E Shtunë, 31 Tetor 2026

Basha me 50 të rinj udhëtim simbolik në Bruksel

Pas hyrjes në fuqi të vendimit për liberalizimin e vizave, ministri i Brendshëm, Lulzim Basha, së bashku me 50 të rinj shqiptarë do të zhvillojë një udhëtim simbolik në Bruksel.
Të shoqëruar nga ministri Basha, këta qytetarë do të priten në takime të veçanta nga përfaqësues të lartë të Komisionit, Këshillit dhe Parlamentit Evropian.

Një pritje është rezervuar nga Drejtori për Ballkanin Perëndimor në Drejtorinë e Përgjithshme të Zgjerimit Z. Pierre Mirel dhe Shefi i Njësisë për Marrëdhëniet me Jashtë në Komisionin e Punëve të Brendshme, Z. Luigi Soreca si dhe një përfaqësues i presidencës belge të Bashkimit Evropian.

Në axhendën e vizitës për këta qytetarë është parashikuar një vizitë në Parlamentin Evropian. Më tej 50 vizitorët nga Shqipëria do të zhvillojnë një takim të posaçëm me Komisionerin për Zgjerimin të Bashkimit Europian Z. Stefan Fule, Kryetarin e Delegacionit për Ballkanin në Parlamentin Europian, Eduard Kukan dhe eurodeputetet, Doris Pack e Tanja Fajon.

Me një videomesazh do të përshëndesë këtë takim edhe Presidenti i Parlamentit Europian Z. Jerzy Buzek.Ditën e enjte, vizitorët nga Shqipëria do të takohen me Komisioneren për Çështjet e Brendshme Znj. Cecilia Malmstrom. Pas këtij takimi dhe një turi shëtitës në qytetin e Brukselit, 50 udhëtarët e parë të lëvizjes së lirë në Europë, do të fluturojnë nga Brukseli për në Romë, Itali.

Në Romë do të zhvillohet një takim me Ministrin e Jashtëm, Franco Frattini. Me tej qytetarët do të vizitojnë muzeun Capitolini dhe sallën e firmosjes së Traktatit të Romës. 50 të rinjtë të shoqëruar edhe nga një grup i gjerë gazetarësh do të kthehen në Tiranë rreth orës 22:30 të ditës së enjte, datë 16 Dhjetor 2010.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›