E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vlora e Ismail Qemalit, kujdes nga oktapodi i Qeparoit!

15-05-2013 / Nga Adrian Roshniku

Në emisionin Opinion, na u shfaq me pamjen e një rilindasi, shoku Koço Kokëdhima  ish-sekretari i parë i Komitetit të Rinisë së Punës në Fier, botuesi i gazetës së majtë Shekulli, gllabëruesi i tenderave, biznesmeni i kompanive të betonizimit të kryeqytetit në bashkëpunim me Edvin Ramën, tashmë në ballë të furtunës. Në emision, anëtari i ri i PS, zv.kryetar, apo kryetar, Koço Kokëdhima, ky enverist i thekur, pyetjeve të gazetarit Fevziu, u përgjigjej me mllefin e një komunisti, pa shpjeguar asgjë. Nga shfaqja e papritur e tij si anëtar i ri i PS, me gjuhën e vjetër të propagandistit të Partisë së Punës, shumë vetë përfytyruan daljen e një ujku të uritur nga pylli, ndërsa vlonjatët  e  zgjuar  një oktapod në brigjet e Jonit. Për çudi, jeta e Koço Kokëdhimës, nuk gjendet në asnjë libër serioz apo fjalor enciklopedik. Mesa kuptohet, ky njeri i pasuruar misteriozisht i shmanget përshkrimit të jetës së tij të vërtetë, për arsyet që i di ai vetë. Diku në internet ka hedhur një foto djaloshari, flokët pak të rëna mbi ball, por të gjata prapa, gjysëm i rruar, tip Al Paçino, me duar në xhepa, me qendrim më këmbë para një pikture surealiste mbi tryezën klasike. Poshtë portretit vijon një histori familjare tre shekullore me gjashtë rreshta që na u duk pak si qesharake, si kjo: “Koço Kokëdhima nga Qeparoi i Himarës është njëri ndër biznesmenët më të suksesshëm në Shqipëri. Në pemën gjenealogjike, te historia e të parëve të gjakut të vet që erdhën në të shkuarën e largët nga Tërbaçi i Vlorës për t’u ngulur në Qeparo. Një ikje e detyruar, nën dhunën e pushtuesit osman, për të mos dorëzuar fenë e krishterë. Për të hedhur rrënjë të reja atje larg në Qeparo, buzë Jonit, mes shkëmbinjve, ullinjve, vendasve që i pranuan për t’u bërë pjesë e tyrja. Në Qeparo te Qafa e Rrapit, atje ku 250-300 vjet më parë Spiro Mëhill Kokëdhima mbolli një rrap.”  Kjo histori treshekullore mendojmë se duhej thurur pak më qartë e më e plotë, kështu: sipas të dhënave historike që vijnë nga lashtësia, mbi 250 vjet më parë, ndryshe nga trimat e Labërisë, mësohet se një fukara me emrin Spiro Mëhill Kokëdhima braktisi fisin në Tërbaç të Vlorës e natën  vonë  tok me familjen u arratis  brenda krahinës dhe zbriti tatëpjetë malit për të shpëtuar nga xhandarët osmanë që u orvatën me kërcënime, hanxharë, jataganë, allti e topa, t’ia ndërronin fenë nga ortodoks në mysliman. Në breg të Jonit me kisha bizantine brenda kalave të mbrojtura nga ushtarët osmanë, zgjodhi si vend strehimi Qeparion. Stërgjyshi kujtohet në histori për veprën e shquar patriotike, kur në vend të ullinjëve mbolli një rrap, ndaj kur zbardh dita duket nën re Qafa e Rrapit, Plaku mbahet mend  dhe për brezin që la pas, ndër ta, edhe një burrë. Ky burrë na u bë me djalë. Prifti i fshatit e pagëzoi me emrin Koço. Djali ndoqi shkollë të madhe. Thonë se në matematikë merrte nota pakaluese, gjithsesi  shkëlqeu si sekretar i parë  i Komitetit të rinisë në Fier, më pas botues i gazetes Shekulli, me bashkëpunëtorë të zgjedhur si akademiku Rexhep Qose. Siç thotë dhe vetë në gazetë ka bëre çmos të botoheshin shkrime larg politikave partiake. Ata që lexojnë këtë gazetë mund të dëshmojnë  për të vërtetën e këtij pohimi me anën e shkrimeve të  Rexhep Qoses, i cili me fjalorin e vet prej plakareci të tërbuar enverist ka shpërdoruar gjuhën e bukur shqipe dhe titullin akademik. Bashkëpunëtori i dytë është profesor N.J. i njohur me romanin sigurims “Mërgata e Qyqeve” e tjetërsim figura patriotësh, me komente e letra të shpifura, saqë demokratët Bajram Curri, Hasan Prishtina, At Gjergj Fishta, Faik Konica e Fan Noli na dukeshin të huaj, madje “bolshevikë”, shumë kohë para Leninit. Gazeta e Koços është përzier edhe në turbullira flamujsh e votimesh në kundërshtim me idealin e Ismail Qemal Bej Vlorës. Koçoja në ditët tona, njihet jo vetëm si botues antishqiptar, por edhe si biznesmen i suksesshëm, i kredhur gjer në fyt në borxhe ndaj punonjësve të tij dhe institucionit vendor, Bashkisë së Tiranës, kur në krye të saj qendronte kaluar i plotëfuqishmi kapedan i betonizimit e bllokimit Edvin Rama. Me lejet e tij, Koço Kokëdhima në kundërshtim me planin rregullues të kryeqytetit, pasi prishi  ndërtesat klasike me vlera etnografike, ndërtoi pallate-piramida me qëllime fitimesh të jashtëligjshme mbi pronat e qytetarëve tiranas, në oborre shkollash e vendet e gjelbëruara. Në Durrës ka vënë në dorë pothuaj falas një ndërmarrje frigoriferësh. Një biznesmen në Elbasan ankohej për përvehtësimin nga “i suksesshmi dhe i fuqishmi” Kokëdhima të një pajisjeje të rëndësishme elektrike. Dora e tij shkatërrimtare me përkrahjen e pushtetit vendor socialist është zgjatur edhe gjatë bregdetit. Himariotët e akuzojnë Kokëdhimën, se ka betonizuar Himarën, ndaj i ngritën edhe këngën: “Kush t’i lidhi sytë,/Koçua i ytë”. Në emision, Koço Kokëdhima, si dhelpër e zënë në çark, ndryshe nga qetësia akademike e botuesit, me britmën e njohur “fashist” të hetuesve komunist, u orvat t’ia ngarkonte pushtetit qendror, tërë prapësitë e pushtetit vendor socialist për betonizimin e Durrësit, Vlorës, Himarës e Sarandës. Vetëm Lavdosh Ferrunët e ambientit nuk ndihen, sillen rrotull si kunadhe, mbyllin sy e veshë, pastaj luajnë domino me Koçon dhe Edvinin.
Koço Kokëdhima vitin që shkoi në bashkëpunim me një gazetare sajoi një bisedë-reklamë, të cilën e botoi në gazetën e tij me titullin: “Rivalët e mi të pasur, por jo të fuqishëm”. Atje krekosej si biznesmen i fuqishëm, filozof, i shkujdesur ndaj politikës, imun ndaj sëmundjeve, familjar i mirë me vajza studente londineze, me disa vetura luksoze, shahist e plot gjepura të tjera. Ata që lexuan atë shkrim u shprehen për sjelljet morale të këtij biznesmeni mashtrues e pa vlera, të cilat është e tepërt t’i përsërisim. Siç thotë edhe vetë mban të mbyllur për miqtë e vet një muze misterioz, me objekte të dyshimta të arkeologjsë e etnografisë, piktura e relikte kryeministrash, ndërmjet tyre dhe të diktatorit Enver Hoxha. Profesori i Koços, Kastriot Islami me pak rreshta ka dhënë një dëshmi të plotë si kjo: “Koço Kokëdhima, studenti hileqar, që kërkonte nota të pamerituara dhe që fliste përçart gjatë të gjithë emisionit duke u mburrur se ishte ai ideatori i të gjithë përjashtimeve në PS, të Fatos Nanos, Arben Malajt dhe madje edhe të Mustafa Nanos. Për të qeshur e për të qarë. Ndjeja turp për këtë spektakël të shëmtuar që detyrohen të shikojnë socialistët. Gjithçka thotë Rama ngjan me batuta bajate të një shoferi autobusi që ka hipur tek motori i autobusit Koçon dhe të gjithë duken të frikësuar se mos përfundojnë në humnerë”.
Kush është Koço Kokëdhima i vërtetë, ky armik i betuar i investimeve, i punësimit i dhe i mirëqenies së qytetarëve të ndershëm? Nga shtypi shqiptar njoftohet, se sipas të dhënave dokumentare, miqtë e Edi Ramës duket qartë se janë trajtuar ndryshe nga Bashkia e Tiranës. Kandidati i Partisë Socialiste në Qarkun e Vlorës, Koço Kokëdhima miku i ngushtë dhe ortaku i Ramës në tenderat publike të Bashkisë së Tiranës gjatë periudhës 2001-2011, rezulton të ketë 1.8 miliardë lekë taksa të papaguara në Bashkinë e Tiranës. Rasti flagrant i përket pesë kompanive, të cilave Bashkia e Tiranës e drejtuar nga Edvin Rama, prej vitesh nuk u ka mbledhur tatimet bashkiake, para të cilat u munguan çerdheve, kopshteve dhe shkollave të pandërtuara, rrugëve të pashtruara, tavane që shembeshin. Të pesë kompanitë i përkisnin asokohe biznesmenit, ndërtuesit dhe botuesit të gazetës "Shekulli", sot kandidat i Vlorës për socialistët, i njohur edhe si pronar i "2K". Deri më datën 26 prill 2011, dokumentet tregojnë se kush kanë qenë detyrimet e pambledhura nga Bashkia Tiranë prej vitesh për kompanitë ku përfshihet Koço Kokëdhima. Totali i detyrimeve 179,483,683 lekë. Totali i papaguar i detyrimeve të kompanive është 179,483,683, Të gjitha këto kompani kanë patur ose vazhdojnë të kenë aksioner Koço Kokëdhimën, mikun e ish-kryetarit të Bashkisë së Tiranës. 
Edvin Rama e Koço Kokëdhima në kohë të tjera, kërkojnë në Vlorë qytetarë naive me kujtime të hidhura që t’u shkelin plagët ende të  pambyllura. Këta socialistë me ngjyrë të kuqe që nxijnë gjithçka të mirë të arritur nga njerëzit e ndershëm të zonës së Vlorës dhe Qeveria Demokratike, kërkojnë votat e besimin e humbur në Tiranë. Këta politikanë ngatërrestarë përpiqen të mashtrojnë me premtime boshe biznesmenët e fermerët që punojnë me djersën e ballit. Kërkojnë në Vlorë para të tjera për betonizimin e shkatërrimin e historisë së Qyteti të Flamurit Kombëtar. Biznesmeni “i suksesshëm e i fuqishëm”, Koço Kokëdhima, që mburret me shtëpinë botuese, me kompanitë-piramida, me muzeun personal, veturat luksoze e pasuri të vëna me tendera koruptive e detyrime të papaguara, çfarë ka bëre për Vlorën e bregdetin, që tani si dhelpra plakë vjen t’u mbushë mendjen vlonjatëve të mençur, të votojnë për synimet e tij grabitqare?  
Vlora e Ismail Qemalit! Kujdes! Oktapodi i Qeparoit është kapur me tentakulat e rrezikshme ndër brigjet e tua të lavdishme, sepse Tirana e shporri nga trualli i saj i shenjtë.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›