Basha betohet të premten para Këshillit të ri Bashkiak
Lulëzim Basha do të marrë zyrtarisht detyrën e kreut të Bashkisë së Tiranës ditën e premte. Ndonëse janë ezauruar të gjitha procedurat zyrtare, që parashikon ligji për marrjen e detyrës nga kryebashkiaku i ri, sekretari i Këshillit Bashkiak të Tiranës ka preferuar të konsumojë të gjithë afatin kohor që i lejon ligji dhe ka përcaktuar të premten e datës 22 korrik, për të organizuar ceremoninë e konstituimit dhe njëkohësisht edhe të betimit të kryetarit të ri të Bashkisë. Ndërkohë, për këtë mbledhje të parë të Këshillit Bashkiak, janë lajmëruar tashmë dhe të gjitha partitë, të cilat sipas vendimit të Kolegjit Zgjedhor kanë fituar të drejtën për të pasur anëtarë në të.
Sekretari
Edi Rama, pavarësisht se është larguar prej ditësh nga Bashkia e Tiranës, zyrtarisht do të jetë kryetar i saj dhe për 5 ditët e ardhshme. Kjo pasi vetëm të premten është vendosur të bëhet konstituimi i Këshillit të ri Bashkiak dhe më pas dhe betimi i kryetarit të ri të Bashkisë, Lulëzim Basha, i cili doli fitues me 93 vota më shumë se rivali i tij. Sekretari i Këshillit Bashkiak, Vladimir Gjonaj, i cili ka kompetencën për thirrjen e mbledhjes së parë të Këshillit të ri, ka bërë të ditur dje se të premten, më 22 korrik do të bëhet ceremonia e konstituimit. Kjo shtyrje, sipas tij, ka ardhur për shkak se vendimi i Kolegjit për ndarjen e mandateve të Këshillit Bashkiak të Tiranës, i ka mbërritur më 15 korrik rreth orës 16:00 dhe për shkak të pushimit të fundjavës, paraditen e së hënës do të njoftojë partitë politike për mbledhjen e Këshillit Bashkiak. Ligji për pushtetin vendor, sanksionon se mbledhja e Këshillit Bashkiak mund të zhvillohet brenda 5 ditëve nga momenti i lajmërimit të këshilltarëve të rinj, veprim ky që do të realizohet nga Gjonaj vetëm sot, në mënyrë që të mbledhë këshillin të premten. Sipas ligjit "Për pushtetin vendor", pas vendimit të dhënë nga Kolegji Zgjedhor për rezultatin e zgjedhjeve për kryetar të njësisë vendore, sekretari aktual i këshillit, duhet të thërrasë mbledhjen e parë jo më vonë se 20 ditë prej këtij momenti. Duke qenë se Kolegji Zgjedhor e dha vendimin për Tiranën më 8 korrik dhe mbledhja e parë duhet të thirret brenda datës 28 korrik. Megjithatë ky është një afat maksimal dhe që nuk është e thënë të konsumohet deri në fund.
Këshilli
Përveç konstituimit të Këshillit Bashkiak dhe betimit të kreut të ri të bashkisë, në mbledhjen e së premtes pritet të kryen dhe një sërë procedurash të tjera, për të kompletuar në këtë mënyrë të gjithë hierarkinë drejtuese të Bashkisë së Tiranës. Kështu, gjatë kësaj mbledhje të parë do të bëhet verifikimi i ligjshmërisë së mandateve të anëtarëve të këshillit të ri, do të zgjidhen nënkryetarët e bashkisë, si dhe sekretari i ri i këshillit. Këshilli i ri Bashkiak kësaj here do të jetë tepër i balancuar, pasi pozita me opozitën në të ndahet vetëm me një përfaqësues më shumë. Kështu, mazhoranca e djathtë do të ketë 28 anëtarë ndërsa opozita e majtë do të ketë 27.