Ettore Sequi: 12 prioritetet për Shqipërinë, koha po limitohet
Intervistoi: Muhamed Veliu
Që prej 1 korrikut Polonia ka marrë drejtimin e Presidencës Europiane, gjatë së cilës ministrave të Jashtëm të Europës do t’i paraqitet një raport nëse Shqipëria i ka përmbushur 12 prioritetet. Hapi i mëtejshëm është fitimi i statusit të vendit kandidat ose dështimi për të dytën herë. Shqipëria dhe integrimi europian gjatë Presidencës polake ishin në fokusin e programit “Exclusive” në Top-Channel, nga ku ambasadori Ettore Sequi, shef i delegacionit të Bashkimit Europian në Shqipëri, dhe ambasadorja polake në Tiranë, Irena Tatarzinska folën për sfidat europiane të Shqipërisë. Ambasadori Ettore Sequi lëshon paralajmërimin. Kujdes me 12 prioritetet, koha sa vjen dhe po limitohet.
Ambasadore Tatarzinska do të doja ta nisja intervistën me ju. Më 1 korrik ndryshoi Presidenca e radhës e Bashkimit Europian. Cilat do të jenë prioritetet për 6 muajt e ardhshëm nën drejtimin e Polonisë?
Polonia ka punuar që të hartojmë një program. BE është një histori suksesi e bazuar në punën në grup, njëkohësisht është duke u ndeshur me një sërë sfidash.
Prioritetet përmblidhen në 3 shtylla kryesore; thellimi i integrimit europian si burim zhvillimi dhe rritje ekonomike për mbarë Bashkimin Europian, shtylla e dytë e fokusuar për një Europë gjithnjë e më të sigurt, dhe shtylla e tretë e prioriteteve të BE-së përfshin vizionin e një Europe të hapur, përfshi këtu edhe promovimin e mëtejshëm të zgjerimit të BE-së, si politika që i shërbejnë BE-së, por edhe vendeve të tjera. Polonia e mori drejtimin e Presidencës polake me optimizëm dhe solidaritet, duke mësuar nga gabimet e të shkuarës dhe duke punuar për të ardhmen tonë të përbashkët. Logoja e Presidencës polake simbolizon një shpirt të mbushur me energji dhe optimizëm dhe solidaritet.
Le të fokusohemi në Ballkanin perëndimor dhe vëmendjen që i kushton Brukseli procesit të integrimit. A do të jetë niveli interist i njëjtë, pasi, mbase Brukseli është i lodhur duke bllokuar disi shkallët që të çojnë në BE për vendet ballanike, përfshi edhe Shqipërinë?
Brukseli kurrë nuk e ka ndryshuar qëndrimin. Nuk ka asgjë të re që mund të ketë ndryshuar. Kushtet e vëna duhet të plotësohen dhe do të thosha se këto kushte janë po ato që Polonia kishte përpara pranimit në gjirin e familjes europiane. Këto kushte janë të njëjta për të gjitha vendet. Kemi të bëjmë me zgjerimin, i cili duhet të jetë kualitativ, që shërben për një BE akoma edhe më të shëndoshë.
Ambasador Sequi, dita ditës ju jeni personi i BE-së në Tiranë që merreni me çështjet e integrimit të Shqipërisë. Si e shikoni këtë rrugëtim të gjatë të Shqipërisë drejt BE-së gjatë presidencës polake?
Fillimisht më lejoni të them se jam shumë i lumtur për këtë mundësi që po më jepni për të sqaruar akoma më tepër atë që nuk është shumë e qartë për shumë njerëz apo median. Është me shumë rëndësi të kuptohet se cilat janë prioritetet e Presidencës polake. Është me rëndësi po ashtu të përmend se pas hyrjes në fuqi të Traktatit të Lisbonës, Presidenca e Bashkimit Europian në Tiranë, në nivel lokal, ushtrohet nga Delegacioni i Bashkimit Europian në Shqipëri.
Angazhimi Bashkimit Europian, përsa i përket qëndrimit për Ballkanin Perëndimor, nuk ka ndryshuar. Do të doja të citoja komisionerin Fyle, i cili ka deklaruar se "Dera është e hapur, por të gjithë duhet të kenë vullnet për të kaluar nga kjo derë dhe ne do të kryejmë vlerësimet tona në lidhje me vullnetin e mirë dhe rezultatin që do të shikojmë".
Mund ta shikojmë caktimin e datës për pranimin e Kroacisë në BE si një mesazh për vendet e tjera ballkanike, pasi edhe siç cituat komisionerin Fyle "Dera është e hapur", por a është duke ndjekur Shqipëria dhe vendet e tjera ballkanike rrugën e duhur për të trokitur në këtë derë të hapur?
Kjo është një pyetje me rëndësi. Që në fillim dua të them se shembulli i Kroacisë është shumë i rëndësishëm, pasi tregon se kur ju jeni tërësisht i vendosur, kur arrini rezultate atëherë ju jeni i suksesshëm. Prandaj ky është një shembull i rëndësishëm që duhet të kuptohet. Në këndvështrimin e Brukselit, ky është viti i mundësive të zgjerimit për vendet e Ballkanit Perëndimor.Por nga ana tjetër duhet të kuptojmë që procesi i integrimit nuk është një lojë tenisi apo një konkurs bukurie. Ne nuk hartojmë ndonjë tabelë renditjeje për vendet e Ballkanit Perëndimor. Çdo vend merr vlerësim në bazë të rezultateve dhe vendosmërisë për të trokitur në atë derë për të cilën folëm më parë. Këtë sjell pikërisht serioziteti dhe vullneti i mirë i demonstruar. Prandaj dua të theksoj se Kroacia vendosi një shembull, një shembull të shkëlqyer në këtë drejtim.
Do të doja të ishim më konkret në atë që po ndodh me Shqipërinë që prej zgjedhjeve të 2009-ës, gjithashtu pas lokaleve të muajit maj. Sa prapa qëndron Shqipëria me proceset e integrimit?
Fokusi në debatet e brendshme politike ndoshta e ka shmangur vëmendjen dhe energjitë nga procesi integrimit dhe ky është një fakt. Unë besoj se ky proces do të rikthehet në shinat e duhura përsëri. Por ajo çfarë duhet të kuptoni është se koha sa vjen e ngushtohet. Në tetor progres-raporti që po përgatitet nga Komisioni Europian do të analizohet nga ministrat e Jashtëm të Bashkimit Europian dhe në atë moment ne do të kemi një fotografi më të saktë, se ku qëndron Shqipëria në raport me këtë proces. Përsëri më lejoni të theksoj. Koha është e limituar.
Për të dy ju, shkëlqesi ambasadorë, do të doja t’ju pyes a besoni se gjatë Presidencës polake Shqipëria do të mundet të mund të arrijë plotësimin e 12 prioriteteve, thënë ndryshe detyrave të shtëpisë, të vëna përpara nga BE. Sa janë shanset që kjo të realizohet?
Shanset janë gjithmonë të hapura. Gjithçka varet nga shqiptarët, qeveria, politikanët dhe shoqëria. Çfarë mund të shtoj është duke u nisur nga eksperienca polake kur ne ishim vend që inspironte drejt integrimit evropian, i gjithë kombi me në krye qeverinë ishim të devotshëm, madje u kthye në obsesion kombëtar për t’u bërë vend anëtar në BE. Duhet me të vërtetë vullnet dhe përpjekje nga të gjithë. Jo vetëm nga shteti, por edhe shoqëria civile. Prandaj edhe zgjerimi duhet të jetë cilësor dhe ky parim i BE-s duhet të zbatohet. Kur ne themi se duhet të plotësohen ato që njihen si 12 prioritetet, por paçka ndihmës së qeverisë së vendit tim, barra e kryerjes së punës bie mbi vendin tuaj.
Ambasador Sequi, a ndani të njëjtin mendim?
Fillimisht do të doja të sqaroja diçka, pasi lexoj shpesh në shtyp pyetjen nëse Shqipëria do të marrë një vlerësim të dytë negativ. Shqipëria e ka paraqitur kërkesën për anëtarësim duke iu përgjigjur Pyetësorit. Tani ka ardhur radha e zbatimit, plotësimit të 12 prioriteteve kyçe. Komisioni Europian do të japë vlerësimin e tij në progres-raport, që më pas do t'i kalojnë ministrave të Jashtëm dhe në çdo rast Komisioni Europian do të mund të rekomandojë dhënien e statusit të vendit kandidat vetëm atëherë kur prioritetet do të implementohen. Në historinë e zgjerimit ministrat e Jashtëm gjithmonë kanë pranuar rekomandimet e Komisionit Europian, me përjashtim të një rasti. Është shumë e rëndësishme përfshirja serioze në këtë proces, pasi vlerësimi Komisionit Europian është tejet serioz.
Ambasador Sequi, besoj se edhe skenari më i keq, që askush nga shqiptarët s’e dëshiron, ai i një përgjigjeje negative nga ministrat e Jashtëm të BE-së, duhet të merret parasysh. Nëse gjatë Presidencës polake ndodh një gjë e tillë, sa keq do të jetë një gjë e tillë për Shqipërinë, përfshi imazhin e vendit në komunitetin europian?
Statusi i vendit kandidat jepet atëherë kur një numër prioritetesh janë realizuar. Nëse do të ndalem në aspektin historik, Shqipëria në një periudhë të shkurtër ka kaluar nga izolimi te procesi i integrimit dhe kjo është e rëndësishme. Ndryshimet janë të dukshme. Ajo çfarë unë përsëris gjithnjë kur dua të shpjegoj se çfarë është Europa në fund të fundit, është se etërit themelues të BE-së, Monet, Adenauer, DeGasperi dhe Shuman kanë theksuar se atje ku ka vizion, ku ka kurajë për të lënë pas krahëve të shkuarën, mund të shihet më qartë e ardhmja. Kjo është Europa që ata ndërtuan. Një Europë ku vendet anëtare jo vetëm punuan shumë krah njëri- tjetrit, por ajo që është e rëndësishme punuan bashkërisht. Të ndërtuarit e një etniteti siç është Europa dukej si e pamundur 50 apo 60 vjet më parë. Tani është një realitet. Prandaj edhe ne duhet të shikojmë këtë qasje të kësaj trashëgimie të themeluesve të Bashkimit Europian.
Është me interes të ndalemi në situatën aktuale ku ndodhet Shqipëria. A ka dritë në fund të tunelit për një dialog dhe kompromis për çështjet e integrimit, pavarësisht një klime politike konfliktuale?
Mendoj se është e rëndësishme të pyesni palët nëse ekziston një vullnet i mirë në këtë drejtim. Ajo që mund të them: se në vendet që tashmë janë anëtare të BE-s e patën kthyer integrimin në një çështje kombëtare. Siç edhe e përmendi ambasadorja polake obsesionin e vendit të saj për t'u bërë anëtarë të BE. Unë mendoj se kjo është një gjë e mirë. Prandaj obsesioni për integrimin si një objektiv në vetvete është një gjë e mirë.
Unë do të thoja i gjithë vendi, pasi ajo që duhet të kuptohet është se integrimi europian duhet të jetë gjithëpërfshirës, duhet të përfshijë të gjithë vendin, është një proces kombëtar që mund të funksionojë vetëm atëherë kur ka një vullnet ndërgjegjësimi për të gjithë vendin e për të ecur në atë drejtim.
Para disa kohësh u shprehët se është e nevojshme që Shqipëria ta konsiderojë integrimin si një prioritet kombëtar. Pas kësaj deklarate a keni parë ndonjë lëvizje apo reflektim nga takimet që keni me aktorët e spektrit politik shqiptar?
Nëse do të flas me gjuhën e shifrave, atëherë ne e dimë që 95% e shqiptarëve duan integrimin. Kjo më bën të besoj se integrimi është fati/destini juaj dhe ne e kemi vullnetin që Shqipërinë ta shikojmë në Bashkimin Europian. Unë mendoj se është në interes të Shqipërisë të jetë në Europë. Më lejoni të citoj një thënie shumë të bukur të Vasllav Havel. "Vizioni për të qenë pjesë e Bashkimit Europian ishte promotori që udhëhoqi demokratizimin dhe transformimin e vendeve të Europës Qendrore dhe Lindore". Vendet e Ballkanit duhet të përdorin të njëjtën shtytje për të gjetur frymëzim dhe integrimi në Bashkimin Europian të shikohet si një motor nxitës për të ecur përpara. Më pyetët nëse kam marrë sinjale pozitive për këtë. Po, kam vënë re disa sinjale që më kanë lënë të kuptoj për rëndësinë që ka përparimi drejt Bashkimit Europian për klasën politike shqiptare. Unë jam një njeri që më karakterizon besimi. Unë kam besim se vullneti i mirë i 95% të shqiptarëve është pikërisht ky motori shtytës siç edhe presidenti Havel sugjeronte në vitin 2002.
Mendoni se një vullnet i tillë ekziston te politikanët shqiptarë njësoj siç është te njerëzit e thjeshtë, të cilët me plot gojë thonë se e ardhmja jonë është në Europë, por kemi një por, madje një por të madhe për atë motorin shtytës drejt unionit europian që janë politikanët shqiptarë. Janë ata të tillë?
Shikoj një ndërgjegjësim për rëndësinë e ecjes përpara në këtë drejtim. Nuk do të doja të bëja publike kontaktet personale që kam pasur apo bisedat me politikanët shqiptarë. Unë shikoj ndërgjegjësim dhe besoj se vullneti i mirë ekziston.
Mund të themi se progres po kryhet në këtë drejtim?
Progresi besoj nuk demonstrohet vetëm me fjalë, por gjithashtu edhe në veprime konkrete. Unë besoj se do të kemi përparim që është në interes të vendit. Është fakt që kemi një situatë komplekse. Kam besim në vullnetin e vendit që ka zgjedhur rrugën europiane të ecjes përpara, që herët a vonë do të bëhet realitet.
Zhvillimet post 8 Maj u ndoqën nga ju personalisht dhe kolegët e tjerë ambasadorë me intensitet. Pas ankimit, duket se keni zgjedhur t’i ndiqni këto zhvillime duke mos u parë në publik apo t’i komentoni ato. Si do ka komentonit eksperiencën zgjedhore dhe cili do të ishte komenti për vendimin e Kolegjit Zgjedhor tani që Tirana e ka një kryetar të ri bashkie?
Ekzistojnë shumë mënyra sesi mund t'i ndjekësh gjërat. Dikush ka thënë se mënyrat me të cilat punon, vepron Europa, janë të pafund. Mund të përmendim atë që quhet diplomaci publike, që në fakt është edhe kjo që ne po bëjmë tani, një paraqitje publike. Kemi edhe atë që njihet si diplomaci e heshtur. Asnjëra nuk përjashton tjetrën.
Besoni se çështja e liberalizimit të vizave mori një përkushtim maksimal të politikanëve shqiptarë, i cili është zbehur këto kohë kur flitet për integrimin evropian, pasi politikanët më shumë flasin për zgjedhjet lokale sesa për integrimin?
Liberalizimi i vizave dhe integrimi janë dy çështje të pandara nga njëra-tjetra. Liberalizimi i vizave është një hap i rëndësishëm. Në muajin e fundit kemi parë një dinamikë politike e cila e ka larguar vëmendjen nga procesi i integrimit.
Nuk do të ishte e drejtë nëse mendohet se shqiptarët duan që të jenë vetëm turistë në Europë. Shqiptarët sikurse polakët apo vendet e tjera duan një edukim më të mirë për fëmijët e tyre, një ambient më të mirë, rrugë me një sistem të përparuar, një administratë publike më eficente përfshi median, e cila duhet të kërkojë llogari për situatën pa u vënë asnjë pengesë. Kjo është pikërisht ajo që, në pikëpamjen time, duan shqiptarët, sikurse të gjithë europianët.
E shikoni presidentin Topi si njeriun e duhur i cili mund të jetë iniciatori i një tryeze të rrumbullakët, ku të gjithë aktorët politik të mblidhen dhe diskutojnë rreth axhendës që duhet të ndiqet për integrimin?
Personalisht mendoj se nuk ka rëndësi formati apo forma apo madhësia e tavolinës, për aq kohë sa Shqipëria të mund të ecë përpara në implementimin e prioriteteve kyç, të cilat janë parakusht për pranimin në Bashkimin Europian. Këto prioritete janë edhe politike. Kushdo qoftë mekanizmi për implementimin e prioriteteve, është i rëndësishëm.