E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ankesat për mbifaturim, 70% e rasteve klienti s’ka të drejtë

20/01/2012   “CEZ Shpërndarje” nis kontrollin e punës së lexuesve të matësave të energjisë elektrike

Kompania çeke e shpërndarjes së energjisë elektrike do të nisë kontrollin e matësave, për të verifikuar ankesat e konsumatorëve. Sipas të dhënave zyrtare të kompanisë “CEZ Shpërndarje” ankesat që lidhen me mbifaturimet, apo problemet e matësave përbëjnë rreth 40 për qind të rasteve. Megjithatë, jo gjithmonë këto ankesa janë të bazuara. Pas verifikimeve ndodh që matësi ka lexuar saktësisht energjinë e harxhuar. “Rreth 40% e ankesave që vijnë nga abonentët janë ankesa që kanë të bëjnë me pretendime për pasaktësi në leximin e matësave. Në rreth 70% të ankesave për mbifaturim vërtetohet që pretendimi i klientit nuk është i saktë. 50% e ankesave për faturim të pretenduara gabim, janë për periudhën 2007 dhe 2008”, - theksojnë burimet zyrtare të kompanisë “CEZ Shpërndarje”.

Kontrollet e matësve

Zbatimi i projektit për kontrollin e punës së lexuesve të matësit ka filluar këtë javë. “’CEZ Shpërndarje’, në kuadër të transparencës me klientët dhe të angazhimit për të ofruar një shërbim sa më cilësor. Deri në fund të muajit shkurt, 100 prej faturistëve të kompanisë së shpërndarjes së energjisë elektrike do të shoqërohen në terren nga një menaxher, i cili do të monitorojë procedurën e punës së lexuesit përkatës. Ndërsa lexuesi kryen procedurat normale të ditës së tij të punës, menaxheri, këtë radhë jashtë zyrës së tij, do të mbajë shënime mbi procesin e punës duke krahasuar në fund të dhënat me ato të lexuesit”, - theksojnë burimet zyrtare të “CEZ Shpërndarje”. Në fund të muajit shkurt do të bëhet një analizë e përgjithshme mbi situatën, duke u bazuar mbi shënimet e menaxherëve përkatës. Për çdo problem që do të vihet re kompania do të marrë masa qoftë edhe ndaj punonjësve të saj. “Kompania ‘CEZ Shpërndarje’ është e vendosur në masat që do të merren deri dhe në zëvendësimin e punonjësve që rezultojnë të jenë problematikë dhe të korruptuar me punonjës të rinj. ‘CEZ Shpërndarje’ është plotësisht e angazhuar për t’ju ofruar klientëve të saj një shërbim sa më cilësor dhe të drejtë. Monitorimi në terren i punës së lexuesve vjen pas prezantimin të projektit për fotografimin e matësave dhe përdorimin e aparaturave PDA për një lexim sa më të saktë të konsumit të energjisë”, - thanë burimet. Ky projekt gjithashtu ndihmon në kontrollin mbi saktësinë e PDA-së që përdoret për leximin e matësve të energjisë elektrike.

Mbi 82 milionë euro importi

për humbjet gjatë vitit 2012

Enti Rregullator i Energjisë ka miratuar importin e rreth 1,317,600 MWh energji nga “CEZ Shpërndarje” për vitin 2012, që do t’i kushtojë kësaj kompanie mbi 82 milionë euro, për mbulimin e humbjeve. Vendimi është marrë në fund të vitit të kaluar dhe lidhet me nënshkrimin e kontratës mes shoqërisë “CEZ Shpërndarje” dhe shoqërisë EFT AG, për prokurimin e energjisë elektrike për mbulimin e humbjeve në sistemin e shpërndarjes për këtë vit. Sipas relacionit të Bordi i Komisionerëve të ERE-s, pas shqyrtimit të procedurës së prokurimit dhe rregullave realizohet kushti që ERE të miratojë lidhjen e kontratës me kusht që çmimi i pranuar në kontratë të jetë më i ulët se ai i ofertës së paraqitur në tenderin e anuluar përpara se të fillojë procedura me negocim. Sipas vendimit, periudha e lidhjes së kontratës është 1.1.2012 deri më 31.12.2012, për një sasi prej 1,317,600 MWh. Ndërkaq, çmimi për njësi sipas kontratës do të jetë prej 62.40 euro/MWh. Gjatë kësaj periudhë kompania çeke e shpërndarjes ka importuar rregullisht energji edhe në tregun ndërkombëtar për shkak se konsumi i qytetarëve është rritur ndjeshëm dhe nuk mund të mbulohet vetëm nga sasitë e prodhuara në hidrocentralet e vendit.

Si llogaritet fatura

Për një konsumator familjar informacioni mbi sasinë e energjisë elektrike të konsumuar kalon nga Departamenti i Matjes së Energjisë, të cilët kryejnë leximin e matësit të energjisë. Përpunimi i të dhënave dhe përpilimi i faturave bëhen nga Departamenti i Faturimit. Në sistemin e faturimit janë të regjistruara të gjitha të dhënat identifikuese për një konsumator së bashku me të dhënat që lidhen me kategorinë e konsumatorit dhe çmimin e energjisë që aplikohet për këtë konsumator. Kështu bazuar në leximin e fundit sistemi llogarit në mënyrë automatike vlerën në lekë për konsumin deri në 300 kWh me 7.7 lekë/kWh dhe me 13.5 lekë/kWh për konsumin mbi 300 kWh. Përveç sa më sipër në faturë përfshihet dhe konsumi në ambientet e përbashkëta, i cili matet nga një matës i veçantë dhe përpjesëtohet mes banorëve duke aplikuar çmimin 8 lekë/kWh. Vlera e energjisë së konsumuar është shuma e këtyre elementeve (Konsum deri në 300 kWh, konsum mbi 300 kWh dhe ambiente të përbashkëta). TVSH-ja llogaritet mbi këtë vlerë. Shuma e të gjithë zërave të mësipërm përfshirë dhe taksën mujore të televizorit përbën totalin e faturës së energjisë dhe totalin për t`u paguar nga konsumatori.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›