E Shtunë, 31 Tetor 2026

Basha & Olldashi, dy të përkëdhelurit e Berishës

Lulzim Basha dhe Sokol Olldashi, dy kandidatët për kreun e ri të Partisë Demokratike kanë nisur sot fushatën. Olldashi ka zgjedhur Fierin, qarkun ku udhëhoqi fushatën elektorale për zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit, ndërsa Basha ka zgjedhur Elbasanin, qarkun ku drejtoi fushatën në zgjedhjet parlamentare të vitit 2009-të.

Basha dhe Olldashi janë dy prej figurave më të suksesshme të PD-së në vitet e fundit por gjithashtu karriera e tyre është shoqëruar edhe me skandale të mëdha. Kreu i Bashkisë së Tiranës është një prurje e re në PD, pasi erdhi në këtë parti nga Komiteti i Orientimit të Politikave (KOP) në vitin 2005, kurse Olladashi është anëtar i saj që prej lindjes së kësaj force politike, shkruan shekulli.

Që të dy janë ndeshur me kreun e PS-së, Edi Rama për Bashkinë e Tiranës. Që të dy kanë mbajtur postin e ministrit të Transporteve. Që të dy kanë mbajtur postin e ministrit të Brendshëm. Dhe duket se ata janë dy “të besuarit” e Berishës.

Por vazhdimisht mes tyre ka pasur thika pas shpine. Basha dhe Olldashi nuk shquhen për marrëdhënie të mirë mes tyre. Në vitin 2007, kur po diskutohet kandidatura e PD-së për Bashkinë e Tiranës, pati sulme ndaj Bashës që ishte edhe ministri më i suksesshëm i qeverisë Berisha. Sulmet thuhet se u ushqyen nga Olldashi.

Basha “shkarkon” Ramën

Në CV-në e Bashës të publikuar në faqen e Partisë Demokratike thuhet se, “në vitin 2011, Lulzim Basha kandidoi kundër ish-kreut të Partisë Socialiste Edi Rama.” Ndërsa fushata e tij konsiderohet si më e mirë që PD kishte zhvilluar ndonjëherë.

Ndërsa për ta cilësuar Bashën pjesë të PD-së që prej themelimit të saj thuhet se ai “u angazhua që në dhjetorin e 1990 bashkë me të rinj të tjerë gjimnazistë të Tiranës përkrah studentëve dhe Partisë Demokratike të sapo themeluar.” Angazhim cilësohet pjesëmarrja në protesta në këtë rast dhe qenia vëzhgues i PD-së në KQZ gjatë zgjedhjeve të 1992.

Olldashi mbetet “enigmatik”

Sokol Olldashi punon më shumë nën dhe se sa në sipërfaqe. Këtë e tregon edhe CV-ja e tij, e cila ka shumë pak informacion. Sa i takon fillimeve të veprimtarisë politike thuhet se, është anëtar i PD-së që prej vitit 1990 ndërsa aktivizimi i parë është si kreu i Forumit Rinor të PD-së në vitin 2002. Olldashi para kësaj ka punuar si gazetar në media të shkruar dhe audio vizive./Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›