E Diel, 1 Nëntor 2026

Basha: Vizat? Jemi mirë, pres një vendim pozitiv

Ministri i Brendshëm

Ministri i Brendshëm, Lulzim Basha, ka akuzuar dje opozitën se me protestën e 30 prillit synon të ndikojë në një vendim kundër liberalizimit të vizave me Shqipërinë. Në një seancë dëgjimore të zhvilluar në Komisionin Parlamentar të Sigurisë Kombëtare, Basha tha se "duke shprehur keqardhje për ata që kanë rënë pre e një keqinformimi krejtësisht të rremë apo kanë keqinterpretuar, apo janë mjaftuar me një vështrim apo vëzhgim të cekët për të paragjykuar stadin ku ndodhet sot Shqipëria, edhe njëherë nuk më mbetet të përsëris atë që tha komisionerja europiane Cecilia Mallstrom në KE, dy javë më parë, se 'Shqipëria ka bërë progres solid, të dukshëm në heqjen e vizave’”. Ministri i Brendshëm ka deklaruar para deputetëve të mazhorancës, pasi parlamentarët e PS-së nuk ishin prezentë se “ne presim me qetësi pas këtij raporti propozimin pozitiv të komisionit, që do t'i hapë rrugë një vendimmarrje pozitive nga Këshilli i Ministrave dhe nga Parlamenti Europian”, deklaroi ministri i Brendshëm, Lulzim Basha, sot paradite në një seancë dëgjimore në Komisionin Parlamentar të Sigurisë Kombëtare”. Basha u shpreh optimist se brenda një kohe jo fort të largët Komisioni Europian do të jepte një propozim pozitiv për heqjen e vizave, ndërsa shprehu keqardhje ndaj opozitës që, sipas tij, po përpiqet të nxijë imazhin e vendit.

Ministri i Brendshëm raportoi në komision dhe për luftën kundër kultivimit të lëndës narkotike dhe trafikimit të saj. Basha tha se rezultatet janë shumë më inkurajuese se një vit më parë. Sipas tij, janë sekuestruar deri tani 2800 kg lëndë narkotike, sa dyfishi i drogës së kapur gjithë 2009-s.
Basha theksoi në fjalën e tij se “sipas statistikave të ekspertëve, kultivimi në dy vitet e fundit ka rënë në masën 30%, si dhe shpjegoi masat që po merren për çrrënjosjen e këtij fenomeni, duke theksuar se asnjë pjesë e territorit të Shqipërisë nuk do të mbetet jashtë kontrollit të strukturave të specializuara”. Ministri i Brendshëm deklaroi gjithashtu se hidhte poshtë akuzat për vonesën e miratimit të ligjit “Antimafia”. “Një gjë duhet të kenë ndërmend ata që mund të keqkuptohen dhe ata që mundohen ta keqpërdorin informacionin kundër Shqipërisë. Shqipëria është i vetmi vend në Ballkanin Perëndimor që ka sot këtë ligj. Implementimi i këtij ligji është fokusi i autoriteteve shqiptare, po kurrkush mos të gabojë e të thotë se meqë ligji ka kaluar në janar, Shqipëria është e vonuar. Shqipëria është i pari dhe i vetmi vend në Ballkanin Perëndimor që sot disponon legjislacionin që mundëson procesin e konfiskimit të aseteve të krimit, një proces paralel me procesin penal, apo pavarësisht prej procesit penal. Kroacia po harton tani këtë ligj dhe asnjë vend tjetër në Ballkanin Perëndimor”, deklaroi Basha para deputetëve demokratë në Komisionin e Sigurisë Kombëtare.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›