Basha merr fjalën në samitin ndërkombëtar për mbështetjen e Afganistanit
Ministri i Punëve të Jashtme, Lulzim Basha, mori pjesë në punimet e Konferencës Ndërkombëtare në Mbështetje të Afganistanit, që u zhvillua në Paris, të organizuar nën kujdesin e Francës, me kërkesë të posaçme të Qeverisë Afgane. Shefit të diplomacisë shqiptare, Lulzim Basha ia dha fjalën homologu i tij francez Bernard Kushner, i cili e prezantoi atë si Mikun e madh të Kosovës, por edhe duke shfrytëzuar rastin që ta uronte atë publikisht për përvjetorin e lindjes. Gjatë fjalës së vet, Lulzim Basha shprehur gatishmërinë e Shqipërisë për t’iu bashkuar mbështetjes ndërkombëtare ndaj Afganistanit dhe do të vazhdojë të punojë me qeverinë afgane për përballimin me sukses të të gjitha sfidave në të ardhmen. “Qeveria shqiptare konstaton me kënaqësi se situata e përgjithshme në Afganistan është përmirësuar ndjeshëm e progresivisht. Ne i njohim arritjet e pamohueshme të Qeverisë afgane në përpjekjet e saj për ndërtimin e një vendi më të qëndrueshëm e demokratik, për forcimin e kapaciteteve të sigurisë, luftës kundër dhunës e ekstremizmit, por dhe nxitjen e pajtimit kombëtar dhe shtrirjes së një ndikimi sa më të gjerë e gjithëpërfshirës politik në të gjithë Afganistanin. Pavarësisht nga këto arritje thelbësore, përpara Qeverisë afgane dhe bashkësisë ndërkombëtare mbeten sfida serioz”, tha Basha në fjalën e tij. Ministri i Punëve të Jashtme, Lulzim Basha vuri në dukje edhe rëndësinë e bashkëpunimit të bashkësisë ndërkombëtare për të riafirmuar linjën e ndjekur prej vitit 2001, pasi sipas tij, “stabiliteti i Afganistanit nuk lidhet vetëm me të ardhmen e këtij vendi, por me vetë sigurinë globale”. Megjithëse sfidat me të cilat duhet të përballet Afganistani në rrugën e rindërtimit janë të mëdha, qëllim kryesor i Konferencës së Parisit ishte theksimi i përparimeve të shënuara që prej vitit 2001, në sajë të ndërveprimit të përbashkët të Qeverisë afgane, shoqërisë civile dhe bashkësisë ndërkombëtare. Gjatë kësaj Konference u lançua strategjia kombëtare për Zhvillimin e Afganistanit, ku vendeve pjesëmarrëse iu kërkua ndihma në përputhje me kërkesat specifike të zhvillimit në vend, në mënyrë që të kontribuohet në marrjen e përgjegjësive të duhura nga ana e autoriteteve afgane. Në këtë kuadër, ministri Basha vuri në dukje se është rënë dakord që përveç kontributit aktual ushtarak që jep Shqipëria nëpërmjet trupave tona në Afganistan, vendi ynë do të ofrojë ndihmë dhe asistencë modeste ndaj Afganistanit në formën e bursave universitare për studentët afganë të mjekësisë, si dhe do të ndihmojë shoqërinë civile afgane në përpjekjet e saj për të adresuar sfidat në vazhdim. “Shqipëria i bashkohet mbështetjes ndërkombëtare për angazhimin e vazhdueshëm më energjik të Qeverisë afgane në përballimin me sukses të këtyre sfidave. Ne shprehim mbështetjen tonë të plotë ndaj iniciativës së kësaj Konference për të adoptuar Strategjinë Kombëtare afgane të Zhvillimit dhe për të ndihmuar në zbatimin e saj. Ashtu si Kryeministri Berisha dhe Presidenti Karzai ranë dakord në Davos në fillim të këtij viti, përvec kontributit tonë aktual ushtarak nëpërmjet trupave tona në Afganistan”, shtoi Basha. Ndërkohë në këtë, konferencë merrnin pjesë ministra dhe përfaqësues të lartë nga mbi 80 vende dhe organizata ndërkombëtare, si Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki Mon, Sekretarja amerikane e Shtetit, Condoleeza Rice, Presidenti francez Sarkozi, Përfaqësuesi i lartë i BE, Havier Solana, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jaap de Hoop Scheffer, ministri i Jashtëm francez, Bernard Kushner, ministri i jashtëm britanik, David Miliband, ministri i jashtëm gjerman, Shtajnmajer, ministri i jashtëm italian, Franko Frattini etj