Opozita e vjetër e Edvinit i rikthehet bojkotit
Dekretet e Presidentit të Republikës për anëtarët e Gjykatës së Lartë, kanë marrë përmasat e një çështjeje të zellshme politike dhe me ngërçin e mundshëm në sajë të pamundësisë për të dhënë një zgjidhje konform sanksionimit të Gjykatës Kushtetuese. Në këtë aspekt, Partia Socialiste nuk po merr në shqyrtim argumentet e shumicës parlamentare për të kaluar në Kuvend shqyrtimin e proçedurës së ndjekur për emërimin e tyre, por po vazhdon me ecejaket e përhershme tërhiq e mos e këput, e me kërcënimet për sabotimin e punimeve të Kuvendit. I njëjit zhvillim është përsëritur edhe dje, në kohën kur seanca kishte filluar punimit, PS kërcënoi se do të braktisë Kuvendin, pasi sipas tyre, çdo ditë që kalon me një Gjykatë të Lartë të përgjysmuar në numër është kosto e lartë për qytetarët. “Kosto e shkaktuar edhe nga kriza e votave të të djathtëve në kuvend. Dua t‘u bëj me dije vendimin e grupit të PS-së, i cili nuk mund të mbetet peng i numrave që ju nuk i keni për të votuar dekretet e presidentit”. “Duam datën e saktë se kur dekretet e Presidentit do të vijnë në seancë”, u shpreh kryetarja e grupit parlamentar socialist Valentina Leskaj. Dhe ka mjaftuar ky moment që opozita të braktisë punimet e Kuvendit, siç edhe ka vepruar shpesh në pamundësi për të vepruar me korrektësinë e argumenteve dhe ligjërimit përkatës ido-politik. Por më shumë sesa parimore, ikja e deputetëve të opozitës tentoi të theksonte faktin se problemi i vërtetë për mazhorancën kur dekretet të hidhen ne votim javët në vazhdim, nuk është opozita, por numrat e koalicionit qeveritar. Për nënkryetarin e Kuvendit Fatos Beja largimi i deputetëve të opozitës është një lojë politike. Ndërsa kreu i PSD Skënder Gjinushi tha se është dhunuar e drejta e Presidentit dhe se opozita po kërkon zbatimin e rregullores së Kuvendit. “Gjithë loja bëhet për imunitetet. Qeveria është e kapur nga krimi i organizuar. Ajo do të kontrollojë Gjykatën e Lartë, Prokurorinë, Presidencën për të fshehur krimin e organizuar”, tha ai, duke shtuar se janë tejkaluar afatet dhe se të hën dekretet e Presidentit duhet të jenë në Parlament. Ndërkaq, nga ana tjetër, edhe vetë Kreu i qeverisë, Berisha, duke u shprehur kundër dekreteve deklaroi pak ditë më parë se persekutorët e regjimit komunist nuk duhet të ngrihen në përgjegjësi. Megjithatë, Kryetari i grupi parlamentar të PD-së, Astrit Patozi u shpreh dje, se mazhoranca po respekton të gjitha proçedurat parlamentare për miratimin e dekreteve të Presidentit, në emërimin e anëtarëve të rinj të Gjykatës së Lartë. “Jemi në respekt të çdo proçedure normale të Parlamentit. Kemi kohë për votimin e dekreteve deri 20 ditë pas daljes së raportit të Komisionit të Ligjeve. Nuk mund të detyroni shumicën që t’ju përgjigjen ultimatumeve tuaja. Në këto kushte ikja e kolegëve socialistë nga seanca është një tjetër formë e shëmtuar e politikës së tyre të mbrapshtë”, tha kreu i grupit parlamentar të PD, Astrit Patozi, duke shtuar se në lidhje me këtë çështje çdo veprim është korrekt me Kushtetutën dhe rregulloren e Kuvendit. Patozi, tha se “ky Parlament ndodhet në një situatë absurdi, për shkak të një qëndrimi të shëmtuar të PS-së dhe deputetëve të saj, të cilët pa asnjë arsye braktisën sot sallën e Kuvendit”. Duke iu drejtuar opozitës, kryetari i grupit të PD-së, tha se “ju nuk mund të përdorni politikën e ultimatumeve, sepse është një politikë sa joproduktive, aq edhe e shëmtuar, është një politikë që në nuk shkon në një vend demokratik, është një politikë që nuk duhet ta përdorë as maxhoranca mbi opozitën, e jo më opozita mbi maxhorancën”, u shpreh Patozi. “Ne e kemi kuptuar që ju e keni me pasion çështjen e dekreteve të Presidentit, për të cilën keni deklaruar paraprakisht votën ‘pro’. Kjo është vetëm një shprehje e qartë e thelbit të interesit tuaj politik për këtë çështje. Por, ju si opozitë duhet të keni pak durim, se nuk e detyroni dot shumicën t’iu përgjigjet ultimatumeve tuaja. Nuk po ndodh asgjë anormale në këtë sallë, pasi ne jemi korrektë me të gjitha proçedurat, Kushtetutën dhe ligjet e këtij vendi”, theksoi ndër të tjera kreu i grupit parlamentar të PD-së. Ndërkaq, që Gjykata e Lartë, është reduktuar ndjeshëm për nga numri i anëtarëve, nga 17 në 10, për shkak të mbarimit të mandatit të 7 prej tyre, si dhe bllokimit të dekreteve të presidentit për emërimin të 5 anëtarëve të kësaj gjykate. Gjykata thuajse ka përgjysmuar aktivitetin për shkak të mungesave të gjykatësve. Ndërkohe që kolegjet e bashkuara nuk mblidhen fare, duke bllokuar kështu edhe unifikimin e praktikave juridike dhe prodhimin e precedentëve penale për gjykatat e tjera. Gjithashtu është bllokuar edhe shqyrtimi i padive që kanë bërë gjykatësit e shkarkuar nga KLD. Në këtë debat i cili po mban mbërthyer politikën ndërhyn nënkryetari socialist i Komisionit të Ligjeve, Fatmir Xhafa i cili thekson se Gjykata e Lartë praktikisht është e bllokuar.”Gjykata e Lartë funksionon me kolegje me 5 anëtarë. Kryetari i Gjykatës së Lartë është figurë proçeduriale dhe funksionet e tij nuk mund t‘i kryejë dikush tjetër”, u shpreh ai. Ndërsa, e vetmja pikë, ku mazhoranca dhe opozita pritet të jenë bashkë, është e hëna, dita kur kuvendi do të votojë për heqjen e shumëdebatuar të imunitetit të deputetit dhe ish ministrit Fatmir Mediu. Leonard Quku