së Lashtë, të çon në ekzaminimin e reagimit të tanishëm të prokurores për të ashtuquajturën “dorëheqje” të Arian Ndojës. Dorëheqja është pranuar si akt formal, por ky do të jetë prokuror. Nga ana tjetër, i dorëhequri e paraqit vetveten si të viktimizuar dhe bën një paralele që në fakt nuk ka lidhje me institucionin e dorëheqjes së vërtetë. Prokurorja Ina Rama në vend ta respektonte dhe ta ngrinte në nivelin e shembullit të zbatimit të ligjit aktin që bënë nëpunësit e deklarimit të pasurive, duke e kallzuar këtë njeri, ajo u përpoq ta shtynte në kalendat greke, deri në skadim afatesh çështjen e këtij kallzimi, për mos me thënë që nuk kanë munguar presionet ndaj njerëzve të përgjegjshëm të institucionit të deklarimit të pasurive. Natyrisht, një sy i vëmendshëm, duke e hetuar këtë aferë, e kupton se kryeprokurorja është në siklet shumë të madh. Ndërkohë që çështja është e thjeshtë për çdo shqiptar dhe për hir të së vërtetës - dhe nga burime të rezervuara - ka qenë ndërhyrja e faktorit ndërkombëtar, ajo që e ka shtyrë të vërtetën, qoftë edhe deri këtu. Kryeprokurorja mund ta pyesë Arian Ndojën drejtpërsëdrejti, i ka të gjitha mundësitë të mësojë për synimet e largëta e të afërta të delfinit të vet, por edhe pas kësaj do të jetë shumë e vështirë të dallohet, nëse ajo është shefe apo vartëse e këtij njeriu. Është shumë e çuditshme; ndërsa kryeprokurorja firmos e vulos, orë e pa orë, për çdo rast që është antiligjor, siç janë bërë të njohura në opinion disa prej këtyre rasteve, ajo është krejt e ngadaltë, krejt e menduar, krejt e traumatizuar për t’i thënë Arian Ndojës “zotëri, përballu me ligjin” dhe “unë jam jashtë teje”. As furka të ndryshme nuk do të mundnin ta mbyllnin këtë çështje, madje rrezik, mos pëlcasin të tjera prej kësaj. Gazeta, në ditët e ardhshme, do ta hetojë dhe do ta pasqyrojë hap pas hapi, këtë zhvillim e çdo zhvillim të kësaj afere që vë në pikëpyetje integritetin e institucionit të prokurorisë dhe raportin e tij me ligjin e me politikën. Nuk ka pse ky institucion dhe kryeprokurorja të vrapojë me zellin e një komiteti partie pas aferash të prodhuara në dyert e Partisë Socialiste, në bashkëpunim me të padukshmit që duan ta hanë nga brenda këtë vend dhe suksesin apo hapin drejt së mirës, që ky bën. ...