E Shtunë, 31 Tetor 2026

Paratë e të dënuarve deri në 2014-n

12/09/2011  Kësti i parë është dhënë për më shumë se gjysmën e përfituesve

Fondet do t’i marrin më parë ata ish-të përndjekur që janë gjallë

Qeveria ka planifikuar ndarjen e dëmshpërblimit për gjithë ish-të dënuarit që janë mbi 85 vjeç deri në vitin 2012. Ndërsa pjesa tjetër do të marrë këstet sipas radhës, duke përfituar këstin e dytë ai që ka marrë më herët këstin e parë. Ndërkaq, fondet në dispozicion të këtij procesi shtohen çdo vit. Këtë vit planifikohet të ndahet një fond prej 2 miliardë lekësh, i cili në 2014 pritet të kapë nivelin e 3,2 miliardë lekëve ,për të garantuar ndarjen e të gjitha kësteve për përfituesit.

Fondet

Dëmshpërblimi për ish-të përndjekurit ka nisur që në 2008, kohë kur qeveria kishte planifikuar 1 miliard lekë dhe më pas në 2009, me një fond prej 2,2 miliardë lekë. Fondet e destinuara për këtë kategori kanë hasur luhatje nga viti në vit edhe në bazë të aplikimeve të bëra nga vetë të interesuarit. Në 2010-n qeveria parashikoi një fond prej 1 miliard lekësh, në 2011 fondi arriti në 2 miliardë lekë. Ndërkaq, parashikimi arrin në 2,5 miliardë lekë për vitin 2012, fond që pritet të shtohet akoma më shumë në 2013, duke kapur nivelin prej 3 miliardë lekë dhe në 2014, kur pritet të kapë nivelin e 3,2 miliardë lekëve.

Rehabilitimi i ish-të dënuarve

Politika e këtij programi konsiston në integrimin dhe rehabilitimin e shtresës së ish-të përndjekurve politikë në jetën e shoqërisë shqiptare. Kjo e mbështetur në legjislacionin shqiptar për integrimin e kësaj shtrese dhe veçanërisht neni 12 për statusin e ish-të përndjekurve politikë. Sa u takon objektivave deri në vitin 2014, më kryesoret lidhen me ndjekjen e gjitha problemeve dhe çështjeve sociale që kanë të bëjnë me ish-të përndjekurit politikë, si dhe bashkëpunimin me të gjitha shoqatat për përkujtimin dhe rehabilitimin e ish-të përndjekurve politikë. Këto dy objektiva do të arrihen duke ndjekur të gjitha problemet dhe fazat e procesit të dëmshpërblimit. Numri i ish-të përndjekurve që do të trajtohen nga këto programe do të jetë përkatësisht 360 në vitin 2011, 390 persona në vitin 2012, 430 persona të trajtuar në vitin 2013 dhe 450 persona të trajtuar në vitin 2014. Programi përfshin trajtim me ndihmë ekonomike dhe transferta të shoqatave të ish-të përndjekurve, për të bërë të mundur rehabilitimin dhe integrimin e plotë të tyre në jetën shoqërore.

Ndryshimet ligjore

Duke ndjekur këtë program politik, qeveria në fillim të shtatorit i bëri një amendim ligjit “Për dëmshpërblimin e ish-të dënuarve politikë të regjimit komunist”. Sipas kreut të qeverisë, Sali Berisha, me këtë amendim zgjerohet spektri i atyre që përfitojnë, duke qenë se në ligjin ekzistues është bërë një interpretim jokorrekt i veprave për të cilat janë dënuar gjatë diktaturës kundërshtarët e regjimit. Ligji ndryshon gjithashtu rregullin për ata që janë mbi 85 vjeç, duke mbajtur një qëndrim tjetër në kohën për dëmshpërblimin e tyre.

Dëmshpërblimi sipas moshës

Ish-të përndjekurit mbi 85 vjeç do të marrin të gjithë dëmshpërblimin që u takon pa këste brenda vitit 2012. Ndryshimet më të fundit në ligj do të bëjnë të mundur që kjo kategori të përfitojë totalin e shumës së mbetur pa marrë brenda një kësti dhe jo në tetë këste, që përkthehen në më shumë se 8 vite. “Të burgosurit mbi moshën 85 vjeç në 2012-n, nuk do të marrin më këste, por e gjithë shuma që ka mbetur do të merret me një këst duke i zbritur shumën që ka marrë”, është shprehur pak kohë më parë Simon Miraka, kreu i ish-të përndjekurve. Instituti i Integrimit i ish-të përndjekurve politikë, i krijuar me ligjin 8246 dt. 1.10.1997, ka për mision përpunimin dhe trajtimin e çështjeve themelore që kanë të bëjnë me shtresën e ish-të përndjekurve politikë në Shqipëri, si dhe harton programe dhe zhvillon politikat e integrimit në jetën e shoqërisë shqiptare të ish-të përndjekurve politikë të regjimit komunist.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›