E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kapet oficeri, spiunoi trukuesit e ndeshjeve

25/03/2011  Dekonspironte aksionet e policisë, pas arrestimeve fshihej në Lezhë

TIRANË- Policia arreston një oficer të Policisë Gjyqësore në Lezhë, që furnizonte me informacione të vlefshme të arrestuarit në skandalin e trukimit të ndeshjeve të futbollit. Burime pranë policisë thanë se seksioni i Antikrimit Ekonomik në Policinë e Shtetit organizoi dje një operacion në qytetin e Lezhës, ku u prangos oficeri i Policisë Gjyqësore Selami Kalej, i cili që pas arrestimeve të mëparshme ishte fshehur në zonat e Shkodrës dhe Lezhës për t’u shpëtuar prangave. Të njëjtat burime policore thanë se po verifikohet pozicioni i një zyrtari të Lartë të Federatës Shqiptare të Futbollit dhe një tjetër presidenti klubi. Gjithashtu verifikime po kryhen edhe për disa arbitra të tjerë. Ndërkaq, për rastin e oficerit të Policisë Gjyqësore mësohet se ai lajmëronte me telefon personalisht Paro Laçin, presidentin klubit të futbollit të Rubikut, tashmë të arrestuar, si dhe personat e tjerë që kanë rënë në pranga se ndaj tyre kishte nisur një hetim dhe ishte mirë që të mos binin në sy. Oficeri Kalej, sipas burimeve policore, ka kryer kështu një vepër penale, duke dekonspiruar hetimet e policisë. Prej disa ditësh ai strehohej në disa miq në Lezhë dhe Shkodër, por dje u vu në pranga.

Trukimet e ndeshjeve

Paro Laçi, personazh i njohur në botën e sportit dhe të biznesit, u arrestua me tetë persona të tjerë, nën akuzat për korrupsion dhe mashtrim në shuma të mëdha financiare. Arrestimi ka ndodhur në flagrancë siç tha policia, sapo Paro Laçi kishte marrë në dorëzim një shumë ryshfeti prej 40 mijë eurosh nga një biznesmen, të cilit i kishte premtuar licencë nga Ministria e Ekonomisë. Akuzat që rëndojnë mbi Paro Laçin kanë të bëjnë me shumat financiare që ai ka përfituar kundrejt premtimeve për ndërhyrje të paligjshme në lirimin e një të akuzuari për vrasje në Gjykatën e Apelit Shkodër dhe mundësimin e një licence minerare për një biznes nga Ministria e Ekonomisë. Një tjetër akuzë e ngritur ndaj Paro Laçit është ofrimi i ryshfetit prej 500 mijë lekësh të reja për gjyqtarin e ndeshjes së klubit të Rubikut me një skuadër të kategorisë së dytë, e cila përfundoi me rezultatin e barabartë 1-1. Të arrestuarit e tjerë ishin Agron Arusha, Bledar Kume, Kozma Kule, Shkëlqim Balliu, Endri Dimo, Altin Xhura dhe Agron Laçi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›