E Shtunë, 31 Tetor 2026

Basha e Rama nisin garen per Tiranen

25/03/2011  Fushata e PD-së, program për qytetarët dhe shmangie nga akuzat

Basha jep dorëheqjen nga posti i ministrit dhe lë mandatin

Ministri i Brendshëm, Lulzim Basha, i ka paraqitur dje dorëheqjen nga posti i tij qeveritar, Kryeministrit Sali Berisha, si dhe lënien e mandatit të deputetit, pas kandidimit të tij për Bashkinë e Tiranës. Lajmin e ka bërë të ditur zyra e shtypit pranë Ministrisë së Brendshme. Dorëheqja vjen e bazuar në nenin 68 të Kushtetutës, i cili ndalon personat e zgjedhur të kandidojnë apo të zgjidhen në një pushtet tjetër pa dorëzuar më parë mandatin ekzistues.

Kandidati i partisë Demokratike Lulzim Basha është në fazën përfundimtare të përmbylljes së kontratës me një kompani amerikane për fushatën e tij elektorale. Burime nga shtabi i tij elektoral thanë për gazetën se emri i kompanisë do të bëhet publik në kohën e duhur dhe për të gjitha detajet është kujdesur vetë kandidati potencial. Gjithashtu në vazhdën e përgatitjeve mësohet se Basha ka preferuar ambientet e “Torre Drinit” për të ngritur shtabin e tij elektoral. Nga të njëjtat burime mësohet se kandidati i PD-së do të zhvillojë një fushatë përgjithësisht pozitiviste. Pra, duke shmangur me aq sa mundet akuzat për kundërshtarin dhe duke zhvilluar një fushatë të bazuar kryesisht në programin e zhvillimit të kryeqytetit. Sipas të njëjtave burime, infrastruktura, ujësjellësit dhe ndotja e ambientit do të jenë tri bazat mbi të cilën do të ngrihet makina elektorale e kandidatit, por natyrisht e mbështetur nga Partia Demokratike. Ndërkohë duket se nga ana tjetër gjithçka është gati. Janë përgatitur posterat dhe gjithçka tjetër duhet për fushatën. Përpos kësaj vetë Basha prej disa kohësh ka filluar takimet me bazën e PD-së, përgjatë të cilave u është përgjigjur shqetësimeve të qytetarëve të Tiranës në lidhje me rrugët, pronat, taksat etj.

LSI-ja 30 mijë vota

Edhe aleati më i madh i PD-së, Lëvizja Socialiste për Integrim, duket se do të japë një kontribut jo të vogël në fushatën e Bashës në kryeqytet. Përveç kësaj LSI-ja deklaron se vetëm në qytetin e Tiranës arrin të grumbullojë rreth 30 mijë vota. Në zgjedhjet e kaluara të vitit 2007 diferenca e Olldashit me Ramën ishte 20 mijë vota.

Konsulenca elektorale

LSI-ja nuk ka një kontratë të mirëfilltë për zgjedhjet, por vazhdon konsulencën e përhershme me të njëjtën kompani që zhvilloi fushatën e saj elektorale në vitin 2009. Megjithëse ka kandidatë në tri bashki të mëdha dhe gati shtatë të dyta, LSI-ja deklaron se vëmendja e saj më e madhe do të jetë sërish Tirana.

Rama konfirmon rikandidimn në Tiranë

Kryetari i PS-së, Edi Rama, do të jetë kandidati i opozitës në garë për Bashkinë e Tiranës në zgjedhjet e tetë majit. Edi Rama ka konfirmuar emrin e tij në emisionin “Top Story” të Sokol Ballës në Top Chanel. Nga ana e tij Rama u deklarua i sigurt se do e fitojë këtë garë. Kreu i PS-së u shpreh se nuk ka dashur që të kandidojë për shkak të angazhimeve të shumta, por kjo ka qenë një kërkesë e përkrahësve të tij. Rama u shpreh se zgjedhjet e 21 majit do jenë një luftë derë më derë, jo vetëm për të mbrojtur fitoren, por edhe për të siguruar fitoren e PS-së, e cila me sa duket këtë herë do të jetë më shumë një betejë politike, se sa zgjedhje për pushtetin lokal. “Do më lejoni që tju shpjegoj me pak fjalë procesin që për mua personalisht ka qenë një proces i ngarkuar shpirtërisht. Ka qenë një proces shumë i ngarkuar për një arsye shumë të thjeshtë, se mendja ime dhe sigurisht arsyeja normale e shumëkujt rreth e rrotull meje, si dhe miq e dashamirës, më kanë thënë prej kohësh se është koha për ti dhënë Tiranës një tjetër kandidat. Dhe për mua që të angazhohem fund e krye me punën aspak të lehtë të udhëheqësit të opozitës. Mirëpo në anën tjetër më është dashur përditë e më shumë, e sa më shumë ka afruar dita që po flasim aq më shumë zërat e mijëra njerëzve drejtpërdrejtë me mesazhe emaile dhe letra më kanë kërkuar të qëndroj kryetar i Bashkisë së Tiranës, siç më kërkonin diçka që nuk duhet të refuzoja. Dhe kjo është bërë akoma më e dukshme nga vetë miqtë dhe bashkëpunëtorët apo deputetët, të cilët kanë ndarë me mua ca kohë më parë bindjen se ishte koha për një ndryshim. Unë do e marr përsipër të qëndroj kryetar i Bashkisë së Tiranës, për të gjitha ata që e kërkojnë këtë gjë nga unë, dhe që kanë arritur të çojnë fjalën e tyre tek unë. Kjo për mua sot është një detyrim që e ndjej si pjesë integrale të kësaj beteje për tu përballur me këtë regjim. Unë do të qëndroj kryetar i Bashkisë së Tiranës”, tha Rama. Ndërsa tha se pas fitores do të garojë për zgjedhjet e përgjithshme për tu bërë kryeministër.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›