Shqipëria, njeh Këshillin Tranzitor të Libisë
Shqipëria ka njohur Këshillin Tranzitor të Libisë, duke e konsideruar këtë Këshill si një përfaqësues legjitim të popullit libian.
Lajmi është publikuar nga Ministria e Jashtme, ku thuhet se qeveria shqiptare, duke vlerësuar lart aspiratat e popullit libian për demokraci e zhvillim, ka ndjekur me simpati dhe ka mbështetur veprimtarinë e Këshillit Kombëtar të Tranzicionit, programin e tij për një Libi demokratike dhe e konsideron këtë Këshill si një përfaqësues legjitim të popullit libian.
“Qeveria shqiptare është e gatshme të vendosë marrëdhënie me këtë Këshill dhe të japë ndihmën e saj për rivendosjen e paqes dhe ndërtimin e demokracisë në Libi. Shprehim bindjen se, duke ndërmarrë një hap të tillë, mbështesim kauzën e drejtë të popullit libian, për liri e progres”, thuhet ndër të tjera në këtë deklaratë për shtyp.