Basha jep dorëheqje, kandidon për Tiranën

Ministri i Brendshëm, Lulzim Basha i ka paraqitur dorëheqjen nga posti, kryeministrit Sali Berisha, në kuadër të kandidimit të tij për kryetar të bashkisë së Tiranës.
Sipas informacioneve të fundit, Basha i ka komunikuar dhe kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli, heqjen dorë të tij nga mandati i deputetit.
Basha do të garojë më 8 maj për bashkinë e kryeqytetit kundër Edi Ramës, që drejton këtë institucion prej tre mandatesh rresht.
Kundër tij kanë garuar më parë nga PD Besnik Mustafaj, Spartak Ngjela, sot aleat dhe Sokol Olldashi, por asnjë prej tyre nuk ka dalë fitues ndaj Ramës, që është njëkohësisht edhe lideri i opozitës.
Dorëheqja e Bashës bëhet një ditë para zyrtarizimit si kandidat i Partisë Demokratike për bashkinë e Tiranës që do të zhvillohet nesër në orën 18:00 tek Pallati i Sportit “Asllan Rusi”, duke respektuar në këtë mënyrë krejtësisht ligjin, një veprim që kandidati socialist përballë tij nuk e ka bërë në kohën kur ishte ministër.
Basha është kandidatura unanime e Partisë Demokratike për bashkinë më të madhe të Shqipërisë, atë të Tiranës.
Basha ka qenë deputet i PD-së që nga viti 2005 dhe në 2009 deputet demokrat në Qarkun e Elbasanit.
Basha është një nga figurat kryesore të Partisë Demokratike dhe pas asnjë dyshim cilësohet si ministri me kontribute të mëdha në qeverinë Berisha ku ka mbajtur dhe 3 poste, atë të ministrit të Transporteve, të Punëve të Jashtme dhe ministër i Brendshëm.
Në të tre këto poste, zoti Basha ka dhënë kontribute të qënësishme, pavarësisht sulmeve të vazhdueshme të socialistëve për rrugën e kombit autostradën Durrës- Kukës, anëtarësimit në NATO.
Po një nga kontributet më të mëdha të Bashës dhe që lidhet me një nga ëndrrat shekullore të shqiptarëve, ishte liberalizimi i vizave për shqiptarët në të gjithë hapësirën Shenghen.
Po cili është profili i Zotit Basha?
Aktiviteti Politik:
Shtator 2009-në vazhdim Ministër i Brendshëm
Maj 2007-Shtator 2009 Ministër i Punëve të Jashtme
Shtator 2005-Maj 2007 Ministër i Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit
Shtator 2005-në vazhdim Deputet i Legjislaturës XVII të Kuvendit të Shqipërisë
Maj–Korrik 2005 Zëdhënës i Fushatës Zgjedhore 2005
Maj 2005 dhe në vazhdim Anëtar i Kryesisë së Partisë Demokratike
Prill 2005-në vazhdim Anëtar i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike
Janar 2005-në vazhdim Koordinator i Komitetit të Orientimit të Politikave, PD
Përgjegjës për koordinimin e punës së ekspertëve dhe komisioneve të KOP në përgatitjen, diskutimin dhe shpalljen e 17 projekt- platformave qeverisëse nga KOP për Partinë Demokratike
Nëntor 2002–Janar 2005 Këshilltar Special për Tranzicionin. Departamenti i Drejtësisë UNMIK, Prishtinë, Kosovë
Përgjegjës për përgatitjen e tranzicionit të Departamentit të Drejtësisë të UNMIK drejt një Ministrie të Drejtësisë të Kosovës. Përfshinte përgjegjësitë për hartimin e plan-veprimit dhe mbikqyrjen e fazave të zbatimit të këtij plani.
Tetor 2001–Nëntor 2002 Zv. Shef i Kabinetit të Drejtorit të Departamentit të Drejtësisë UNMIK
Korrik 2000–Tetor 2001 Këshilltar Ligjor në Departamentin e Drejtësisë të UNMIK
Maj 1998–Korrik 1999 Pjesëtar i skuadrës së hetimit të krimeve të luftës nga forcat serbe në Kosove:Tribunali Ndërkombëtar për Krimet e Luftës në ish Jugosllavi
Arsimi - Jurist (Meester in de Rechten ekuivalenti i LLM), i specializuar në të Drejtën Europiane dhe Ndërkombëtare
/tch&abnews/