Topalli: Dekretet e Presidentit, në seancat e javës së ardhshme
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, deklaroi dje në Parlament se “dekretet e Presidentit për emërimin e pesë anëtarëve të rinj të Gjykatës së Lartë, do të votohen në seancat plenare të radhës të së enjtes (19 qershor) ose të ditës së hënë (23 qershor). Deklarata e Kryeparlamentares Topalli, erdhi pas kërkesës së kryetares së Grupit Parlamentar të PS-së, Valentina Leskaj, e cila kërkoi “një kohë dhe një përgjigje lidhur me dekretet e Presidentit”. “Ne si grup parlamentar kërkojmë që dekretet të vijnë në seancë për t’u votuar”, theksoi Leskaj. Sipas deklaratës së bërë nga Kryeparlamentarja Topalli, javën që vjen, pritet që Parlamenti të votojë emrat e 5 anëtarëve të Gjykatës së Lartë, të dekretuar nga Presidenti i Republikës, Bamir Topi. Përplasja maxhorancë-opozitë lidhur me pesë kandidaturat e propozuara nga Kreu i shtetit për zëvendësimin e vendeve vakante në këtë Gjykatë, vijoi e fortë edhe në punimet e sotme të Kuvendit, duke u finalizuar me braktisjen e tyre nga ana e deputetëve të majtë, të cilët këmbëngulën për votimin sot në Kuvend të dekreteve në fjalë. Çështja e dekreteve për kandidaturat e reja në organin më të lartë të gjyqësorit shqiptar ka shkaktuar jo pak debate mes maxhorancës e opozitës, ku palët ndajnë qëndrime thellësisht të kundërta. Ndërsa opozita mbështet kandidaturat e propozuara nga Kreu i shtetit, mazhoranca përgjigjet duke kërkuar për çështjen në fjalë respektim të plotë të një vendimi të Gjykatës Kushtetuese të 18 janarit 2005. Zanafilla e debatit nis rreth një muaj pas shpalljes së dekreteve presidenciale, kur kryetari i PS-së, Edi Rama (29 maj) akuzon kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli, për shkelje të rregullores parlamentare me vonesat e krijuara për zëvendësimin e 5 anëtarëve të Gjykatës së Lartë. Në këtë drejtim, kreu i PS-së ngriti pretendimin “për cënim të lirive themelore të kandidatëve të emëruar nga Presidenti, pasi kryetarja Topalli i ka kërkuar Ministrisë së Brendshme, Ministrisë së Drejtësisë dhe Prokurorisë së Përgjithshme, prova të pafajësisë së tyre, duke kapërcyer çdo kufi të ligjit”. Në përgjigje të këtij qëndrimi, kryetarja Topalli, ndërsa përgënjeshtroi akuzat e kryetarit socialist, “për bllokim të dekreteve”, siguroi se “nuk ka asnjë lloj vonese apo tejkalim afati, por vetëm respektim të Kushtetutës, vendimit të Gjykatës Kushtetuese dhe rregullores së Kuvendit”. Gjatë kësaj periudhe, kryeparlamentarja më se njëherë ka parashtruar qëndrimin e saj se për këtë çështje, “të gjitha qëndrimet e Kuvendit përcaktohen nga zbatimi me seriozitet i vendimit nr.2, të 18 janarit 2005, të Gjykatës Kushtetuese. Ky vendim trajton marrëdhëniet e Presidentit me Kuvendin dhe rolin e secilit në emërimin e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë”. Vendimi në fjalë i Kushtetueses i njeh Kuvendit, “jo të drejtën e shqyrtimit formal, por të drejtën e shqyrtimit në themel e për meritë, duke i dhënë atij një epërsi të qartë në trajtimin e këtij problemi”. Sipas tij, pjesëmarrja e Kuvendit në këtë proces synon balancimin e kompetencës së Presidentit në emërimin e gjyqtarëve dhe kjo vjen në harmoni me parimin e ndarjes dhe balancimit ndërmjet pushteteve. Interpretimi, sipas të cilit emërimi i përket, në mënyrë ekskluzive, një organi politik me natyrë individuale (kryetarit të Shtetit) nuk do të ishte në pajtim me standardin përkatës në këtë fushë”, citohet interpretimi i Kushtetuteses, i shprehur në vendimin e saj të janarit 2005.