E Diel, 1 Nëntor 2026

QSUT: Familjarët refuzuan autopsinë, nuk i bëmë glukozë, por fiziologjik

TIRANE - Pas publikimit të rastit në media, ka reaguar edhe Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza”. Me anë të një njoftimi për mediat, kjo qendër ka hedhur poshtë faktin se pacienti Bashkim Hasani është mjekuar me serum me glukozë. “Drejtoria e Përgjithshme e Qendrës Spitalore ‘Nënë Tereza’, pasi u njoh me rastin e publikuar në shtypin e shkruar për vdekjen e një pacienti në urgjencën e Spitalit nr.2, drejtuesit e institucionit organizuan një takim me mjekët e shërbimit të rojës së urgjencës kirurgjikale, medikale dhe të reanimacionit.

Në këtë takim u raportua se rasti u paraqit tek urgjenca kirurgjikale me dhimbje barku, për të cilat iu bënë të gjitha ekzaminimet dhe konsultat e nevojshme. Gjendja e pacientit Bashkim Hasani ishte tepër e rënduar dhe pas ekzaminimeve të kryera u dërgua menjëherë në sallën e emergjencës dhe u intubua, iu bë goditje elektrike, por nuk mundi të rikthehej në jetë”, thuhet në njoftimin e QSUT-së.

Më tej, deklarata vijon: “Gjatë 2 orëve të qëndrimit në spital pacientit Hasani iu bë serum fiziologjik dhe ringerlaktak, kjo e dokumentuar në regjistër, dhe jo glukozë, siç thuhej në rreshtat e gazetës. Ndërkohë, pasi vdes i sëmuri, është në dëshirën e familjarëve, kjo e përcaktuar edhe në ligj, nëse trupit të viktimës i bëhet ose jo autopsia mjekësore. Në këtë rast, familjarët e viktimës Bashkim Hasani refuzuan bërjen e autopsisë së të afërmit të tyre”, thuhet në njoftimin e QSUT-së.

(er.nu/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›