E Diel, 1 Nëntor 2026

Basha feston 39-vjetorin mes takimeve e inaugurimeve

TIRANE- Dita e djeshme për kryebashkiakun e Tiranës, Lulzim Basha, ka qenë më e veçantë se të tjerat, pasi ka përkuar me 39-vjetorin e lindjes së tij. Por kjo ditë për të, më shumë se një ditë feste, ka qenë një ditë e ngarkuar me shumë angazhime, të cilat kanë startuar në orën 9:30 të paradites dhe janë mbyllur me mitingun e orës 20:00 në Laprakë. Ditëlindjen kreu i bashkisë e ka kaluar mes inaugurimeve, takimeve me banorët në njësinë nr.2, por edhe me takime me qytetarë në ambientet e bashkisë. Ditëlindja e tij, 12 qershori, nuk është harruar nga bashkëpunëtorët, por edhe punonjësit e bashkisë, të cilët i kanë dërguar buqeta me lule. Por sipas burimeve pranë bashkisë, tufat me lule kanë ardhur edhe nga simpatizantë të shumë të Bashës. Ndërkohë që dhuratën më të çmuar kreut të bashkisë së kryeqytetit ia ka bërë Deçani, pasi e ka nderuar me medaljen e artë “Shkëlzen Haradinaj” si dhe Bashkia e Prishtinës dy ditë më parë, pasi e shpallën “Qytetar nderi të Prishtinës”. MEDALJA&FESTIMET 
Lulzim Basha ditën e djeshme ka festuar 39-vjetorin e lindjes. Sipas stafit të tij, axhenda e ditës së mërkurë ka qenë më e ngjeshur se ditët e tjera, pasi ai ka filluar takimet në mëngjes herët dhe i ka mbyllur në mbrëmje, në një miting të Partisë Demokratike në Njësinë nr.11. Po ashtu, të njëjtat burime sqarojnë se numrit një të bashkisë me rastin e ditëlindjes së tij i kanë ardhur disa tufa me lule në zyrë, ku padyshim njëra prej tyre ka qenë nga stafi i bashkisë. Kryetari i bashkisë, Lulëzim Basha, një ditë më parë është nderuar me medaljen e artë që mban emrin e heroit të Kosovës, Shkëlzen Haradinaj. Në një ceremoni në kullën e Haradinajve, në Gllogjan të Deçanit, kryetarit të bashkisë i është dorëzuar medalja me motivacionin për mirënjohjen dhe mbështetjen që ai i ka dhënë Kosovës. “Ju falenderoj pa masë për këtë nder të veçantë. Sakrifica e familjes Haradinaj përbën një shembull frymëzimi për çdo shqiptar. Do vazhdoj të përbëjë një shembull frymëzimi për çdo të ri”, - tha Basha. Kreu i bashkisë, Lulzim Basha ka vendosur kurora me lule dhe është përkulur me nderim dhe respekt para sakrificës sublime të heronjve të Kosovës, që prehen në varrezat e Dëshmorëve në Gllogjan. 
INAUGURIMET 
Ditën e djeshme kryebashkiaku Basha ka inspektuar përfundimin e punimeve në rrugën “Llambi Ziçishti”, ku bashkia ka investuar 16.5 milionë lekë. Përgjatë kësaj rruge është ndërtuar sistemi i ujësjellësit, kanalizimet e ujërave të bardha dhe të zeza si dhe 14 shtylla ndriçimi dhe gjelbërim. Po ashtu, ai ka qenë i pranishëm në fillimin e punimeve për rikualifikimin e bllokut të banimit pranë ish-fushës së aviacionit, ku ka deklaruar se me mbështetjen e qeverisë do të ndërtohet e gjithë infrastruktura e njësisë bashkiake nr. 7. Vlera e investimit në këtë bllok banimi është rreth 96 milionë lekë dhe afati i punimeve është tetë muaj. Ndërtimi i këtij blloku sipas kryebashkiakut Basha, është shenjë e dedikimit që ka bashkia ndaj interesit të qytetarit, pavarësisht ku jetojnë, pavarësisht bindjeve të tyre politike.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›