Historia ndërmjet fotove të rralla; Agresioni fashist më 7 prill 1939 dhe hyrja e trupave italiane në Shqipëri
Plot 69 vjet më parë, në mëngjesin e 7 prillit të vitit 1939, apo siç njihet ndryshe në memorien historike të shqiptarëve, të premten e zezë, Italia fashiste e Benito Musolinit kreu agresionin ushtarak duke pushtuar Shqipërinë fqinje. Po atë ditë, pas një rezistence të armatosur të bërë prej një pjese të reparteve ushtarake të Mbretërisë së Zogut, si dhe të disa qindra vullnetarëve civilë që morën armët dhe shkuan për të luftuar në disa prej skelave të bregdetit tonë, si në Durrës, Shëngjin, Vlorë, Sarandë etj., forcat italiane të pushtimit zbarkuan në portet kryesore të vendit tonë. Gjatë atij zbarkimi, sipas disa të dhënave që nuk u konfirmuan kurrë, thuhet se trupat italiane të pushtimit lanë rreth 53 ushtarë të vrarë dhe shumë të tjerë të plagosur, të cilët u tërhoqën në fshehtësi të plotë në anijet e luftës dhe trupat e tyre u rikthyen përsëri për në portet italiane. Vetëm një javë më pas, pra më 12 prill 1939, në marrëveshje me autoritetet italiane të pushtimit, në Tiranë u formua një Komitet Administrativ nën kryesinë e zotit Xhaferr Ypi dhe me z. Mihal Sherko për Punët e Jashtme, Zef Kadarja për punët e Brendshme, Pertef Pogoni për Arsimin, Kosta Marku për Financat, Izedin Beshiri për Punët Botore dhe Llambi Aleksi për Ekonominë Kombëtare. Përveç këtyre, koloneli italian, Stamati, u caktua për të organizuar forcat e rendit që do të mbanin qetësinë. Komiteti Administrativ vendosi formimin e një Asambleje Kushtetuese, në të cilën u zgjodhën personalitetet më të spikatura të jetës politike, shoqërore, artit, kulturës etj., nga e gjithë Shqipëria. Kjo asamble, më datën 12 prill paradite, u mblodh në sallën e Parlamentit dhe pasi emëroi qeverinë shqiptare, të kryesuar nga Kryeministri Shefqet bej Vërlaci, vendosi që të zgjidhte një dërgatë (delegacion), të përbërë nga personalitete prej të gjitha qarqeve të vendit, e cila do t‘i dërgonte Kurorën e Artë të Skënderbeut në Romë, Mbretit të Italisë dhe Perandorit të Etiopisë, Viktor Eamanuelit III, i cili, në bazë të vendimeve të marra nga Asambleja Kushtetuese, shpallej edhe Mbret i Shqipërisë. Sipas vendimeve të marra nga Asambleja Kushtetuese, kjo mërgatë, e përbërë nga personalitete dhe patriotë të shquar prej të gjitha trevave të Shqipërisë, u nis për në Romë më datën 14 prill, ku pasi u prit nga autoritetet më të larta italiane, të kryesuara nga vetë Kryeministri Benito Musolini (Duce-ja), në mes ceremonive të shumta, i dhuroi Mbretit Viktor Emanuelit Kurorën e Artë të Skënderbeut. Këto dy ngjarje, pra agresionin fashist të 7 prillit dhe dorëzimin e Kurorës së Skënderbeut në Romë, të cilët mbeten dy nga ngjarjet më të përfolura në të gjithë historinë e Shqipërisë, ne do t‘i sjellim në shkrimin e sotëm dhe atë të nesërm, të ditës së diel, (me nga 4 faqe), vetëm nëpërmjet disa fotove të rralla, të cilat janë nxjerrë nga arkivat italiane dhe shohin dritën e botimit për herë të parë.