Një det entuziazmi durrsak për alternativën e Berishës
Dhjetëra mijë qytetarë të Durrësit mbështetën mbrëmë alternativën e zhvillimit që s’ndalon përballë bllokimit, mbështetën alternativën që i ka hije Durrësit, si qyteti antik - dëshmitar i vokacionit perëndimor të kombit shqiptar
Berisha: Do liberalizojmë vizat edhe me SHBA - sepse ne na besojnë, sepse jemi seriozë në reforma
Pas çeljes zyrtare të fushatës elektorale në kryeqytet, Partia Demokratike prezantoi dje në Durrës kandidatët për deputetë në këtë qark. Kreu i mazhorancës, Sali Berisha, ndërsa ka prezantuar skuadrën e tij para qindra e mijërave qytetarëve të mbledhur në sheshin “ Taulantia” , i vlerësoi ata si uraganin e fitores së 23 qershorit në këtë qark dhe mbarë vendin. Procesi i integrimit dhe punësimi i shqiptarëve ka qenë kryefjalë e Kryeministrit, ndërsa ka akuzuar Partinë Socialiste dhe liderin e saj se në 22 vite demokraci nuk kanë asnjë kontribut në proceset integruese të Shqipërisë. Nga Durrësi, Kryeministri është zotuar se qeveria e tij pas heqjes së vizave me Europën, përmes reformave do të heqë vizat edhe me SHBA. “Për çdo shqiptar asgjë s’është më jetike se integrimi ynë në Europë. Durrësi është dëshmitari, gardiani i vokacionit perëndimor shqiptar, në këtë port kanë vërshuar flukset e kombit drejt vendeve të zhvilluara. Të vish këtu në ditën e Europës pasi ke bllokuar për ditë me radhë dhe të betohesh për Europën ose është Natradin ose hipokrit i pa shpresë. Me histori duhet të merremi vetëm aq sa n duhet për të parë më mirë përpara. Si ka mundësi 22 vjet me radhë të gjitha ngjarjet e mëdha të integrimit të lidhen vetëm me emrin e PD. Ne nuk kemi qenë 22 vjet në pushtet, kemi njohur pushtetin dhe opozitën, por kemi qëndruar në mbështetje të fuqishme të integrimit. Si ka mundësi që kjo parti në 20 vite nuk ka qoftë një firmë të vetme drejt botës perëndimore. Të vish në Durrës dhe të betohesh për Europën në një kohë kur në Tiranë bllokon votimin e tre ligjeve është hipokrizi. Ata janë alternativa e trillimit, ndaj dhe ne të ecim përpara. Me reforma të thella hoqëm vizat për Europën, me reforma të thella do heqim vizat me SHBA dhe ju do lëvizni të lirë në mbarë botën. Ne na besojnë, jemi seriozë, u besojnë idealeve dhe punës suaj. Asgjë s’do të pengojë rrugën tonë drejt integrimit, punësimit dhe mirëqënies”, theksoi kryeministri Berisha.
Duke vendosur në qendër të programit dhe fushatës qytetarin, kreu i qeverisë Berisha garantoi se punësimi i tyre mbetet qëllimi më madhor i programit ekonomik të PD. “Jam këtu për t’u zotuar para jush se këta kandidatë për deputetë të PD dhe koalicionit për “Punësim, Mirëqenie dhe Integrim” do kenë për parti ju qytetarët e Durrësit dhe qytetarët shqiptarë. Për ne ju jeni dhe mbeteni të parët e më të parëve. Në gjithë programin tonë ne ju kemi ju në epiqendër, vlerat e mëdha që ju mbartni, ato janë frymëzimi ynë, programi ynë i madh për të ecur përpara. Me 23 qershor këtu në Durrës, Konispol, Gjirokastër, Kukës, Shkodër e Tropojë, Vlorë e Sarandë dhe mbarë Shqipërinë përballen dy qëndrime, përballet alternativa jonë e bazuar në vlerat më të mira, liritë, familjen, kombin dhe integrimin. Kjo alternativë na udhëhoqi ne në këto 20 vite, mundi dhe djersa juaj dhe e emigrantëve, reformat tona bënë të mundur të ngrihemi nga mjerimi dhe të ecim të sigurtë në rrugën e prosperitetit. Alternativa jonë konsideron punën dhe punësimin bekimin më të madh për çdo shqiptar. Ne shkojmë në këto zgjedhje me programin më të shkëlqyer. Në kulmin e një krize Shqipëria ia doli në mos bjerë në recesion, në këto vite Shqipëria arriti të marrë më shumë investime të huaja dhe të krijojë vende të reja pune. Kemi marrë miliona turistë. Këto vite ne nisëm të mbështesim fuqishëm fermat shqiptare, janë mbështetur me projekte 42 000 projekte. Punësimi juaj, punësimi i të papunëve është qëllimi më madhor i programit tonë ekonomik”, theksoi Kryeministri.
Përballë alternativës së vlerave, vijoi më tej, Berisha, është e pozicionuar alternativa pa ide me fjalë e trillime, e cila sipas shefit të selisë blu po tenton të mërzisë zgjedhësit dhe të ngjallë dëshpërim tek ta. “Cila është alternativa tjetër? E rritjes së taksave, shkatërrimit të vendeve të punës, e punës për qeverinë. Alternativa e tyre është pa ide, me fjalë, trillime dhe mashtrim. Edi Rama përdor mashtrimin që të mërzisë zgjedhësit, të ngjallë tek ata dëshpërimin sic ka shpirtin vetë” përfundoi ai.