E Shtunë, 31 Tetor 2026

Basha, masa konkrete për 6 shkolla të reja dhe rritjen e sigurisë

13/09/2011   Nisja e vitit të ri shkollor 2011-2012

Mbi 645 mijë nxënës të arsimit parauniversitar u janë drejtuar gjatë ditës së djeshme shkollave në vendbanimet e tyre për të iniciuar vitin e ri mësimor 2011-2012. Kryebashkiaku Lulzim Basha ka përzgjedhur shkollën “Skënder Çaçi”, ku ka qenë dhe vetë nxënës, për të ndarë urimet e nisjes së një viti të mbarë mësimor. Teksa ka ndarë urimet e para për nxënësit dhe mësuesit, Basha ka deklaruar se bashkia ka ndërmarrë tashmë masa konkrete për rritjen e nivelit të sigurisë për nxënësit si dhe nismat për ndërtimin e shkollave të reja, që do të shmangin mbipopullimin e klasave. “Ne do të planifikojmë së shpejti hapjen e shesheve të ndërtimit për ndërtimin e 6 shkollave 9-vjeçare gjatë vitit 2012, gjë që do të reflektohet edhe në buxhetin që do t’i paraqesim këshillit bashkiak”, - është shprehur Basha. Aktualisht Bashkia e Tiranës ka marrë disa masa përpara fillimit të vitit të ri shkollor, kryesisht në drejtim të sigurisë së nxënësve në ato shkolla që gjenden afër rrugëve kryesore, ku ka qarkullim të madh të makinave. “Ne do ta përqendrojmë vëmendjen këtë vit shkollor në 3 drejtime. Së pari, siguria në shkolla, duke nisur me sigurinë rrugore të fëmijëve në hyrje-daljet, në shkollat e Tiranës; disiplinimi i trotuarit dhe vendosja e sinjalistikës. Këtu te “Skënder Çaçi” është një tregues se si do të veprohet edhe në shkollat e tjera të kryeqytetit, me prioritet ato që kanë një ekspozim të menjëhershëm ndaj trafikut. Së dyti, do të shtojmë përpjekjet për kurimin e gjendjes higjienosanitare në shkolla. Një shkollë duhet të ketë tualete funksionale dhe të pastra. Po ashtu kemi përparuar dhe me planifikimin e shkollave të reja, sepse në shumë shkolla ka nxënës që udhëtojnë 20-45 minuta për të ardhur në shkollë. Ky është një standard i papranueshëm në qytetin tonë, për qëllimet dhe objektivat që Bashkia e Tiranës i ka vënë vetes”, - ka deklaruar Basha. Lidhur me problemet në shkollat për të cilat higjiena kishte kërkuar mbylljen e tyre Basha theksoi: “Ndërhyrja në shkollat e mbyllura nga autoritetet e higjienës vazhdon. Jam informuar se janë eliminuar pasojat e klasifikimit të tyre si të pasigurta, por e rëndësishme është që të eliminohen edhe shkaqet, në mënyrë që gjendja të mos përsëritet. Ka gjithashtu katër objekte shkollore që kanë mbetur peng i burokracive dhe mosveprimit.”

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›