E Shtunë, 31 Tetor 2026

Basha kundër rritjes së çmimit të biletave

20/01/2012  Transporti publik, bashkia e Tiranës do të ndërmarrë një studim me ekspertë të pavarur për çmimet

“Pretendimet e ngritura nga shoqata e transportit publik për dyfishimin e çmimit të biletave dhe aboneve do ti nënshtrohen një analize të mirëfilltë studimi, pasi askush nuk ka të drejtë të kërkojë rritje të hamendësuara në kurriz të qytetarëve, - kjo është përgjigjja e dhënë nga kryebashkiaku Lulzim Basha pas shqetësimit të ngritur për një rritje të mundshme të çmimit të biletave deri në 70 lekë për frekuentimin e linjave urbane. Duke i cilësuar si lojë kungulleshkash, Basha ka dalë kundër deklaratave të bëra nga shoqata e transportit, duke konfirmuar se nuk do të lejojë abuzime të tilla, që rëndojnë xhepat e qytetarëve. Sipas kryebashkiakut, deri dje në tavolinën e tij të punës nuk ka mbërritur asnjë kërkesë e Shoqatës së Transportit me propozimet për rritjen e çmimit; e në rast se një gjë e tillë do të ndodhë në ditët e ardhshme, kjo kërkesë duhet të jetë e argumentuar në detaje se pse çmimi i biletës duhet të rritet. Për të shmangur rritjet abuzive, do të bëhet një studim nga ana e Bashkisë me ekspertë të pavarur në lidhje me shërbimin urban që ofrohet në kryeqytet. "Duhet parë se çfarë baze ka kjo kërkesë, që të mos e bëjmë lojë kungulleshkash: “70. Po pse 70? Po sa?” Askush nuk ka të drejtën të propozojë një shifër hamendësive mbi asgjë dhe aq më pak për diçka kaq të ndjeshme siç është bileta e transportit publik. Ka një vizion të përbashkët për të ecur përpara, që ka të bëjë me shërbim më cilësor, në kuptimin e cilësisë së autobusëve, frekuenca, respektimi i orarit dhe natyrisht këtu edhe kostoja e operimit të transportit publik ka vend për analizë", - ka deklaruar Basha gjatë një takimi të zhvilluar me studentët e një prej universiteteve private në vend. Më tej kryebashkiaku ka sqaruar se kërkesa për rritje çmimi nuk ishte kërkuar nga shoqatat e transportit gjatë takimit të zhvilluar rreth një javë më parë ndërmjet tyre. "Kërkesa për rritjen e çmimeve të biletave nuk mu konfirmua në takimin që pata me shoqatën, po nëse kjo kërkesë ekziston, duhet parë se çfarë baze ka kjo kërkesë. Ne jemi ulur dhe kemi parë problematikat, megjithatë në thelb të procesit mbetet interesi publik, interesi i qytetarëve të Tiranës dhe objektivat tona sa i takon ofrimi të shërbimit me tarifë të reduktuar fillimisht, deri në tarifë zero për studentët dhe pensionistët mbi 65 vjeç”, - ka vijuar më tej Basha. Por edhe për të arritur këtë synon do të bashkëpunohet me drejtuesit e transportit publik duke iu ofruar atyre lehtësirat e duhura. Në takimin e zhvilluar me studentët Basha ka detajuar prioritet sa u takon botës universitare, ku një ndër më të rëndësishmet është hartimi i kartës së studentit, e cila nuk do tu vijë në ndihmë vetëm universiteteve publike, por edhe atyre private. Për këto të fundit pritet që gjatë javës së ardhshme të nënshkruhet marrëveshja e bashkëpunimit. Ndërsa për arsimin e lartë publik deri në fund të këtij muaji pritet të zbardhet lista e plotë e studentëve që do të pajisen me këtë kartë. Gjithashtu Basha është ndalur edhe te nismat për rritjen e nivelit të punësimit në radhët e të rinjve, ku krahas etazheve që do të ofrojnë institucionet publike dhe ato private kundrejt një pagese prej 10 mijë lekësh do të punohet edhe me ofrimin e lehtësirave për bizneset deri në reduktimin e plotë të taksave, nëse do të sigurojnë 50-70 vende pune.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›