Ndryshimet në qeveri, Berisha mban pezull dy ministritë
TIRANË Mbyllja e sesionit parlamentar këtë të enjte do të jetë përcaktuese, edhe për lëvizjen e mbetur pezull nga kryeministri Sali Berisha, për të emëruar dy ministrat në Ministrinë e Kulturës Rinisë dhe Sporteve dhe në atë të Drejtësisë. Burime nga PD-ja deklaruan dje për gazetën “Mapo” se e vetmja lëvizje që mund të ndërmarrë kryeministri i vendit është ajo e emërimit të dy ministrave, portofolet e të cilave kanë mbetur pa drejtues, ndërsa nuk bëhet fjalë për riformatim të thellë, aq shumë i diskutuar kohët e fundit. Për shkak të rezultatit të fundit të zgjedhjeve, për herë të parë, kryeministri do të marrë në konsideratë edhe pretendimet e partisë së çamëve, PDIU, të cilët kanë konfirmuar dje se do të negociojnë sot me Berishën për pozicionin, që ata do të kenë. I vetmi portofol që mund të diskutohet me PDIU-në është Ministria e Kulturës, ndërkohe që Ministria e Drejtësisë do të mbetet ekskluzivitet i PD-së. Për këtë portofol në zyrat e selisë blu përfliten disa emra, kryesisht ekspertë ligjore të kësaj force politike. Megjithatë, emri që do të zëvendësojë Nishanin te Drejtësia pritet që të vendoset përfundimisht vetëm nga kreu i ekzekutivit. Nuk dihet ende se si do të shkojnë negociatat me PDIU-në, ndërkohë që kjo javë do të jetë përcaktuese, për të kuptuar se cila do të jetë lëvizja e kryeministrit edhe ndaj LSI-së. Zyrtarë të lartë të LSI-së nuk kanë përjashtuar përfshirjen sërish në qeveri të Ilir Metës, ndërkohë që seanca e fundit gjyqësore për këtë fundit do të mbahet më 22 Korrik. Nëse do të kemi një akord mes Berishës dhe Metës, për të rritur nivelin e LSI në qeveri, atëherë riformatimi i kabinetit mund të shtyhet për në shtator. Kjo situatë pritet të qartësohet së shpejti, pasi në bazë të ligjit, kryeministri duhet të vendosë brenda dy ditëve për ndryshimet, pasi koha nuk premton. Nëse ai vendos për këto dy zëvendësime, emrat do të shkojnë në Presidencë, dhe në rast se dekretohen po me shpejtësi, atëherë ato duhet të kalojnë seancën e fundit, të enjten, për miratim. Një ditë më pas, të premten PD-ja do të mbledhë edhe Këshillin Kombëtar, ku pritet të diskutohet vetëm për zgjedhjet e 8 majit.