E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topi: Presidenti të zgjidhet me referendum

25/03/2011  Zgjedhja e Presidentit

Presidenti i Republikës është shprehur i mendimit se zgjedhja e kreut të shtetit vitin e ardhshëm duhet të bëhet me referendum popullor. Në intervistën e dhënë për emisionin “Zona B” të gazetarit Baton Haxhiu, kreu i shtetit duke iu referuar pavarësisë institucionale është shprehur se institucioni që ai drejton “Qëndron mbi partitë dhe është garant, besoj, i fortë i jetës së këtyre institucioneve të pavarura, duke kërkuar edhe nga partitë politike të bëjnë të njëjtën gjë”, – është shprehur Topi. Dhe në këtë pikëpamje, i pyetur nga gazetari Haxhiu se si do ishte më mirë të zgjidhej Presidenti, i cili iu referua votimit të tij në krye të shtetit, Bamir Topi ka theksuar se “Këtu ka pasur disa ndryshime kushtetuese, që janë realizuar në prillin e vitit 2008 në bashkëpunim midis partive politike dhe asgjë këtu nuk konsiderohet jo legjitime”. Ndërsa shtoi se “Është një ndryshim legjitim, sepse ka ardhur mbi bazën e një numri të domosdoshëm kushtetues për të ndryshuar Kushtetutën. Çështja e zgjedhjes së Presidentit nëse do të jetë në opsionin në një mazhorancë të thjeshtë, e cila kuptohet që është politike, apo do të jetë në popull. Unë personalisht preferoj standardin më të lartë të demokracisë, të zgjedhjes direkt nga populli”, – nënvizoi Presidenti Topi. Duke mohuar se këtë deklaratë e kishte në sens personal, ai theksoi se “Këtu diskutojmë për çështje të një karakteri parimor në një zgjedhje relative. Të dyja janë legjitime: edhe zgjedhja nga Parlamenti, edhe zgjedhja nga populli. Në preferencat e mia duke iu referuar standardeve më të larta të demokracisë do të mendoja se zgjedhja nga populli do të ishte zgjedhje relative më e mirë”, – tha Topi.

Ndërsa pyetjes se “A do të konkurronit edhe një herë si President me një formulë, e cila ju ka zgjedhur President herën e kaluar?”, Presidenti Topi iu përgjigj duke thënë se “Nuk mund të shprehem sot për asgjë, për gjëra që i takojnë një perspektive. Një perspektive, e cila vlerësohet jo thjesht në distancë kohore, sepse ka njerëz vizionarë, të cilët bëjnë parashikime shumë të rëndësishme. Unë dëshiroj të jem shumë i qartë në momentet e vendimmarrjes time. Vërtet vendimmarrja duhet të projektohet në një kohë të arsyeshme, por sa kohë jam në këtë pozicion, të jeni të bindur se nuk do të ketë asnjë lloj shpalosje të një projekti që ka të bëjë me periudhën mbas mbarimit të mandatit tim si President i Republikës”, – u shpreh Topi. Në lidhje me ndërkombëtarizimin e çështjes e “21 janarit”, dhe qëndrimit të tij ndaj saj, Presidenti Topi u shpreh se “çdo institucion duhet të ketë koshiencën për të qëndruar në pozicionin e tij, mbi bazën e asaj që i ka dhënë Kushtetuta. Dhe për këtë partitë politike duhet të dinë të respektojnë institucionin. Respekti për institucionin nuk është thjesht respekti për individin. Pra, kërkohet civilizim, kërkohet mjaft qytetari, kërkohet elegancë në komunikimin institucional”, – u shpreh Presidenti Topi në intervistën e dhënë për TVKlan Kosovën.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›