E Diel, 1 Nëntor 2026

Vizat, skenari më pozitiv, fundi i tetorit

Studimi i Iniciativës për Stabilitet Europian: Tri variantet e vendimmarrjes së Brukselit

Qytetarët e Shqipërisë dhe Bosnjë-Hercegovinës mund të përfitojnë nga lëvizja pa viza në rastin më të mirë në fund të tetorit. Iniciativa për Stabilitet Europian (ESI) ka kryer një studim në raport me procesin e liberalizimit dhe përmbushjen e kritereve nga Shqipëria dhe Bosnjë-Hercegovina. Konkretisht, sot Komiteti për Drejtësinë dhe çështjet e Brendshme në Parlamentin Europian do të marrë në shqyrtim raportin e ekspertëve për monitorimin që u është bërë dy vendeve. Më pas parashikohet që Komisioni Europian të mund të iniciojë një propozim për heqjen e vizave për këto dy vende, por me kusht që të përmbushin edhe kriteret që kanë lënë pa kryer deri më tani. Në këtë etapë nuk mohohet mundësia që propozimi i pakushtëzuar të bëhet vetëm për Bosnjë-Hercegovinën. Skenari më pozitiv për heqjen e vizave për shtetasit e Bosnjë-Hercegovinës dhe Shqipërisë është fundi i muajit tetor. Propozimi në fjalë ka mundësi të bëhet në fund të muajit maj ose në fillim të qershorit.

Më 2 qershor, ministrat e Jashtëm të Bashkimit Europian do të shprehen politikisht në Sarajevë në mbështetje të integrimit dhe heqjes së vizave për Shqipërinë dhe Bosnjë-Hercegovinën. Parlamenti Europian do ta votojë propozimin në seancën e muajit shtator. Më pas nisma duhet të miratohet në mbledhjen e ministrave të Brendshëm të vendeve të Bashkimit Europian. Për këtë rast ka tri opsione: së pari mund të merret vendimi i fundit në takimin e datës 7-8 tetor (shto 20 ditë për të hyrë në fuqi); opsioni i dytë është miratimi në takimin e ministrave të Brendshëm më 8-9 nëntor (shto 20 ditë për të hyrë në fuqi); opsioni i tretë është 2-3 dhjetori dhe duke përfshirë 20-ditëshin e hyrjes në fuqi. Në skenarin më pozitiv Shqipëria mund të jetë pa viza më 27-28 tetor ose në skenarin më negativ në 22-23 dhjetor 2010. Me një parashikim optimist, ESI thotë se pas muajit tetor muri i vizave do të jetë diçka e kaluar në raport me Shqipërinë dhe Bosnjë-Hercegovinën. Në analizën që bën Iniciativa për Stabilitetin Europian rezulton se Shqipëria dhe Bosnjë-Hercegovina, në monitorimin e tyre në prill të vitit 2010, konsiderohen teknikisht më mirë se sa ishin Serbia dhe Mali i Zi në maj të vitit 2009, kur morën propozimin për heqjen e vizave. Por sërish, dy vendet e mbetura, ndonëse një vit më vonë, nuk kanë arritur nivelin e zbatimit të kritereve teknike që kishte Maqedonia në maj të vitit 2009.

ESI ka vlerësuar me koeficientë performancën e të gjitha vendeve dhe rezulton se Bosnjë-Hercegovina merr numrin 1 (maksimali) në tri blloqe të udhërrëfyesit. Përkatësisht në atë për sigurinë e dokumenteve; migracionin ilegal dhe ripranimin; marrëdhëniet me jashtë dhe të drejtat e njeriut. Në total vlerësimi në muajin prill për të katër blloqet shkon me koeficientin 1.4. Sakaq, Shqipëria ka koeficientin maksimal vetëm te blloku i parë që flet për sigurinë e dokumenteve. Në bllokun që flet për migracionin ilegal dhe për ripranimin koeficienti i Shqipërisë është 1.5. Në bllokun e tretë, ku flitet për sigurinë dhe rendin publik, Shqipëria ka si koeficient 2.5. Në bllokun e katërt, ku flitet për të drejtat e njeriut, është sërish një koeficient 1.5. Në total, vlerësimi në muajin prill 2010 për Shqipërinë në të katër blloqet shkon 1.6. Në majin e vitit 2009, kur u dha propozimi i Komisionit Europian për heqjen e vizave për Maqedoninë, Malin e Zi dhe Serbinë rezultonin këto të dhëna. Koeficienti për të katër blloqet ishte: në rastin e Maqedonisë 1.3, në rastin e Malit të Zi 1.9 dhe në rastin e Serbisë ishte 2.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›