E Diel, 1 Nëntor 2026

Basha: Vota për Berishën në 23 qershor, vazhdimësi e projekteve për zhvillimin e Tiranës

15-05-2013 / Gazeta 55

Inaugurohet Qendra e Kontrollit dhe Menaxhimit të Trafikut Urban në Tiranë

Berisha: Do bëjmë gjithçka për Tiranën Europiane – për interesat e Koços Edi Rama bllokoi projektet e zhvillimit

Tirana ka sot një nga qendrat më moderne në rajon dhe të vetmen në Shqipëri, të Kontrollit të Trafikut Urban. Në ceremoninë e inaugurimit të kësaj qendre ishin të pranishëm Kryetari i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha, Kryeministri Sali Berisha, drejtori i Zyrës së BERZH në Tiranë, Fabio Serri, zv/Kryetarja e Bashkisë së Tiranës Jorida Tabaku, ministrja e Integrimit Majlinda Bregu etj. Menaxhimi në kohë reale, përmirësimi i fluksit të trafikut, përmirësimi i sigurisë, dhënia përparësi transportit publik do të jenë disa nga përfitimet e menjëhershme që qytetarët e Tiranës do të kenë nga ky projekt. Qendra Operacionale e Kontrollit në Tiranë do të mundësojë jo vetëm drejtimin e të gjithë pikave të kontrollit të trafikut nga një qendër e vetme, por edhe monitorimin 24 orë, falë vendosjes së 23 kamerave që do të përcjellin informacion në kohë reale. Janë pajisur me tru të ri elektronik 51 nyje të trafikut në qytetin e Tiranës, të cilat do të kontrollohen nga Qendra Operacionale. Për herë të parë, në Tiranë janë instaluar 9 semaforë të cilët janë të pajisur me buton për kalimin e këmbësorëve dhe sinjale akustikë për kalimin e sigurt për personat me aftësi te kufizuara në dëgjim dhe shikim. Gjashtë pajisje elektronike të përditësuara (tabela të mëdha) njoftojnë drejtuesit e automjeteve, mbi kushtet aktuale të trafikut si dhe informacione të tjera të rëndësishme, në lëvizjen brenda qytetit të Tiranës, në hyrje të qytetit të Tiranës dhe në dalje të qytetit të Tiranës.

Kryetari i Bashkisë, Lulzim Basha
“Ky investim vjen në kuadër të luftës sonë për të zgjidhur një ndër problemet më të mëdha të qytetit tonë, një ndër problemet më të prekshme për ju si qytetarë por edhe për qindra, mijëra shqiptarë që vijnë e shkojnë ditë për ditë në kryeqytet, problemin e trafikut” - u shpreh z. Basha.
Kryebashkiaku Basha, ndërsa ka listuar dhe një sërë investimesh të tjera të mëdha që kanë nisur në Tiranë dhe që do të kenë një impakt të madh në përmirësimin e trafikut, ka falënderuar kryeministrin Berisha dhe qeverinë shqiptare, për mbështetjen e dhënë. “Brenda ditësh nis puna për segmentin Unazës së Re, nga “Qyteti i Nxënësve” deri tek qendra “Kristal”, investim tërësisht i qeverisë shqiptare, sikundër nis puna për pjesën munguese të Unazës, nga Materniteti “Koço Glozheni” dhe lidhja më pas me Unazën e Re në Farkë e në pjesën jugore të qytetit të Tiranës. Vetëm para dy javësh, në seancën e fundit funksionale të parlamentit shqiptar, me propozimin e Kryeministrit Berisha kaloi akti normativ i cili depozitoi në arkën e Bashkisë së Tiranës 63 milionë euro për bulevardin e ri dhe për lumin e Tiranës dhe së fundmi me Bankën Evropian për Rindërtim dhe Zhvillim, javët e ardhshme do të hapim koncesionin për terminalin multimodal të pasagjerëve, ku do të grumbullohen së bashku për herë të parë stacioni i ri i trenit, stacioni i tramit, stacioni i autobusëve ndërurban dhe linjat urbane, stacioni i taksive dhe i furgonave, duke lehtësuar sheshet dhe rrugët e qytetit nga ngarkesat e tepërta dhe problemet që sjellin shpërndarja e autobusëve urban dhe ndërurban në qytetin e Tiranës. Për këtë, na duhet mbështetja e vazhdueshme e qeverisë, na duhet bashkëpunimi i saj, na duhen garancitë e saj para bankave ndërkombëtare, na duhet pra ky partneritet që na ka sjellë deri këtu dhe me anë të cilit do të bëjmë të mundur realizimin dhe përfundimin e të gjitha investimeve që kemi nisur sëbashku, ndaj ju bëj thirrje të dashur qytetarë, që me votën tuaj me 23 qershor të bëni të mundur që ky bashkëinvestim të vazhdojë për ju, për familjet tuaja dhe për të gjithë shqiptarët që i thonë Tiranës kryeqytet” - theksoi kreu i Bashkisë, Lulzim Basha.


Kryeministri Sali Berisha
Kreu i qeverisë Sali Berisha vlerësoi maksimalisht realizimin e këtij projekti që synon përmirësimin e trafikut në kryeqytet, gjendja e të cilit ndikon drejtpërdrejt në shëndetin e qytetarëve. Gjithashtu, Kryeministri u shpreh se falë ndryshimeve që ka pësuar kryeqyteti në këto dy vitet e fundit, më kryesori sistemi i sheshit “Skënderbej” është arritur të përmirësohet cilësia e ajrit. “Ndotja e ajrit në sheshin e qytetit dhe te ‘21 Dhjetori’ e tejkalonte 2-3 herë çdo lloj limiti dhe kalonte në nivelet e rrezikut edhe kërcënimit më maksimal. Kjo nuk është më sot. Këto aparatura tregojnë se sot qytetarët e Tiranës thithin ajër të atyre standardeve dhe normave si në qytetet miqësore ndaj mjedisit” - tha Kryeministri. Kryeministri Berisha vlerësoi punën dhe angazhimin e kryetarit të bashkisë, z. Lulzim Basha, i cili po bën realitet iniciativën e shpallur prej tij dhe Partisë Demokratike, Tirana, një qytet i shëndetshëm. “Sot është kënaqësi e madhe për mua t’ju afirmoj se qeveria do të mbështesë vendosmërisht, si një interes kombëtar, çdo projekt të madh në këtë qytet” - theksoi kryeministri. “Sot është kënaqësi e madhe për mua t’ju afirmoj se qeveria do të mbështesë vendosmërisht, si një interes kombëtar, çdo projekt të madh në këtë qytet. Tirana është ëndrra e çdo shqiptari, kudo që ai jeton. Në të katër skajet e Shqipërisë dhe kudo që ndodhet, ai mendjen dhe dëshirën më të mirë e ka në Tiranë. Ne do të bëjmë gjithçka për të ngritur Tiranën në lartësinë e ëndrrës së qytetarëve të saj. E vërteta është se këtë vit nis jetë Tirana e shekullit XXI. Me bulevardin e madh që priste prej vitesh dhe që fillon shumë shpejt ndërtimi; me sistemimin e lumit të vetë të mrekullueshëm, i cili do të shndërrohet në një nga zonat më rekreative për qytetarët e saj; me vendosjen më vonë të sistemit të tramvajit, Tirana do të listohet krahas simotrave të veta evropiane. Shqiptarët po ecin drejt Evropës. Destinacioni ynë jetik dhe vendimtar është Evropa, por do të bëjmë gjithçka që të ecim me dinjitet, të paraqitemi me dinjitet dhe Tirana i ka të gjitha mundësitë. Kudo që shkoj nuk gjej një panorama kaq të bukur, një pozicion gjeografik dhe një klimë si kjo e kryeqytetit tonë”- deklaroi kryeministri. Duke falënderuar përzemërsisht Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, e cila është një nga institucionet e para që konstatonte problematikën e madhe të akumuluar në kryeqytetin tonë dhe që shprehu gatishmërinë e saj për të ndihmuar qytetin e Tiranës, Berisha akuzoi ish kryetarin e Bashkisë, Edi Rama se bllokoi projektet zhvillimore, për mbrojtjen e interesave të Koço Kokëdhimës. “Vite më parë, në një vizitë që zhvillova në zyrat qendrore të tyre në Londër, Presidenti i saj mu drejtua njerëzisht dhe më pyeti nëse ne si qeveri do të pranonim të na jepnin një kredi për bashkinë e Tiranës. Unë iu përgjigja pa asnjë hezitim se isha plotësisht dakord. Dhe ajo nuk ishte një kredi e vogël. Por çfarë ndodhi? Kredia do të ishte për unazën. Unaza kishte një segment brenda qytetit dhe segmenti tjetër kryesor ishte në Farkë. Normalisht, një investim i tillë i takon qarkut, sepse ai është autoriteti mbi të dy njësitë, por ne nuk insistuam dhe thamë le ta ketë bashkia. Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim bëri çdo përpjekje, ndërkohë që ne si qeveri pranuam çdo kusht për kredinë, por bashkia nuk i pranoi kurrë ato kushte. Banka kërkoi të ngremë një komitet të përbashkët, por u refuzua nga bashkia. Në çdo gjë jo të mirë, populli thotë – ku fle lepuri? Lepuri flinte te Koçja. Se po të ishte një komitet, do të kishte transparencë. Kjo është e vërteta”- tha kryeministri.
Ai konstatoi se Bashkia e sotme po bën ndryshime të mëdha, ndryshe nga vite më parë, kur administrata abuzonte me fondet për ndërtimin e shkollave. “U dhanë 21 milionë euro për shkollat, të cilat nuk u ndërtuan kurrë. Nuk u ndërtuan, sepse shkollat kërkonin troje dhe trojet i hanin pallatet. Nxënësit e Tiranës mbetën si në asnjë qytete tjetër të Shqipërisë sot. Kjo është kohë e shkuar. Unë u ndala në këtë analizë edhe si një detyrim transparence ndaj qytetarëve të Tiranës. Kurrë ndonjëherë, nga dita e parë në pushtet e deri më sot, nuk më ka shkuar mendja dhe nuk mund të imagjinoj të injoroj domosdoshmërinë jetike të investimeve të mëdha në këtë kryeqendër të vendit”- tha më tej kryeministri Berisha.

 

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›